Kanë vijuar sot ankesat për intervistën e kontestuar të presidentit francez Emmanuel Macron një ditë më parë, ku mes të tjerave ka përshkruar Bosnjën dhe Hercegovinën si një “bombë me sahat” dhe shqetësim i madh për Evropën prej problemit të kthimit të xhihadistëve në Ballkan.
“Nëse jeni i shqetësuar, çështja e parë nuk është as Maqedonia, as Shqipëria, është Bosnje-Hercegovina. Bombë me sahat që po rreh menjëherë pranë (anëtares së BE) Kroacisë, dhe e cila përballet me problemin e kthimit të xhihadistëve”, ka thënë Macron, duke iu referuar luftëtarëve të arratisur ose të liruar nga grupi i armatosur i Shtetit Islamik të Irakut të cilët mund të kthehen në Evropë.
Anëtari kroat i presidencës së Bosnjës, Zeljko Komisic, tha se ai do të thërriste ambasadorin e Francës në Sarajevë për një shpjegim të komenteve që Macron bëri në një intervistë me revistën The Economist, botuar të enjten.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme franceze nuk kishte asnjë përgjigje të menjëhershme ndaj reagimit në Bosnjë.
Gjithashtu një zëdhënës për bashkësinë islamike të Bosnjës, Muhamed Jusic, i përshkroi komentet e Macron si “skandaloze” dhe tha se presidenti francez po shpifte për të justifikuar parandalimin e vendeve të Ballkanit me “popullsi të konsiderueshme myslimane” nga përmbushja e aspiratave të tyre për anëtarësim në BE.
“Rreth 300 qytetarë boshnjakë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, shkuan në fushat e betejave në Siri dhe Irak në krahasim me mbi 1.900 francezë”, ka thënë Jusic, duke shtuar se Franca ka dyfishin e luftëtarëve të huaj se çdo vend tjetër të Evropës Perëndimore.
“Këto ditë, Franca pret kthimin e 450 xhihadistëve… Unë nuk e shoh se si ky është një problem më i madh në Bosnje sesa në Francë”, ka shtuar ai.