BE ndërkohë bëri të ditur, se ndihma humanitare për Gazën do të rritet në 68 milionë euro. Këto fonde të reja me preferencë do t’u jepen organizateve të tjera ndërkombëtare si Kryqi i Kuq apo Gjysmëhëna e Kuqe. Shuma e përgjithshme e ndihmave humanitare të BE për palestinezët, e cila mund të përdoret nga organizatat ndërkombëtare arrin në 250 milionë euro.
Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, e arsyetoi rritjen e ndihmës duke theksuar se “ne mbështesim popullin palestinez dhe kudo në rajon. Palestinezë të pafajshëm nuk duhet të paguajnë për krimet e Hamasit. Ata janë të ekspozuar ndaj kushteve të tmerrshme, kërcënuese për jetën, sepse nuk ka qasje të mjaftueshme tek ushqimi dhe mjetet kryesore për jetën.”
Nuk ka qëndrim të njësuar në BE për konfliktin
Vlerësimi i situatës në Rripin e Gazës nuk është i njëjtë mes 27 vendeve anëtare. Gjermania dëshiron të sigurojë ndihmën humanitare për palestinezët, por është e rezervuar me kritikën ndaj Izraelit. Operacioni ushtarak kundër organizatës terroriste të Hamasit është i drejtë dhe i nevojshëm thuhet nga Berlini zyrtar. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock bëri të ditur të enjten rritjen e ndihmës humanitare për palestinezët. Ajo kërkon si OKB një “ndalim humanitare të luftimeve” për përmirësimin e gjendjes humanitare dhe furnizimeve në Gaza.
Vende të tjera anëtare të BE, si Spanja dhe Irlanda e kritikojnë Izraelin dhe kanë kërkuar me shkrim tek Komisioni Europian që të pezullohet përkohësisht partneriteti i BE me Izraelin. Kjo kërkesë po shqyrtohet nga Komisioni, tha zëdhënësi i Komisionit Europian në Bruksel, Eric Mamer.
Në lidhje me viktimat e shumta pas mbërritjes së kamionëve me ndihma në Rripin e Gazës, Komisioni Europian nuk donte të pozicionohej qartë. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen kërkoi një hetim ndërkombëtar të pavarur të rastit tragjik. “Ne nuk mund të vlerësojmë se çfarë ka ndodhur. Ne nuk i japim fajin dikujt. Në fillim duhet të gjejmë se çfarë ka ndodhur”, tha zëdhënësi i saj. Hamasi fajëson Izraelin, se ka qëlluar me qëllim tek masa e njerëzve. Izraeli i lidh rastet e vdekjeve me panikun masiv që shpërtheu pas shkarkimit të mallrave apo bastisjes së mundshme të kamionëve me ndihma./DW