Edhe pse katër ditë më parë, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, Lulzim Basha tentoi të “bindë” qytetarët e Tiranës, se nisi shkatërrimin e ndërtimeve pa leje, të lejuara qëllimisht gjatë kësaj fushate elektorale për efekt votash në favor të PD, madje vërsuli “Rambon” e tij Florenc Hoxha, për të prishur një kasolle në lagjen “Ali Demi”, ndërtimet pa leje jo vetëm që nuk janë frenuar por madje po vazhdojnë vrullshëm. Këto “spektakle” demagogjike me ndërtimet pa leje, Lulzim Basha ka kohë që po i bën, për të përligjur lejimin e tyre, të cilat paguhen me gjoba për llogari të xhepit të tij, të familjarëve e klientëve të tij.
Tirana vazhdon të mbushet me ndërtime pa leje
Tirana vazhdon të mbushet me ndërtime pa leje. Një nga këto ndërtime, nxori “kokë” dje, në majë të një pallati 9 katësh në rrugën “Sitki Çico”, përballë Maternitetit “Koço Glozhieni”. Ky ndërtim pa leje, ose me leje të paligjshme nën dorë, dhënë prej Lulzim Bashës dhe mbrojtur prej “Rambos” së tij Florenc Hoxha, tre ditë më parë nuk ishte. Dje, ai ishte ndërtuar komplet. Fotografitë e bëra dje në këtë ndërtim, nuk kanë nevojë për koment. Si këto ndërtime janë shumë në Tiranë, të cilët vazhdojnë të hedhin shtat e të nisin që nga themeli. Ndërsa ndërtimet pa leje po vazhdojnë, kryebashkiaku Lulzim Basha e ka braktisur bashkinë dhe po merret me kolltukun e kreut të PD, për të trashëguar postin e shefit të tij, gjoja të dorëhequr, Sali Berisha. Banorët e Tiranës, tashmë nuk kanë më kryetar bashkie dhe asnjë mundësi për të zgjidhur problemet e tyre sociale e publike, mbasi jo vetëm kryebashkiaku, por krejt administrata e Bashkisë Tiranë, pas fushatës elektorale është hedhur në sulm, për të bërë fushatë për kryetarin Lulzim Basha, për ta bërë kryetar të PD. Këtë bashki, të vjedhur me vota, realisht Lulzim Basha ka 1 vit që e ka braktisur dhe po merret vetëm me politikë. Dje, për të maskuar veprimtarinë e tij politike, ai doli kapardisur në rrugën “Xhemal Tafaj”, në njësinë bashkiake nr.8, duke bërë sikur përuronte një investim. Ndërkohë, vetëm pak merr larg kësaj rruge po hedhin shtat 6 ndërtime pa leje, të cilat Basha bën sikur nuk i shikon dhe nuk lejon “Rambon” e tij Florenc Hoxha që të ndërhyjë për t’i prishur. Tirana në gjithë “hartën” e saj është mbushur dhe po vazhdon të mbushet me ndërtime të paligjshme, të të gjithë kategorive ndërtimore e ndërhyrjeve strukturore të objekteve ekzistuese që janë të ligjshme. Këto ndërtime po lejohen prej Bashkisë Tiranë, duke mos u ndalur. Policia ndërtimore e kësaj bashkie e komanduar si një “bandë rruge” prej “Rambos” Florenc Hoxha, ka detyrimin për t’i frenuar, parandaluar dhe shkatërruar ndërhyrjet ndërtimore, po nuk po vepron. Dhe këtë heshtje të qëllimshme, prej afro 2 vitesh po e konverton në përfitime për llogari të shefit të baskisë Lulzim Basha, të policisë ndërtimore dhe asaj bashkiake, duke e kthyer këtë paligjshmëri në biznes tepër fitimprurës financiar.
Vëzhgim, në 3 ditët e fundit kanë nisur 53 ndërtime pa leje në Tiranë
Nga një vëzhgim i bërë këto ditë prej gazetës “SOT” në lagjet dhe blloqet e Tiranës, konstatohet se ka nisur ofensiva e ndërtimeve pa leje dhe ndërhyrjeve të paligjshme në objektet e ndërtuara. Ne evidentuam 53 ndërtime të paligjshme që kanë nisur në 3 ditët e fundit në Tiranë, konkretisht në njësitë bashkiake nr. 3, nr. 2, nr. 8, nr, 5, nr. 11. Këto ndërtime të paligjshme, i shtohen evidencës që ka policia ndërtimore bashkiake në të 11 minibashkitë e Tiranës, ku kanë nisur dhe po vazhdojnë pa asnjë frenim mbi 750 ndërtime të paligjshme, madje dhe ndërtime e vendosje kioskash. Policia ndërtimore e Bashkisë Tiranë e komanduar dhe shfrytëzuar prej “Rambos” Florenc Hoxha, po lejon që këto të ndërtohen, duke mos ndërhyrë edhe pse e kanë me ligj ndërhyrjen, madje dhe parandalimin e tyre. Kjo mos ndërhyrje, sipas informacioneve tona, po konvertohet me pagesa private për llogari të Lulzim bashës dhe “Rambos” së tij Florenc Hoxha. Në policinë ndërtimore të Bashkisë Tiranë dhe në zyrën e kryebashkiakut Lulzim Basha, mësojmë, se vetëm në 3 muajt e fundit, janë depozituar gjithsej afro 3000 ankesa e njoftime për ndërtime të paligjshme, madje edhe ndërhyrje shkatërruese e shqetësuese për banorët. Por këto ankesa e njoftime të qytetarëve, nuk po trajtohen, duke manifestuar heshtje të plotë.
Lejet e ndërtimit 1 vit të bllokuara prej Bashës, leje vetëm për klientët e pushtetit
Dy vjet më parë, konkretisht në fushatën elektorale të 8 majit 2011, kryebashkiaku Lulzim Basha doli publikisht në media dhe deklaroi se brenda muajit maj 2012, do të liberalizonte dhënien e lejet e të ndërtimit në Tiranë. Tashmë jemi në qershor të vitit 2013 dhe këto leje nuk janë liberalizuar. Përkundrazi janë bllokuar e po jepen me klientelizëm për familjarët dhe ortakët e kryebashkiakut Basha, për firmat ndërtuese që janë kliente të kupolës së pushtetit e të familjarë të tyre. Këtu nuk është fjala për lulishte, parqe e stola, por me lejet e ndërtimit të objekteve të banimit dhe qendrave social-kulturore, të cilat sipas vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës, duhej të fillonin aktivitetin në muajin maj 2012, por që ende nuk kanë nisur as sot pas 1 viti. Kryebashkiaku Lulzim Basha edhe në këtë premtim, po vepron me selektim politik. Ai vendosi moratorium lejesh për “ndërtuesit armiq” dhe liberalizim e dhënie lejesh ndërtimi për militantët dhe familjarët e pushtetit. Pas këtij moratoriumi, lejet e ndërtimit do të lejoheshin. Por nuk ka ndodhur kështu. Ka kaluar 1 vit që prej vendimit për zhbllokimin e lejeve të ndërtimit dhe ende këto leje, nuk po jepen. Politikat e Lulzim Bashës me lejet e ndërtimit, nuk kanë asnjë lidhje me interesat e zhvillimit urban të kryeqytetit, por me interesat e tij dhe të familjes kryeministrore, që tashmë kontrollojnë, komandojnë dhe akordojnë këto leje ndërtimi në KKRTSH dhe në KKRT e Bashkinë së Tiranës. Që të përfitosh një leje ndërtimi në Tiranë, duhet të jesh patjetër pjesë e biznesit të pisët të familjes “Basha”, të familjes “Berisha”, të familjes “Topalli” ose edhe të familjeve të deputetëve, ministrave, diplomatëve, madje edhe të bodigardëve, që kanë lidhje klienteliste e familjare me kryeministrin Sali Berisha.
Shifra e lejeve klienteliste të ndërtimit
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për tremujorin e tretë të vitit 2011, në të gjithë vendin janë dhënë 285 leje ndërtimi. Për 9-mujorin e vitit 2012, në Shqipëri janë dhënë vetëm 74 leje ndërtimi gjithsej, ndërkohë që në krejt vitin 2011 janë dhënë 1000 leje ndërtimi. Pjesërisht, numri i vogël i lejeve të ndërtimit në Tiranë, lidhet me skemat klienteliste e të qëllimshme bllokuese të bashkisë. Në Tiranë, lejet e ndërtimit ishin praktikisht të bllokuara, deri në miratimin e planit urbanistik. Gjatë 9-muajve të vitit 2012, në Tiranë janë dhënë vetëm gjashtë leje ndërtimi. Miratimi i planit urbanistik në fund të muajit Dhjetor mund të zhbllokojë dhënien e lejeve të reja në tregun më të madh të vendit. Por, numri i pakët i lejeve dëshmon mbi të gjitha krizën e thellë që po kalon sektori i ndërtimit. Sipas Institutit të Statistikave, në tremujorin e dytë 2012 sektori ra 18.4% me bazë vjetore, ndërsa në tremujorin e tretë xhiroja e sektorit ra me 15.8% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti
më parë. Në fund të vitit të kaluar, Shoqata e Ndërtuesve vlerësonte se në të gjithë vendin janë rreth 12 mijë apartamente të pa shitura. Përkeqësimi i ekonomisë dhe shtrëngimi i kredisë bankare e ka tkurrur ndjeshëm kërkesën për blerje të pasurive të paluajtshme. Stoku i lartë i ndërtimeve të pa shitura dhe kriza ekonomike nuk japin shumë nxitje për investime të reja në këtë sektor.
Statistika e ndërtimeve pa leje, në 11 minibashkitë e Tiranës
Minibashkia 1: 109 ndërtime dhe 320 ndërhyrje pa leje
Minibashkia 2: 214 ndërtime dhe 178 ndërhyrje pa leje
Minibashkia 3: 173 ndërtime dhe 79 ndërhyrje pa leje
Minibashkia 4: 313 ndërtime dhe 206 ndërhyrje pa leje
Minibashkia 5: 56 ndërtime dhe 194 ndërhyrje pa leje
Minibashkia 6: 302 ndërtime dhe 105 ndërhyrje pa leje
Minibashkia 7: 121 ndërtime dhe 59 ndërhyrje pa leje
Minibashkia 8: 271 ndërtime dhe 76 ndërhyrje pa leje
Minibashkia 9: 179 ndërtime dhe 58 ndërhyrje pa leje
Minibashkia 10: 203 ndërtime dhe 187 ndërhyrje pa leje
Minibashkia 11: 416 ndërtime dhe 311 ndërhyrje pa leje Nga: Përparim Halili