Maqedonia e Veriut ka shpallur sot gjashtë diplomatë rusë si “persona non grata”, sipas Ministrisë së Jashtme të vendit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ambasadori rus në Shkup, Sergei Bazdikin është thirrur sot në ministri dhe i është dhënë një deklaratë verbale, në të cilën gjashtë diplomatë të ambasadës ruse cilësohen si persona “non grata”.
Sipas njoftimit, diplomatët rusë do të duhet të largohen nga vendi brenda pesë ditësh. Sipas Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, gjashtë diplomatët rusë ishin të angazhuar në aktivitete në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike dhe për këtë arsye duhet të largohen nga territori i Maqedonisë së Veriut.
Deri në fund të marsit, Maqedonia Veriore kishte deportuar pesë diplomatë të tjerë rusë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dënuar pa mëdyshje pushtimin e Rusisë në Ukrainë dhe ka ndjekur kryesisht vendimet e BE-së për këtë çështje dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.