Një aksident tragjik u shënua dje në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, me pasojë 8 viktima. Një mjet i mbushur me emigrantë ka tentuar t’i ikë policisë, por ngjarja ka rezultuar fatale, pasi mjeti përfundoi në shtratin e Lumit Vjosë, duke humbur jetën 7 emigrantët e paligjshëm nga vendet e lindjes, si edhe vetë drejtuesi i mjetit nga Shkodra. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, (2 prill 2024), kur ‘Benz’-i mbushur me emigrantë po udhëtonte nga pika e kalimit kufitar ‘Tre Urat’ në Përmet në drejtim të Këlcyrës. Mjeti i mbushur me emigrantë është pikasur nga policia duke lëvizur me shpejtësi të lartë. Pasi patrulla e policisë i ka bërë shenjë për të ndaluar, drejtuesi i mjetit është kthyer për në drejtim të Përmetit me qëllim për t’i ikur policisë. Nga shpejtësia e lartë, shoferi 24 vjeç nga Shkodra, Edison Bregaj, humbi kontrollin dhe makina ‘fluturoi’ në anë të lumit Vjosa. Report Tv sjell edhe pamjet nga vendi i ngjarjes, ku dallohet makina totalisht e shkatërruar në anë të lumit. Mbi dinamikën e aksidentit foli nga vendngjarja drejtori i policisë së Gjiroakstrës, Ardian Çipa. Policia ka hasur një mjet që po vinte me shpejtësi tej normave të lejuara. Në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar, automjeti është kthyer dhe është nisur me drejtim nga qyteti i Përmetit”, tha drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa. Burime për gazetarin e Report Tv, Prio Nase bëjnë me dije se sipas vlerësimit paraprak, mjeti ka lëvizur me shpejtësi shumë të lartë kur ka qenë duke i ikur policisë, dyshohet rreth 180 km/h. Makina ka përfunduar në anë të lumit Vjosa në fshatin Kuqar dhe 8 personat kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes. Secili prej emigrantëve kishte paguar 300 euro për udhëtimin që i çoi drejt vdekjes, informon gazetari Nase. Ndërkohë në mjetin tip ‘Mercedez Benz’ janë gjetur edhe 2600 euro, me të cilat dyshohet se emigrantët nga vendet e Lindjes kanë paguar shoferin për t’i transportuar ata nga Përmeti në drejtim të Hanit të Hotit, (Shkodër), për të kaluar më pas në Mal të Zi, dhe me destinacion final vendet e Bashkimit Europian. Disa orë më vonë policia identifikoi shoferin e mjetit i cili humbi jetën bashkë dhe me 7 emigrantët që po i shoqëronte. Edison Bregaj kishte marrë me qira makinën në qytetin e Shkodrës, nga shtetasi A. Gj., 26 vjeç, i cili është shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme. Prokuroria e Gjirokastrës dyshon se pas aksidentit fshihet dhe një veprimtari kriminale e trafikut të emigrantëve. Nuk mund të themi se është thjesht një aksident. Kjo ka ardhur rrjedhojë e një ngjarje tjetër kriminale, atë të të transportit të personave që në mënyrë të paligjshme kalojnë kufirin shtetëror për të vijuar më pas në BE. Është kombinim i këtyre 2 veprave penale të cilat do I shikojmë në thellësi për të zbardhur dhe shkakun”, tha Drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastrës, Petrit Çano.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë