Miliona rusëve iu kërkua të nxitonin drejt strehimoreve për shkak të një sulmi të mundshëm me raketa. Ky nuk ishte një paralajmërim i rregullt, por ndodhi pasi stacionet e radius ranë pre e një sulmi nga hakerat.
Sipas mediave të huaja mesazhi i urgjencës erdhi në shumë stacione të Rusisë. Duke ndërprerë programet me një sirenë, në paralajmërimin e rremë u artikuluan këto fjalë
“Po shpallet një alarm ajror. Të gjithë, shkoni menjëherë në strehimore. Vëmendje! Vëmendje! Ekziston një kërcënim për një sulm me raketa”.
Ndër qytetet e prekura ishin Belgorod, Stary Oskol, Ufa, Kazan, Novouralsk, Novosibirsk, Pyatigorsk, Tyumen, Voronezh, Nizhny Novgorod dhe Magnitogorsk si dhe një numër vendesh në rajonin e Moskës.
Një pjesë e zyrtarëve lokalë fajësuan Ukrainën për këtë “sulm hakerësh”, por është e paqartë se nga erdhi ai. Ministria ruse e emergjencave më pas konfirmoi se ky informacion është i rremë dhe nuk korrespondon me realitetin.
“Një sulm hakerësh në serverët e disa stacioneve të radiove komerciale në disa rajone të vendit rezultoi në transmetimin e informacionit në lidhje me një alarm të supozuar për sulm ajror dhe kërcënimin e një sulmi raketor. Ministria ruse e emergjencave raporton se ky informacion është i rremë dhe nuk korrespondon me realitetin”.