Fermerët polakë që ndezën një seri zjarresh para zyrës së kryeministrit Donald Tusk sot gjatë një proteste në Varshavë, u përleshën me policinë dhe dhjetëra persona u arrestuan.
Siç raporton AP, protesta e sotme e fermerëve ishte më e dhunshme pasi demonstruesit hodhën gurë ndaj policisë dhe tentuan të thyejnë barrierat rreth parlamentit, ku u plagosën disa policë.
Policia njoftoi se dhjetë persona u arrestuan dhe se demonstruesit u penguan të arrinin në parlamentin polak.
Policia deklaroi në rrjetin social X se anëtarët e saj nuk janë “palë në mosmarrëveshje” dhe paralajmëroi se sjelljet që kërcënojnë sigurinë e tyre “nuk mund të merren lehtë dhe kërkojnë një përgjigje të vendosur”.
Siç raporton agjencia kombëtare PAP, protestuesit filluan të mblidhen para zyrës së Donald Tusk në orën 11:00 në shenjë proteste kundër importit të produkteve bujqësore nga Ukraina, që sipas tyre minon biznesin e tyre dhe dëmton tregun vendas.