Ky është takimi i katërt i Dodikut me Putinin prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës dhe biseda e tyre e dhjetë prej vitit 2014.
Dodiku dhe Putini u takuan për herë të fundit në maj 2023, kur Dodiku tha se “Republika Sërpska mbetet proruse, antiperëndimore dhe antiamerikane”.
Zyra e përfaqësuesit të lartë në Bosnjë e Hercegovinë, me rastin e takimit të Dodikut me Putinin, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se “Bosnjë e Hercegovina ka marrë përsipër t’i ndjekë udhëzimet e sigurisë dhe politikës së jashtme të BE-së”, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
“Kjo përjashton bashkëpunimin me vendet që janë nën sanksione, si dhe takimet personale me krerët e atyre vendeve”, tha kjo zyrë.
Dodik është një prej zyrtarëve të pakët që është takuar me zyrtarët rusë dhe bjellorusë që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës.
Ai arriti në Kazan, kryeqytetin e Tatarstanit, pasi për dy ditë qëndroi në vizitë në Bjellorusi, ku më 19 shkurt u takua me liderin autoritar, Alyaksandr Lukashenka, i cili është nën sanksione nga BE-ja që nga viti 2020, për shkak të parregullsive në zgjedhjet presidenciale të atij viti, që ai pretendoi se i ka fituar.
Në kryeqytetin e Tatarstanit zhvillohet një turne i teknologjisë së lartë dhe i shumë sporte të ndryshme në nivel ndërkombëtar, i quajtur “Lojërat e së ardhmes”, i cili mbledh rreth dy mijë pjesëmarrës.
Megjithatë, retorika proruse dhe afërsia me liderët rusë nuk tregojnë ndonjë përfitim konkret për Republikën Sërpska. Investimet nga 27 vendet anëtare të BE-së përbëjnë 64 për qind të totalit të investimeve të huaja në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa investimet ruse arrijnë në më pak se katër për qind.
Në Republikën Sërpska, Rusia është e pesta në listën e investitorëve, pas fqinjëve Serbisë, Italisë, Austrisë dhe Britanisë së Madhe.
Disa projekte të mëdha, të cilat qeveria e Republikës Sërpska i nisi në këtë entitet me kompanitë dhe oligarkët rusë, çuan në humbje shumëmilionëshe.
Ndër to janë rivitalizimi i pasuksesshëm i fabrikës së aluminit Biraç në Zvornik, me kompaninë e oligarkut rus Vladimir Romanov, ndërtimi i dështuar i termocentralit Ugljevik dhe hidrocentralit “Mrsovo” në lumin Lim, në komunën e Rudos, si dhe shitjen e industrisë së naftës tek kompania shtetërore ruse Zarubrezhneft.
Baza më e fortë e Rusisë në Bosnjë e Hercegovinë është në industrinë e naftës, konkretisht në Optima Group, kompania më e madhe e naftës në Bosnjë e Hercegovinë, në pronësi të Zarubezhneft, një kompani shtetërore ruse e ngarkuar me operacionet e naftës jashtë vendit. /REL