Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Egjiptit, Adly Mansour është betuar të enjten si lideri i përkohshëm i vendit, disa orë pasi ushtria rrëzoi nga pushteti presidentin Mohammed Morsi dhe e dërgoi atë në arrest shtëpie. Në betimin e tij, Adly Mansour ka deklaruar se është krenar që do të shërbejë si lider i përkohshëm dhe ka vlerësuar rolin e luajtur nga protestuesit dhe ushtria. Presidenti i rrëzuar Morsi ndodhet nën arrest shtëpiak, siç janë edhe shumica e ekipit presidencial, u raportua më herët nga një mesazh në Twitter i zëdhënësit të Vllazërisë Muslimane, Gehad El-Haddad. “Morsi është arrestuar nga garda presidenciale në selinë e tyre dhe po mbahet larg çdo kontakti me botën”, shprehet El-Haddad për CNN. “Ata kanë ndërprerë çdo akses të mundshëm të tij me të tjerët, të gjitha telefonatat e tij. Asnjë nuk mund ta takojë atë”, konfirmoi zëdhënësi. Ushtria e Egjiptit raportohet se po përpiqet të mbledhë masivisht anëtarët e Vëllazërisë Muslimane, lëvizjes islamike që ndihmoi Morsi-n të vinte në pushtet 1 vit më parë. El-Haddad konfirmoi vetëm arrestimet e kreut të partisë Liri dhe Drejtësi dhe zëvendësit të tij, por pranoi se numri i “të përndjekurve” është shumë i madh. Urdhër arreste janë lëshuar për 300 anëtarët e Vëllazërisë Muslimane, teksa një operacion për arrestimin e tyre nisi të zhvillohej që në orët e para pas rënies së Morsi-t nga pushteti, bëri të ditur Al-Ahram gjatë orëve të para të së enjtes, duke cituar burime të forcave të sigurisë, por të paidentifikuar. Forcat e sigurisë egjiptiane kanë arrestuar gjithashtu liderin e partisë politike të Vëllazërisë Muslimane, Saad el-Katatni, si dhe zëvendësin e tij, Radhad Al-Bayoumi, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve në Egjipt, MENA, gjatë orëve të vona të së mërkurës, sërish bazuar në burime ushtarake. “Al Jazeera” ka ofruar detaje të mëtejshme në lidhje me sulmin e raportuar ndaj stacionit të tyre në Egjipt. Sipas tyre, shërbimi i tyre direkt mbi ngjarjet në Egjipt u ndërpre gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë. “Forcat e sigurisë hynë furishëm në ndërtesë dhe arrestuan prezantuesin, të ftuarit dhe producentët”, thuhej në një deklaratë të “Al Jazeera”-s përmes uebsajtit të tyre. Më herët, CNN raportoi nga Kajro se të paktën 3 stacione televizive pro-Vëllazërisë Muslimane në Egjipt kishin ndërprerë aktivitetin dhe ishin mbyllur. Ndërkaq, në orët e para të mesnatës në Kajro, turmat pro-Morsi dhe anti-Morsi vazhdonin të endeshin rrugëve. Të paktën 8 persona janë vrarë dhe 343 të tjerë janë plagosur në përleshjet anembanë Egjiptit gjatë së mërkurës, ditën kur ushtria egjiptiane bëri të ditur rrëzimin e Mohamed Morsi-t nga posti i presidentit.
Pas xhumasë, protestë pro-Morsi
Koalicioni islamist në Egjipt, të cilin e drejton Vëllazëria Myslimane i ka bërë dje thirrje qytetarëve që të dalin në demonstrata gjithëpopullore në atë që quajtën si të “Premten e Përjashtimeve” kundër grushtit të shtetit i cili përmbysi presidentin Mohamed Morsi. Këshilli Kombëtar në Mbështetje të Legjitimitetit e thirr gjithë popullin e Egjiptit që të dalë në rrugë dhe të mobilizohet paqësisht pas faljes së xhumasë dhe t’i thotë jo paraburgimeve ushtarake, t’i thotë jo grusht shtetit ushtarak. Apeli është bërë të enjten në një konferencë për medie, në një xhami në periferi të Kajros ku mbështetësit e Morsi kanë vendosur shtabin e tyre që nga java e kaluar. Trupat ushtarake kanë rrethuar këtë xhami që nga e mërkura, kur Mursi është rrëzuar nga pushteti, por nuk kanë intervenuar për të larguar protestuesit apo simpatizantët e tij.