Fatura e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm do të jetë më e kripur se ajo e 2021-shit, për shkak se votimi elektronik do të shtrihet në 1850 qendra votimi të 8 bashkive kryesore të vendit. Sipas Dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Financave KQZ ka kërkuar 4.6 miliardë lekë buxhet shtesë për organizimin e zgjedhjeve, ndërkohë fondi i caktuar nga buxheti është 2 miliardë lekë.
Teksa partitë politike kanë ndezur motorët në pritje të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, edhe Ministria e Financave ka bërë planifikimin e fondeve që do të shpenzohen për këtë proces. Janë afro 20 milionë euro (2 miliardë lekë) që do t’i vihen në dispozicion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve, si pjesë e fondit rezervë të buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm.
Këto fonde sipas dokumenteve të Ministrisë së Financave do të sigurojnë edhe implementimin e votimit elektronik, numërimit elektronik dhe të sistemit elektronik të identifikimit të votuesve në zgjedhjet e 2025, i planifikuar në 8 bashki ose 1850 QV.
Teksa ende nuk ka nisur hartimi për projektbuxhetin e vitit 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë kërkesë pranë Ministrisë së Financave për një fond ekstra për zgjedhjet e 20025-s në total afro 4.6 miliardë lekë për teknologjinë në proces, për shtimin e pajisjeve për votim-numërim-identifikim elektronik, si dhe për shpërblimin e anëtareve të KZAZ, KQV, GNV dhe trajnuesve te tyre, si dhe për punonjësit e përkohshëm për zgjedhjet qendrore të vitit 2025. Kjo kërkesë e KQZ do të shqyrtohet nga Financat për tu bërë pjesë ose jo e ndarjes së buxhetit për vitin 2025