Izraeli po përgatitet për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani, por Irani nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për sulmin, sipas një raporti të ditës së djeshme. Duke cituar një burim, gazeta amerikane Wall Street Journal pretendon se pas sulmit të Izraelit në ndërtesën e konsullatës në kompleksin e ambasadës iraniane në Damask, hakmarrja e mundshme e Teheranit pritet të drejtohet drejtpërdrejt ndaj Izraelit. Tel Avivi po përgatitet që Irani të nisë një sulm të drejtpërdrejtë në Izraelin jugor ose verior, tha burimi. Një burim tjetër, i informuar nga udhëheqja iraniane, tha se ndërsa diskutimet mbi planet e sulmit janë duke vazhduar, nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar. Irani ka të ngjarë të nisë një sulm hakmarrës brenda Izraelit në ditët e ardhshme, sipas një vlerësimi të bazuar në raportet e inteligjencës nga një zyrtar amerikan, raportoi ai. Uashingtoni thotë se është i gatshëm të ndërhyjë jo vetëm për të mbrojtur Tel Avivin, por edhe për të marrë pjesë në një kundërsulm të mundshëm nga shteti hebre kundër Teheranit. Dhe ndërsa Ayatollah Ali Khamenei konfirmon se “Izraeli do të dënohet”, ngelet mister se çfarë lloj reagimi ka planifikuar regjimi iranian.
Skenaret
“Jerusalem Post” ka listuar opsionet ushtarake që po shqyrtohen nga krerët e Republikës Islamike. Bëhet fjalë për rreth dhjetë skenarë të cilët konsiderohen shumë të mundshëm. Lista e hartuar nga gazeta hapet me lëshimin e mundshëm nga Teherani të raketave balistike kundër territorit izraelit. Irani iu drejtua kësaj zgjidhjeje në janar 2020 duke goditur një bazë amerikane në Irak si hakmarrje për sulmin amerikan që kishte neutralizuar Qasem Soleimani, gjeneralin legjendar të Pasdaran, në aeroportin e Bagdadit. Lëshimi i raketave balistike mund të bëhet nga Irani ose nga Iraku fqinj, ku në vitet e fundit regjimi teokratik ka transferuar armatime të ndryshme, duke shtrirë ndikimin e tij në Anbar, provincën irakiane nga e cila në vitin 1991 diktatori Sadam Husein nisi Scuds kundër Izraelit. Irani demonstroi aftësitë e tij ushtarake në fillim të vitit kur, me pretekstin e shënjestrimin e terroristëve në Siri dhe Pakistan, i tregoi botës raketat e tij.
“Punët e pista”
Republika Islamike gjithashtu mund të miratojë një sulm me 100 dronë dhe raketa lundrimi. Edhe këtu ka një precedent. Të paktën 18 mjete ajrore pa pilot dhe 7 raketa u lëshuan në vitin 2019 nga Irani kundër objektit të naftës Saudite Abqaiq. Një veprim që nuk shkaktoi viktima, por pati një ndikim të fortë simbolik në kontekstin e rivalitetit prej dekadash mes dy fuqive rajonale. Veprimeve të drejtpërdrejta të Teheranit duhet t’i shtojmë ato që mund të kryheshin nga përfaqësuesit e tij , organizatat e mbështetura nga iranianët në Siri, Jemen, Liban dhe Irak. Janarin e kaluar, grupet irakiane pro-shiite kryen një operacion kundër një baze amerikane në Jordani që rezultoi në vdekjen e tre ushtarëve amerikanë. Edhe një herë regjimi teokratik mund t’ua besojë “punën e pistë” mbështetësve të tij në Lindjen e Mesme për të shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe për të zvogëluar rrezikun e një kundërreagimi dërrmues izraelit.
Presioni ndaj Tel Avivit
Në këtë drejtim, nuk mund të përjashtohet që Pasdaran të mos përgatiti një sulm të koordinuar ndaj përfaqësuesve gjatë takimeve të mbajtura në të ashtuquajturin bunker të Ditës së Gjykimit. Hezbollahu në Liban dhe Huthi në Jemen do të ishin gati të rrisin presionin mbi Tel Aviv duke përdorur strategjinë e “mijë shkurtimeve” kundër armikut të tyre historik. Në veçanti, shpërthimi i një lufte në kufirin verior të shtetit hebre do të lidhej me konfliktin në Rripin e Gazës dhe përshkallëzimin e tensionit me iranianët, duke vënë në provë forcat ushtarake izraelite. Së fundi, duhet shtuar se Teherani raportohet se po shqyrton sulmet kundër ambasadave dhe objektivave izraelite jashtë vendit. Sipas inteligjencës perëndimore, regjimi i Ajatollah do të zbulojë kartat e tij në orët e ardhshme dhe pastaj Izraeli do të përcaktojë strategjinë e tij. Është e pamundur të parashikohet se çfarë do të ndodhë më pas.