Sulmi ukrainas i së premtes në selinë e flotës ruse të Detit të Zi në Krime u krye me kërkesë të shërbimeve të inteligjencës amerikane dhe britanike dhe u koordinua me ta. Këto ishin akuzat e pales ruse, disa ditë pas sulmit. “Nuk ka as dyshimin më të vogël se sulmi ishte planifikuar paraprakisht me ndihmën dhe përdorimin e mjeteve të inteligjencës perëndimore, pajisjeve satelitore të NATO-s dhe avionëve zbulues,” tha zëdhënësja diplomatike ruse Maria Zakharova në një konferencë të rregullt për shtyp, duke shtuar se sulmi “ishte kryer me kërkesë të shërbimeve të inteligjencës amerikane dhe britanike dhe në bashkëpunim të ngushtë me ta”. Krimea, një rajon ukrainas i aneksuar nga Moska në vitin 2014, është në qendër të sistemit ushtarak rus si pjesë e ofensivës ruse kundër Ukrainës, si për furnizimin e trupave që pushtojnë Ukrainën jugore ashtu edhe për sulmet. Në mes të kundërofensive të Ukrainës, Kievi kërkon të transferojë luftimet në këtë gadishull. Prandaj, forcat ukrainase kanë shtuar sulmet me raketa dhe dron në zonë në javët e fundit. Ukraina pretendon se vrau rreth tridhjetë oficerë në sulmin e së premtes, duke përfshirë komandantin e Flotës së Detit të Zi, Viktor Sokolov por Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi foto të martën që e tregonin atë duke marrë pjesë në një video-konferencë. Në të njëjtën kohë, forcat ushtarake speciale ukrainase njoftuan se është duke u zhvilluar një proces për të sqaruar informacionin e publikuar. Njëkohësisht theksojnë se identifikimi i viktimave është shumë i vështirë. Të mërkurën, media zyrtare e ushtrisë ruse, publikoi një video ku thuhet se ishte komandanti Viktor Sokolov, duke vlerësuar sukseset e trupave të tij.