Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka tronditur dje elitën e krimit të organizuar, politikanë, ish-drejtorë edhe punonjës të Policisë së Shtetit. Zbardhja e bisedave të personave që përdornin aplikacionet “SKY ECC” apo “ENCRO CHAT” ka bërë që Gjykata e Posaçme anti-korrupsion të lëshojë dje mbi 40 urdhër-arreste për ngjarje të ndryshme kriminale në vend, nga vrasjet, porosia e tyre, trafiku ndërkombëtar I drogës, apo edhe zhdukja e personave. Për këtë arsye, në orët e para të mëngjesit, SPAK ka nisur një operacion të gjerë në disa qytete të vendit, si Tirana, Durrësi, Vlora, Lezha, Shkodra dhe Kruja. Hetimet drejtohen nga prokurori Alfred Shehu, i cili pasi mori vendimin nga GJKKO, dha urdhrin për ekzekutimin e urdhër arresteve. Pjesë e hetimit të kësaj dosje është edhe kreu i SPAK, Altin Dumani.
Lista me emra VIP
Nga vëllezërit Leonard e Erlis Duka (armiq të Ervis Martinaj), Astrit dhe Altin Avdylaj, Valter dhe Burim Bami, te Endrit Dokle, Plarent Dervishaj, Fatmir Hyseni i njohur si Doçja, Mir Brruli kushëriri i Pëllumb Gjokës, janë disa prej emrat e personazheve të botës së krimit për të cilët është lëshuar urdhër arrest. Deri më tani mësohet se vetëm 9 urdhër-arreste janë zbatuar. Në kërkim është dhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka. Vëllait të tij Xhevi Ndoka i është komunikuar masa në qeli pasi ndodhet në burg për tjetërsimin e pronave në Shëngjin. Në pranga mësohet se kanë rënë edhe Armando Ndreca dhe Elvis Ndreca, vëllai dhe djali i xhaxhait të deputetit socialist Eduard Ndreca. Armando u arrestua më 10 mars 2024 për një shtëpi bari në Lezhë, por u la i lirë pasi Gjykata tha se nuk kishte prova që e implikonin.
Goditjet
Pasditen e djeshme u mësua se është firmosur urdhër-arrest edhe për d efektivë të policisë së shtetit.
Përveç anëtarëve të grupeve kriminale, me urdhër të SPAK janë arrestuar dy punonjës dhe një ish-punonjës të Policisë së Shtetit. SPAK ka firmosur urdhër-arrest edhe për Henrigert Mitrin, ish-drejtues i Policisë së Lezhës dhe efektivin Klodian Shahini, ish punonjës policie kufitare, aktualisht efektivë në policinë e Shtetit. Po ashtu SPAK ka firmosur urdhër arresti edhe për Altin Morinën, ish-efektivi i RENEA-s i cili u arrestua në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro. 43-vjeçari, me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me këtë automjet luksoz. Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plasmasi. Por një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal. Altin Morina, dyshohet se ka lidhje me grUpin e Ervis Martinajt. Pak ditë para se të arrestohej ai u pa në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.
Urdhër arrest është lëshuar edhe për Lul Berishën ish-kreun e bandës së Durrësit, i cili rezulton i arrestuar më 14 dhjetor 2023 në Spanjë. Burime thonë se përveç Lul Berishës, urdhër arrest është lëshuar edhe për një person tjetër që ndodhet në Spanjë. Deri më tani mësohet se vetëm 11 masa sigurie janë zbatuar, ndërsa deri tani janë zbardhur 22 emra.
Zbardhen vrasjet, para e flori në banesat e “kokave” të krimit
Prokuroria e Posaçme nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare, por burime bëjnë me dije se janë zbardhur 6 ngjarje kriminale në afatin kohor nga 2018 deri në 2021. Një ndër to, është ekzekutimi ditën e Pashkëve i Bardhok Pllanës, 3 vite më parë, i njohur ndryshe edhe si “Kumbari”. Përveçse shumave të mëdha të parave dhe flori, gjetur dke gjatë kontrolleve në banesat e bosëve të krimit, disa nga ngjarjet mbi të cilat SPAK ka hedhur dritë, kanë të bëjë me vrasjen e njerëzve të Ervis Martinajt, bosit të lojërave të fatit që rezulton i zhdukur prej gushtit 2022. Dhe pikërisht ishin përplasjet për këtë biznes që sollën eliminimin e rrethit të ngushtë të miqve të Martinaj. Dyshohet se është zbardhur ekzekutimi i biznesmenit Bardhok Pllanaj, të dielën e Pashkëve, më 4 Prill 2021 në Shkodër. I njohur me nofkën “Kumbari”, ndërtues i pallateve, por i skeduar dhe për trafik droge ishte nisur drejt Malësisë së Madhe, kur një skuadër qitësish profesionistë ju vunë në ndjekje dhe e vranë 50 metra larg shtëpisë, në fshatin Dobraç i Ri. Po ashtu, dritë është hedhur edhe mbi atentatin e dështuar ndaj 33-vjeçarit Taulant Pepaj më 21 shkurt 2021. Interesante duket se SPAK ka zbardhur edhe përplasjet mes Durim Bamit dhe grupit Avdylaj, që nga miq u kthyen në rivalë. Është zbardhur vrasja në 2021-in në zonën e Astirit e Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit. Një tjetër rast, është atentati ndaj Can Karriqit, një prej njerëzve më të besuar të Martinajt, atentati ndaj Ylli Brahimit, apo ekzekutimi i Brilant Martinajt. Më tej burimet thonë, se janë zbuluar disa atentate dhe në Durrës, ngjarje ku përfshihen Plaurent Dervishaj dhe Endrit Dokle, dy personazhe të njohur të bandës së Durrësit.
Qytetet ku bastisi RENEA
Dhjetëra forca të RENEA, FNSH, nisën kontrollet prej orës 03:00 të mëngjesit të 17 majit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë, Nikël, Kurbin. Kontrolle u ushtruan në banesën e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe, i zhdukur që prej gushtit 2022. Po ashtu në ‘sitë’ ishin edhe banesat e klanit Duka në Fresk të Tiranës, të cilët të cilët dyshohen si autorë të vrasjes së ish-efektivit të policisë Santiago Malko, mik i Martinaj. Po ashtu kontrolle pati edhe në Vlorë në banesën e Fatmir Hysenit, në banesën e Albert Zajës, i dënuar me 19 vite burg për vrasjen e Shkëlzen Kastratit. Por, ‘gjuetia’ për bosët e krimit deri më tani ka rezultuar pa sukses, pasi ata nuk janë gjetur në banesat e kontrolluara, ndërsa disa prej tyre dyshohet se fshihen në Dubai. Fatmir Hyseni nga Vlora është tjetër emër i rëndësishëm për të cilin është lëshuar urdhër arrest. Fatmir Hyseni i njohur ndryshe edhe si “Doçja”,është anëtar i grupit kriminal “Duka” dhe dyshohet i përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të policisë Santiago Malko shok i ish bosit të lojërave të fati Ervis Martinaj. Por Hyseni dyshohet i përfshirë edhe në atentatin e përgjakshëm në mbikalimin e Fushë Krujës, ku u vranë Brilant Martinaj nipi i Ervis Martinajt, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata. Ish-deputeti i PS, Arben Ndoka në tetor të vitit 2018 u arrestua gjatë operacionit “Volvo 4”, si i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash në Shëngjin, por më pas procesi ndaj tij vijoi me arrest shtëpie e detyrim paraqitje. Për tjetërsimin e pronave, në burg janë vëllai i tij Xhevi Ndoka dhe motra Mimoza Ndoka. Emri i Arben Ndokës del tek Metamorfoza, në bisedën mes Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, për eliminimin e armiqve.
Arrestime në Spanjë dhe Itali
Gjithashtu mësohet se SPAK ka futur në lojë dhe ndërkombëtarët dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme janë arrestuar dje në dy shtete europiane. Raportohet se Denis Meta është vënë në pranga në Spanjë, ndërsa Arian Tuku është kapur në Itali. Sipas hetimeve të SPAK, dyshja rezultojnë të implikuar në episode të ndryshme kriminale. Arrestimet e tyre u kryen në bashkëpunim mes Interpol Tirana dhe autoriteteve italiane dhe spanjolle. Nga hetimet e SPAK rezulton se Arian Tuku, 36 vjeç nga Lezha, ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën (Deda) i njohur si “Leksi i Druve”. Gjithashtu 36-vjeçari ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Durim Bamit. Po sipas SPAK, në 2020 ai ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze. Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se shtetasi Arian Tuku, djali i Zef dhe Veranikës, i datëlindjes 02.02.1988 në Lezhë, më datë 01.12.2020 ka tentuar të vrasë shtetasin Aleks NDRKA. Gjithashtu ky shtetas ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Durim BAMI. Më datë 03.11.2020, ai ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze. Veprat e mësipërme janë kryer prej tij në një formë të veçantë bashkëpunimi, atë të një grupi të strukturuar kriminal.’-njofton SPAK. Arian Tuku është dhëndri i Arben Ndokës, ish-deputetit të PS-së, i cili po ashtu është në kërkim pasi ndaj tij SPAK ka lëshuar urdhër-arrest. ‘Leksi i Druve’ ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka.