Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, është paraqitur mëngjesin e djeshëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Hajdari shihet i shoqëruar nga avokati i tij, Theodori Sollaku. Kujtojmë se më 15 nëntor, SPAK mori si të pandehur Kreshnik Hajdarin pasi i njoftoi akuzën për falsifikim të formularëve. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai ka shkelur nenin 190/2 të Kodit Penal, që parashikon dënim nga 6 muaj burg deri në 5 vjet, si pasojë e mosdeklarimit të procesit gjyqësor ndaj tij në Greqi në formularët e dekriminalizimit dy herë, nga viti 2019 e në vazhdim. Hajdari u përball me prokurorët bashkë me avokatin e tij Theodhori Sollaku, një ditë pasi KQZ refuzoi ti heqë mandatin me argumentin se vendimi gjyqësor ndaj tij në Janinë në vitin 1999 nuk ishte shkak ligjor për largimin nga detyra. Ndërsa avokati i tij, pasi Hajdari doli nga ambientet e SPAK ku qëndroi për më shumë se 1 orë, deklaroi se kryebashkiaku nuk është marrë si i pandehur dhe se është pyetur për një kallëzim të bërë ndaj tij. Drejtësia greke i përcolli javë më parë ministrisë sonë të Drejtësisë, një vendim që faktonte se kryebashkiakut i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është dënuar nga gjykata e Janinës, ndërkohë që në formularin e vetëdeklarimit ka thënë se nuk është i dënuar. Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”, pasi në atë vit, kryebashkiaku i zgjedhur ka qenë vetëm 17 vjeç.
Dosja “Dako”
Ndërkohë nga ana tjetër, Gjykata Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka ndryshuar dje masën e sigurisë nga “arrest në burg”, në “arrest shtëpie”, për biznesmenin Fiqiri Farruku. Farruku u arrestua për ndërtimin e pallatit në Durrës që u dëmtua nga tërmeti, ngjarje për të cilën prej 6 qershorit 2023, është i arrestuar edhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili aktualisht ndodhet në burg. Biznesmeni i arrestuar është pjesë e dosjes që Prokuroria e Posaçme po heton për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, drejtorin e Drejtorisë së Kontrollit dhe Planifikimit të Territorit Adhurim Qehajaj, arkitektin Ermal Lama, projektuesen Meri Semini topografët Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku. Me vendimin e sotëm gjyqtari Erjon Bani vendosi gjithashtu që Fiqiri Farruku detyrohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të. Fiqiri Farruku, administrator i firmës së ndërtimit Fakle Sh.p.k. u arrestua më 6 qershor 2023 nga SPAK me akuzat për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim. Lejimi i katër kateve shtesë në pallatin e ndërtuesit Fiqiri Farruku në lagjen 5 në Durrës, është pikërisht njëra nga akuzat me të cilat SPAK kërkoi arrestimin e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako dhe 9 personave të tjerë. Në media doli kërkesa e plotë të prokurorisë drejtuar gjykatës së posaçme atëherë në të cilën sqarohej se punimet për pallatin, që sot është 11 kate, kanë nisur në vitin 2010, fillimisht me një aplikim në Bashkinë e Durrësit për vetëm 7 kate, përdorur kjo si truk për të shmangur nevojën e një studimit sizmiologjik, i cili është i detyrueshëm për pallate mbi 7 kate. Por në vitin 2012, pallati përfundoi jo me 7 kate, por me 4 të tjera shtesë nga projekti fillestar. Por nga momenti kur mori lejen për 7 kate, sipas SPAK ndërtuesi dorëzoi ndër vite deri në 2012-ën disa kërkesa në bashki për shtimin e kateve, një nga një, dhe Bashkia e Durrësit, e zbardhi lejen dy vjet më vonë, në 2014, sipas SPAK me dijeninë e Vangjush Dakos, ku ligjërohen 11 kate. Në dosje, citohet se nisja e punimeve është kontrolluar nga një supervizor pa licencë, në moshën 79 vjeç.