Është zbardhur kërkesa e SHISH për rritjen e buxhetit për vitin 2016. Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e Komisionit të Sigurisë kanë njoftuar se SHISH ka kërkuar fonde shtesë për të përmirësuar teknologjinë e përgjimit.
Kjo ishte një nga kërkesat që nëndrejtori i këtij institucioni, Ylli Allushi, bëri vetëm pak ditë më parë, ndërsa diskutohej buxheti për vitin që vjen.
Burimet pohojnë gjithashtu se ai kërkoi fonde shtesë edhe për shpenzime operative dhe shtimin e punonjësve, kërkesa këto që nuk u miratuan nga komisionet parlamentare të cilët ranë dakord vetëm për një shtesë fondi prej 9 milionë lekësh.
Mësohet se Alushi ka kërkuar rreth 200 milionë lekë shtesë për investime në aparatura dhe pajisje, duke e argumentuar me nevojën për t’iu përshtatur zhvillimit të teknologjisë përsa i përket përgjimeve, që do ta bënte më efektive punën e Shërbimit dhe do të rriste aftësinë zbuluese.