Prokuroria e Tiranës paraditen e djeshme ka dhënë pretencën për 31-vjeçarin Klajdi Shundi. 30 vite burg ka kërkuar prokuroria për 31-vjeçarin, i cili akuzohet se në datën 1 janar të vitit 2021 vrau kunatin e tij V.Z. 42 vjeç, me thikë. Gjatë daljeve të tij përpara grupit hetimor, autori i dyshuar është shprehur se ka pasur marrëdhënie të mira me viktimën dhe nuk mban mend asgjë nga vrasja e kunatit të tij. Vrasje e ndodhur në orët e para të vitit 2021, në lagjen “5 Maji” në Tiranë. Klajdi Shundi u arrestua ditën që ndodhi ngjarja dhe pas arrestimit gjykata e la në burg. Para grupit hetimor 31-vjeçari është shfaqur gjithmonë i penduar dhe ka mohuar të ketë pasur konflikte me kuantin e tij, 42-vjeçarin V.Z.
Ngjarja e 1 viti më parë
Një vit më parë, kryeqyteti u përgjak që në ditën e parë të vitit. Në orët e para të 1 janarit 2021 Klajdi Shundi vrau me thikë burrin e motrës së tij, 42-vjeçarin V.Z. Klajdi Shundi së bashku me motrën e tij, 2 mbesat dhe viktimën V.Z. ishin mbledhur për të festuar ndërrimin e viteve. Gjatë darkës së 31 dhjetorit, mes motrës së Shundit dhe burrit të saj kanë nisur konflikte. Rreth orës 3 të mëngjesit të 1 janarit, motra dhe kunati i Shundit janë larguar nga banesa e këtij të fundit dhe kanë nisur sërish konfliktin. Njëra nga vajzat e çiftit telefonoi 31-vjeçarin duke i thënë se prindërit po konfliktoheshin. Në këtë moment, Shundi ka dalë te shkallët e pallatit dhe në dorë mbante një thikë. Me atë thikë ai ka goditur në zonën e qafës kunatin e tij V.Z., të cilit i ka shkaktuar plagë të rënda. Fillimisht V.Z. u transportua në spital dhe më pas ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Klajdi Shundi u arrestua që ditën që ndodhi vrasja. Pas arrestimit, policia nuk mundi të merrte menjëherë dëshminë e autorit të dyshuar, pasi Shundi ishte ende nën efektin e alkoolit. “Plagosi me thikë me pasojë vdekjen kunatin e tij, vihet në pranga nga shërbimet e Policisë autori i dyshuar i ngjarjes. Rreth orës 03:45 të mëngjesit të sotëm, në rrugën “5 Maji” pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta shtetasi K. Sh., 34 vjeç, në gjendje të dehur ka goditur me thikë në qafë kunatin e tij shtetasin V.Z., 42 vjeç, i cili si pasojë e plagës së marrë ka ndërruar jetë në spital”, njoftoi policia ditën e ngjarjes. Klajdi Shundi ishte kthyer nga Italia në Shqipëri pak kohë përpara se të kryente vrasjen. Në dëshminë e tij para grupit hetimore, 31-vjeçari ka deklaruar se si ai dhe viktima kanë qenë të dehur. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se si viktima ashtu dhe autori i dyshuar, përpara ngjarjes kishin konsumuar sasi të mëdha alkooli. Gjë e cila u pohua dhe nga 31-vjeçari Shundi. “Jam i penduar nga ajo se çfarë ka ndodhur. Por unë nuk mbaj mend asgjë. Kemi pirë alkool atë natë, por nuk e di si e qëllova dhe pse nuk më kujtohet”, ka dëshmuar Shundi.