Avokati i Popullit ka reaguar për dhunën e ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, i cili për shkak të gjendjes së përkeqësuar, është futur në intubim.
Në një reagim për mediat, Avokati i Popullit dënon me forcë aktin e dhunës së ushtruar sot ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ndërsa sipas tyre cilësohet si akt që minon parimet themelore të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës.
Në reagim kërkohet gjithashtu një hetim i shpejtë, i plotë dhe i paanshëm të këtij incidenti, duke kërkuar ndjekjen penale të autorëve dhe sigurimin e mbrojtjes së duhur për avokatët në ushtrimin e detyrës së tyre.
REAGIMI I PLOTË:
Avokati i Popullit dënon me forcë aktin e dhunës së ushtruar sot ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Ky akt është një sulm i rëndë ndaj profesionit të avokatit dhe sistemit të drejtësisë në tërësi, duke minuar parimet themelore të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës.
Dhuna ndaj avokatëve është e papranueshme dhe përbën një kërcënim serioz për të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve. Avokatët luajnë një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të individëve dhe në sigurimin e një procesi të drejtë gjyqësor. Sulmet ndaj tyre cënojnë jo vetëm integritetin e tyre fizik dhe profesional, por edhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Avokati i Popullit kërkon nga autoritetet përkatëse një hetim të shpejtë, të plotë dhe të paanshëm të këtij incidenti, duke kërkuar ndjekjen penale të autorëve dhe sigurimin e mbrojtjes së duhur për avokatët në ushtrimin e detyrës së tyre. Nevojitet një qëndrim i fortë dhe i vendosur për të garantuar që të gjitha aktet e dhunës dhe kërcënimit ndaj avokatëve të ndëshkohen në përputhje me ligjin.
Avokati i Popullit qëndron në solidaritet me avokatin Sokol Mëngjesi dhe me të gjithë avokatët që përballen me sfida dhe rreziqe në përmbushjen e detyrave të tyre profesionale.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasi avokati i liderit të opozitës, Sali Berishës ka lënë djalin në shkollë. Ai u dhunua nga tre persona të pa maskuar ndërsa dy prej tyre janë identifikuar dhe po punohet për kapjen e tyre. Tre autorët i kanë zënë pritë pranë një kopshti, ku avokati kishte dërguar të birin dhe e kanë goditur me grushte e sende të forta në fytyrë dhe trup. Bëhet me dije se avokati ka pësuar dy fraktura, dëmtime te zona e ballit dhe pas koke dhe nga këto goditje Mëngjesi ka pësuar dëmtime në pjesën e trurit dhe hemorragji të vogël. Dyshohet se autorët e kanë goditur me dorezë hekuri ndërsa policia ka marrë në pyetje të gjithë qytetarët që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes. Dhunimi i tij dyshohet se ka ndodhur për shkak të profesionit. Ndërkohë Partia Demokratike është shprehur se ky ka qenë sulm politik.