Politikani rus i opozitës Alexei Navalny , i cili po vuan dënimin me burg në një koloni në rajonin e Vladimirit, u ka bërë thirrje rusëve të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe të votojnë kundër Vladimir Putin.
Mesazhi u shfaq në llogaritë e tij në rrjetet sociale.
“Njerëzit të mendojnë se kush është në pushtet dhe pse është aty. Detyra kryesore e opozitës ruse, detyra e të gjithë qytetarëve të ndershëm është t’u përgjigjen këtyre dyshimeve me të gjitha forcat. Te flasësh për të shpjeguar se 71-vjeçari Putin, i cili ka 24 vjet në pushtet, nuk duhet të qëndrojë për 6 vjet të tjera. Kjo do të dëmtojë Rusinë. Ai duhet të largohet”, shkruhet në blogun e politikanit të opozitës.
Ekipi i Navalny njoftoi gjithashtu se postera gjigantë që lexonin “Rusi, Gëzuar Vitin e Ri” ishin vendosur në disa qytete ruse dhe mbanin kode QR që lidhen me faqen e internetit të nismës “Rusia pa Putin”.
Drejtoria e Moskës për Masmedian dhe Reklamimin i ka ndaluar shpërndarësit e reklamave në natyrë të vendosin tabela me kode QR. Kështu bën të ditur grupi mediatik RBC, i cili ka në dispozicion dokumentin përkatës dërguar kompanive reklamuese.
Dokumenti thotë se një kod QR çon në burime online, të cilat përmbajnë “përmbajtje të ndryshme që mund të ndryshojnë me përdorimin”. Autoritetet e Moskës kanë frikë se në këtë mënyrë kodet QR mund të përmbajnë informacione që shkelin ligjin “Për Reklamimin”.
Së bashku me këtë fushatë reklamuese, ekipi i Navalny-t lançoi uebsajtin “Rusia pa Putin”, ku renditen mënyrat e mundshme të drejtimit të politikës anti-Putin.
Bashkëpunëtorët e Navalny thonë se “çdo qytetar aktiv” në 100 ditët e ardhshme deri në zgjedhje duhet të synojë të bindë të paktën 10 persona “të votojnë kundër Putinit”.
Këshilli i Federatës së Parlamentit rus caktoi më 7 dhjetor datën e zgjedhjeve presidenciale në Rusi, të cilat pritet të mbahen më 17 mars 2024.