Orë ankthi mes flakëve, tymit e rrezikut për jetën përjetuan dje me dhjetëra qytetarë të Lushnjës. Rreth 42 persona u asfiksuan në shtëpitë e tyre për shkak të flakëve që përfshinë qendrën tregtare METROPOL, të ndërtuar në katet e poshtme mes dy pallatesh 12- katësh në Lushnje. Operacioni i evakuim shpëtimit ka përfunduar pas 5 orësh, por paniku ishte prezent në disa momente gjatë ditës së djeshme me riaktivizimin e flakëve në godinën e qendrës në Lushnjë. Kësaj here zjarri ka përfshirë tarracën e qendrës tregtare ku ndodhet dhe një lokal veror, ku janë djegur pjesa e dyshemesë dhe disa pemë. Flakët fillimisht nisën rreth orës 14:40 minuta dhe fillimisht u përhapën në katin e dytë dhe të tretë të qendrës. Më pas u përhapën edhe në katin e katërt. Është dashur ndërhyrja e forcave RENEA për të bërë të mundur evakuimin e banorëve në apartamente, jeta e të cilëve u rrezikohej nga tymi i madh. Operacioni i evakuim shpëtimit përfundoi rreth orës 18:30. Raportohet se 42 persona që janë dërguar në spital, mes tyre 3 fëmijë dhe tetë zjarrfikës pjesë e ekipit të shpëtimit. Në një prononcim për mediat, shefi i zjarrfikësve në Tiranë Shkëlqim Goxhaj theksoi se situata më problematike ishte si pasojë e tymit. Forca speciale dhe zjarrfikëset kontrolluan dje derë më derë për evakuimin e banorëve për të cilët kishte një apel: “Mos hapni dyert e banesave dhe vendosni rroba të lagura në mënyrë që të mos hyjë tymi. Ata që mund të dalin në tarracë të dalin e të presin”.
Ministri Balla flet nga vendngjarja
Ndërkohë ministri i Brendshëm, Taulant Balla teksa ndodhej në vendngjarje theksoi se rreziku nuk ka kaluar ende, pasi ende ka vatra të vogla zjarri në godinë. ““Falë ndërhyrjes dhe koordinimit të mirë mes forcave zjarrfikëse, Shqiponja dhe RENEA të cilat për shkak të profesionalizmit arritën të ndërhyjnë në kohë në banesa për të cilat u informuam që nuk ka banorë por pas hyrjes me forcë djemtë e RENEA-s gjetën njerëz në këto banesa. Ato tani janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në spitalin e Lushnjës. Rreziku nuk ka përfunduar sepse në momentin që flasim ka ende disa vatra më të vogla të ndërtesës. Problem mbetet temperatura e godinës ku po punohet është shumë e lartë për shkak të zjarrit që ka qene në katin e tretë”, deklaroi Balla ndër të tjera. Nga pamjet e publikuara disa nga qytetarët janë përpjekur të dalin nga dritaret dhe nga ballkonët, ndërsa për evakuimin e tyre kanë asistuar edhe forcat zjarrfikëse. Në ndihmë të tyre është dërguar edhe një vinç që do të bëjë të mundur nxjerrjen e qytetarëve nga banesa, pasi zjarrfikësja nuk kishte autoshkallë.
Reagon policia
Sakaq, policia reagoi dje sa i takon kësaj ngjarje, teksa bëri me dije se ka përfunduar pas pesë orësh operacioni i evakuimit të qytetarëve në qendrën tregtare në Lushnjë që u përfshi nga flakët këtë pasdite, ndërsa zjarri u përhap edhe në apartamentet sipër. “Përfundoi operacioni i evakuim shpëtimit në qendrën tregtare në Lushnjë. Në operacion për evakuimin e qytetarëve morën pjesë Forcat RENEA, Forcat e Sigurisë Kombëtare, Njësitë Shqiponja, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe zjarrfikësit. Në vendngjarje ishin Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm Sokol Bizhga, Drejtori Vendor i Policisë Fier Lorenc Panganika, Drejtues të tjerë të DVP Fier dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Janë evakuuar dhe dërguar në spital për ndihmë mjekësore rreth 39 qytetarë dhe 3 punonjës të zjarrfikëses, jashtë rrezikut për jetën. Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, njoftoi dje policia.
Flasin banorët
Nga ana tjetër, plot 42 banorë të asfiksuar nga tymi përfunduan në spital, pasi për orë të tëra mbetën të izoluar në katet e sipërme të apartamenteve që ndodheshin mbi qendrën tregtare “Metropol”, e cila u përfshi nga zjarri masiv. Një prej banorëve të pallatit 12-katësh që u përfshi në flakë tregon se si u evakua. “Isha në kat të gjashtë. Nga poshtë lart erdhi zjarri. Pronari i pallatit erdhi dhe na ndihmoi. Tymi na e bëri të vështirë për të dalë. Isha unë nusja ime… 4 veta”, tha një banor i pallatit. Ndërsa një e moshuar rrëfen se në momentin që gjithçka ishte e mbuluar nga tymi mbylli dyer e dritare derisa u shpëtua nga një zjarrfikës. “Tymi nuk mbaronte nga jashtë mbyllëm dyer e dritare. Këto na merrnin që telefon dhe qanin kurse unë u thashë s’kam gjë, jam mirë. Pastaj erdhi një polic, një vullnetar dhe na shpëtuan jetën, rrofshin. Unë isha në banesë me një komshie sepse jetoj vetëm”, shtoi e moshuara.
Kreu i Urgjencës Kombëtare zbulon detaje
Ndërkaq, edhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj teksa ndodhej në vendngjarje, ka bërë me dije se 42 persona janë dërguar në spital të asfiksuar nga zjarri i rënë në ndërtesën e qendrës tregtare Metropol në Lushnje që u përhap më pas në apartamentet që ndodheshin në të njëjtën ndërtesë. Siç nënvizoi ai mes tyre 8 persona janë personel zjarrfikës, kurse tre janë fëmijë një 7 vjeç dhe 2 nga 14 vjeç. “Nga 42 persona, 8 personel zjarrfikës dhe tre fëmijë. Dy fëmijë e kanë lënë spitalin, një është në observim. Nuk ka kode të rënda të kuqe, nuk rrezikon njeri jetën. Ka thjesht intoksikime nga tymi. Nuk ka djegie. Janë krehur 3 godina, për të parë nëse ka ende banorë. Shërbimet e urgjencës janë këtu. Nuk besoj se do ketë pasoja për pacientët në spital. Dy fëmijë ishin 14 vjeç, njëri 7 vjeç. Nuk ka kode të vështira. Janë kontrolluar 3 godinat, po hapet çdo derë për të parë nëse ka persona të tjerë të bllokuar. Por deri tani nuk rezulton asnjë person i bllokuar si në qendrën tregtare si në godinat përreth”, deklaroi dje Brataj.