Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Ledion Krisafi, ka treguar se pak orë më parë, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, kanë zhvilluar një bisedë telefonike, pas sulmit të Iranit.
I ftuar në një studio televizive, Krisafi zbuloi se Biden i ka kërkuar Netanyahut që Izraeli të mos kundër-sulmojë Iranin, duke i thënë ‘këtë raund e fituat ju’.
Krisafi tha gjithashtu se Irani është një forcë e madhe në rajonin e Lindjes së Mesme dhe shtoi se sulmi i tij ndaj Izraelit ishte thjeshtë sa “për të shpëtuar fytyrën” pas sulmit izraelit në Konsullatën iraniane në Damask.
“Unë nuk mendoj se Irani është i rrethuar, sot madje është në ofensivë. Nëse ka një kandidat në Lindjen e Mesme për të qenë hegjemon, është Irani. Ka nën kontroll Irakun, Sirinë, Libanin dhe një pjesë të Jemenit nën kontroll. Qëllimi i Iranit është të rrethojë Arabinë Saudite dhe Izraelin. Për të kuptuar pse ndodhi ajo e djeshmja, Irani ka krijuar këtë sistemin këtu.
Irani nuk e rrezikon këtë sistemin që e ka krijuar prej 20 vitesh, duke u futur në luftë të madhe me Izraelin dhe SHBA-të. Ajo që ndodhi dje ishte për të treguar një lloj force, ose për të shpëtuar fytyrën. Në radhë të parë për të shpëtuar fytyrën brenda vendit. Mënyra si ishte i përgatitur sulmi, ata e dinin se do dështonte. Fakti që Izraeli është larg, ishte e vështirë që ta gjente Izraelin në vështirësi.
Izraeli tregoi se ka një mbrojtje ajrore të jashtëzakonshme, e ndihmuar dhe nga aleatët. E treta u tregua se aleatët ishin të gjithë në krah të Izraelit. Para 2-3 orësh ka pasur një bisedë telefonike mes Biden dhe Netanyahut, ku Biden i ka kërkuar që Izraeli të mos kundërpërgjigjet duke i thënë ‘këtë raund e fituat ju’”, tha Krisafi.