Përpjekja për vrasjen e kryeministrit sllovak Robert Fico më 15 maj ka shkaktuar një valë tronditëse në Evropë. Fatkeqësisht, vrasjet politike nuk janë të padëgjuara në këtë pjesë të botës, në të vërtetë, vetë Sllovakia ka ende në kujtesë vrasjen e vitit 2018 të gazetarit investigativ Jan Kuciak, një akt që çoi në rënien e një qeverie të mëparshme të udhëhequr nga Fico. Megjithatë, sulmet e kësaj mënyre ndaj politikanëve janë të rralla, jashtë vendeve post-sovjetike. Nuk ka pasur një sulm ndaj një figure kaq të nivelit të lartë sa Fico në disa dekada. Autori për të shtënat është arrestuar, por mbetet ende herët për të spekuluar për një motiv të mundshëm. Thënë kjo, është praktikisht e sigurt se kjo do të ketë një ndikim masiv në politikën sllovake, madje edhe të Bashkimit Evropian.
Gjendja e Fico-s
Kryeministri sllovak Robert Fico iu nënshtrua një tjetër operacioni të premten, njoftuan zëvendësi i tij Robert Kalinak dhe drejtoresha e spitalit në Banska Bystrica, Miriam Lapunikova , duke shtuar se gjendja e tij është stabile, por ende e rëndë. “Indi nekrotik i mbetur nga plaga me armë zjarri është hequr. Pacienti tani është i vetëdijshëm, i stabilizuar, por ende po trajtohet në Intensiv. Gjendja e tij është vërtet e rëndë”, tha drejtori i spitalit. Lapunikova tha se mjekët kanë vendosur që kryeministri t’i nënshtrohet një operacioni tjetër pas CT-së, që është procedurë standarde. Zëvendëskryeministri Kaliniak, pasi vizitoi kryeministrin e sëmurë, tha se do të duhen disa ditë që mjekët të sigurohen se ai do të shërohet. “Mund të shoh se ka përparim. Është ende shumë serioze, por ka shumë shpresë”, tha ai.
Pasojat e ngjarjes
Ka implikime të brendshme dhe rajonale në vazhdën e këtij sulmi. Për Sllovakinë, ka të ngjarë që tensionet në vend të rriten. Fushatat zgjedhore janë zhvilluar gjithnjë e më shumë në mjedise të ngarkuara që nga hera e parë që Fico erdhi në pushtet në 2006 në një koalicion me dy parti joliberale dhe nacionaliste, Partinë Kombëtare Sllovake dhe Lëvizjen për një Sllovaki Demokratike.Jashtë Sllovakisë, sulmi ka shumë të ngjarë të bëhet një tjetër front në luftën e vazhdueshme të informacionit midis Rusisë nga njëra anë dhe BE-së dhe Ukrainës nga ana tjetër. Ashtu siç ndodh në mes të një ofensive të madhe ruse në lindje të Ukrainës dhe fushatave për zgjedhjet e Parlamentit Evropian, sulmi ndaj Ficos ka potencialin të shtojë një ndjenjë më të madhe paqëndrueshmërie në një mjedis tashmë të diskutueshëm.
Lidhja me Ukrainën
Sakaq, lidhja me Ukrainën del në pah edhe nga profili që i kanë bërë mediat e huaja autorit. “Pro-ukrainas, anti-rom, antikomunist por me të kaluar në milicitë pro-ruse”, ky është shtë portreti i Juraj Cintula. 71 vjeç, ish-roje sigurie, tre libra të botuar dhe anëtar i një rrethi letrar në qytetin e tij të quajtur “Dùha”. Është identiteti i dikujt që nga burime qeveritare u përkufizua si një “ujk i vetmuar”, “i radikalizuar” pas fitores në zgjedhjet e Peter Pellegrinit, presidenti i sapozgjedhur i Republikës Sllovake dhe aleat i Ficos. Asnjë precedent, asnjë raport i inteligjencës, asnjë kontakt me personazhe potencialisht të dyshimtë, nuk zbulohet nga e shkuara e autorit.
Misteri
Cintula veproi vetëm por tani të gjithë po pyesin nëse ai e bëri lëvizjen e tij sepse u shty nga të tjerët. Dhe kontrollet mbi të kaluarën e tij të afërt po bëhen gjithnjë e më të forta. Kontaktet telefonike, si dhe rrjetet sociale të burrit dhe takimet e tij të fundit, po analizohen. Aq shumë që diçka për të kaluarën e tij tashmë ka dalë në dritë: në vitin 2016, për shembull, ai mori pjesë në disa demonstrata të organizuara nga një organizatë paraushtarake sllovake, Slovenski Branci. Një grup ekstremistësh pro-rusë fuqishëm anti-evropianë, të cilët rekrutuan të rinj me uniforma në të gjithë vendin për të “mbrojtur” Sllovakinë nga emigrantët dhe nga një Evropë tepër “invazive”. Elemente që bien ndesh me të tashmen e tij si pacifist pro-ukrainas dhe anti-rus dhe si mbështetës i së majtës sllovake dhe partisë opozitare, Sllovakia Progresive. Një mister brenda një misteri.