Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë dje pretencën për 5 të pandehurit që akuzohen për vrasjen e biznesmenit Behar Sofia në 25 shkurt të vitit 2021. Në pretencën e SPAK, kërkohet dënimi me nga 30 vite burg për 4 të pandehurit: Bujar Leza, Leonard Xhixha, Skënder Vathi, Xhuljano Visha. Ndërsa për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Ernejt Shytin SPAK ka kërkuar dënimin me 7 vite burg. Ekzekutori, Ernejt Shyti u arrestua 2 javë në Mal të Zi pas atentatit ku u vra Behar Sofia. Në dëshminë e dhënë në GJKKO, ai ka treguar me detaje rolin e të pandehurve të tjerë duke rrëfyer se do të paguhej me 5 milionë lekë. Ndërsa pas tij u arrestuan edhe bashkëpunëtorët e tjerë Xhuljano Visha, 28 vjeç, Leonard Xhixha, Bujar Leza dhe Skënder Vathi. Ky i fundit dyshohet si organizator i atentatit që i mori jetën Behar Sofisë. Ndërsa personi që dyshohet se dha urdhrin për ekzekutimin e Behar Sofisë, Jemin Sheraj, është ende në kërkim. Kujtojmë se 66 vjeçari Behar Sofia, i njohur si “padron droge”, u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit të vitit 2021 afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë. Autori pasi e ka ndjekur disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para 66 vjeçarit dhe e ka qëlluar. I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID pasi ka bërë atentatin ai është larguar dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës. Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drejt Kodrave të Liqenit.
Mbetet në burg Durim Toska, bashkëshortja e tij tërheq akuzat
Ndërkohë dje Gjykata e Korçës ka lënë në burg Durim Toskën, ish drejtorin e Burgut të Fushë Krujës, i cili tre ditë më parë (2 dhjetor) u arrestua në flagrancë në Pogradec për dhunë ndaj gruas së tij dhe armëmbajtje pa leje. Bashkëshortja e tij kishte urdhër mbrojtje nga gjykata, ndërsa arrestimi i Durim Toskës erdhi pas kontrollit të bërë nga policia e Pogradecit që i gjeti edhe një armë pa leje në banesë. Në media dje u tha se bashkëshortja e Durim Toskës ka tërhequr akuzat ndaj tij. Ndërsa sa i takon pistoletës pa leje dhe fishekëve të gjetur në banesën e tij, Durim Toska ka deklaruar se nuk kishte dijeni. Avokatët kanë kërkuar masë sigurie më të lehtë për Toskën duke argumentuar faktin që 52 vjeçari nuk e kishte dhunuar bashkëshorten e tij por kishin patur një debat në familje. Arrestimi i tij u mësua 1 orë pasi zyra e shtypit e Ministrisë së Drejtësisë informoi për shkarkimin e Toskës nga posti i Drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Veprave Penale në Fushë Krujë. Në njoftim thuhej se ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kishte ndërmarrë këtë hap pas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e bazuar vendimin në kritere etike dhe ligjore të cenuara nga Durim Toska.
Kërkohej për vrasje të mbetur në tentativë, arrestohet shqiptari në Greqi
Nga ana tjetër, një 38-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar u arrestua dje nga forcat e policisë greke. Arrestimi i tij u bë pas kontrolli të rastësishëm të punonjësve të policisë në zonën e Selinarit të Neapolis Lasithit, pasi rezultoi se ndaj tij kishte një urdhër arresti ndërkombëtar për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. 38 vjeçari u pikas teksa drejtonte veturën e tij dhe u arrestua, pasi u konstatua se nuk kishte patentë. Në hetimin paraprak të mëvonshëm në stacionin e policisë lokale, u zbulua, duke iu referuar dëshmive të tij, se ai kishte një urdhër të pazgjidhur të lëshuar nga autoritetet në vendin e tij, shkruan media greke. Madje, sipas urdhër-arrestit, tetorin e kaluar ai u dënua me 20 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë. Kështu, 38-vjeçari u dërgua në Prokurorinë e Apelit të Kretës, e cila po nis procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, e cila ishte në kërkim të tij.