Plot 25 vite burgim është dënimi i formës së prerë nga Gjykata e Apelit për Arsen Stojkun, njërin nga personat e arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali. Arsen Stojku akuzohet se ka pasur rol në vrasjen e babait dhe xhaxhait të Astmer Bilalit. Fillimisht gjykata e Shkodrës e kishte dënuar Stojkun me 6 vite heqje lirie për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”. Ndërsa prokuroria në pretencën e saj kishte kërkuar dënimin e tij me 35 vite burgim për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të dy personave. Arsen Stojku është personi i vetëm që ndodhet në burg për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali. Arsen Stojku 29 u arrestua me 25 Prill të 2019-ës në lidhje me vrasjen e dy vëllezërve Bilali në Shkodër ngjarje kjo e ndodhur me 30 mars të 2019-ës. Dy të arrestuarit akuzohen për “Vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Brahim dhe Astrit Bilali janë vrarë me 21 plumba, brenda në banesën e tyre në Shkodër. Arsen Stojku, është i afërm i familjes Lici. Ndërkohë mësohet se një vit më parë, për akuzën e “Përkrahjes së autorëve të krimit”, gjykata e Shkodrës shpalli fajtor dhe dënoi me 4 vjet e 6 muaj burgim Myslim Ramën. Rama ka dalë nga burgu dhe tashmë është larguar nga Shqipëria. Ndërsa për të njëjtën ngjarje gjykata e Shkodrës shpalli të pafajshëm mikun e Myslim Ramës, Denis Brahimin. Mes personave të dyshuar nga policia, lidhur me vrasjen e dy vëllezërve Bilali, ishte dhe Ibrahim Lici, por akuzat dhe dyshimet kundër tij nuk u provuan gjatë fazës së hetimit.
SPAK heton disa vrasje në Belgjikë
Ndërkohë vrasja e Arjan Spahisë, në Molenbek të Belgjikës në vitin 2020, duket se ka një spiun brenda radhëve të grupit që drejtohej nga vetë Spahia dhe Erjon Alibej në Elbasan. Ky person ka treguar vendndodhjen e “Arjanit të Vogël” tek grupi kundërshtar i vëllezërve Çopja, duke sjellë eliminimin e tij në 20 nëntor 2020, me 8 plumba. Prokuroria e posaçme SPAK, i është drejtuar me një letërporosi autoriteteve belge, për identifikimin e një personi me emrin “Fati Koçi”, i cili besohet shumë se është njeriu që ka shitur tek vëllezërit Çopja, Arjan Spahinë. Emri i “Fati Koçit” ka dalë nga dëshmia e bashkëpunëtorit të prokurorisë SPAK, i cili ka treguar se “Fati” është djali i tezes së Eljo Bitrit, një personazhi tjetër të arrestuar në Belgjikë për llogari të dosjes “Dumani”. Sipas rrëfimit të Nuredin Dumanit, “Fati” ndodhet në burg në Belgjikë dhe i përket moshës 45 vjeç, i gjatë diku tek 175 cm dhe është i shëndoshë dhe qeros. “…me sa di, Fati e ka shitur Arjan Spahinë tek Çopjat…”, ka treguar para prokurorëve Nuredin Dumani. Prezencën mbi aktivitetin kriminal të “Fati Koçit” në grupin e Arjan Spahisë, Dumani e nxjerr edhe në ngjarjen kriminale të vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë.
Sipas të penduarit të prokurorisë, Arjan Spahiu, i ka dhënë paradhënie 50 mijë euro me qëllim vrasjen e Dorjan Shkozës. Ndërsa pas kryerjes së krimit, 50 mijë euro të tjera Spahiu, ja ka dërguar përmes kushëririt të Eljo Bitrit, i quajtur “Fati Koçi”. Më tej Dumani ka treguar se, sapo kanë bërë eliminimin e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, ai i ka dërguar me telefon Arjan Spahiut një simbol që nënkuptonte “VRASJE”. Për shkak të kësaj dëshmie, SPAK i është drejtuar pak kohë më parë me një letërporosi Drejtësisë Belge, për të identifikuar personin me emrin “Fati Koçi”, që sipas Dumanit ndodhet në burg. Hetimet aktualisht janë duke u zhvilluar në Shqipëri, ku shumë persona po verifikuar nga SPAK. Ndërsa disa prej të cilëve janë marrë të pandehur dhe dërguar në gjykatë.
Shpërndante heroinë, arrestohet 37-vjeçari në Gjirokastër
Nga ana tjetër, një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, personi i identifikuar si Arbër Maliqi shpërndante heroinë dhe kanabis në Gjirokastër. Gjatë kontrollit i janë sekuestruar 73 doza heroine, kanabisi së bashku me një shumë parash të përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe një aparat celular. “Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Katrori”. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 37 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur 73 doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe disa doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një shumë parash të përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe një aparat celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, njoftoi dje policia.