
SPAK lëshon urdhër arrest me burg për ish- kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako

SPAK lëshon urdhër arreste për ish-zyrtarë të Bashkisë së Durrësit, zbardhen detajet e para

Çfarë ndodhi? KAS rinumërim 29 nga 40 kuti në këtë bashki

Deputetët kundër Kolegjit të Kryetarëve, Kryesia e PD bën lëvizjen e minutës së fundit, ja çfarë pritet të ndodhë sot

A do të ketë reshje shiu? Zbuloni parashikimin e motit për ditën e nesërme, ja çfarë do të ndodhë me temperaturat (Tabela)

“Edhe ju thoni, pse po shkon euro gropë?!”, Artan Hoxha publikon videon që nuk duhet humbur

Fletë-arresti për Vangjush Dakon nga SPAK, Artan Hoxha zbardh si u bllokua në minutat e fundit dhe kush ishte personi që ndaloi prangosjen e ish-kryebashkiakut

Dalja nga burgu e Saimir Tahirit alarmon SHBA për dështimin e reformës, pritet një rikthim në qeli pas vendimit të Gjykatës së Lartë, flasin ekspertët: Ja sa vite rrezikon të dënohet ish-ministri

“Hakmarrja për drejtësi” doli mbi shtetin pas 27 vitesh, si organizata u konsiderua “terroriste” nga Berisha e PD dhe u vendos në qendër debatit të politikës shqiptare, 10 anëtarët dolën të pafajshëm për 17 krime

Shkruar nga Dario VELAJ 27 Shkurt 2023

Krimi i organizuar në Shqipëri ka marrë përmasa të mëdha pushteti, aq sa ia ka dalë në mënyrë tronditëse të nënshtrojë shoqërinë nëpërmjet aktiviteteve të pastrimit të parave, dhunës, kërcënimeve, korrupsionit, por bashkë me shoqërinë edhe klasën politike dhe institucionet shtetërore. Në ditët e sotme, elementë të fuqishëm kriminalë kanë arritur të kthehen në sipërmarrës të mëdhenj dhe të zgjidhen edhe deputetë e drejtues të pushtetit lokali. Kontrolli dhe nënshtrimi i shtetit nga bandat e organizuara kriminale i ka fillesat që kur pluralizmi fitoi në Shqipëri. Në përplasje mes grupimeve të dukshme dhe të padukshme, kanë humbur jetën jo pak njerëz, madje disa prej tyre kanë qenë dhe zyrtarë të lartë shteti. Vitet ’90 në Shqipëri janë karakterizuar si periudhë kaotike ku dhuna dhe barbaria ecnin në shesh të hapur të pashqetësuar. Vendosja e rendit dhe sigurisë ishte një sfidë e madhe për qeveritë demokratike post-komuniste. Shkak është konsideruar shpesh jo paaftësia e organeve ligjzbatuese dhe shtetërore, por bashkëpunimi i madh mes krimit të organizuar dhe organeve shtetërore. Vendimi i fundit të Gjykatës së Lartë që shfajësoi përfundimisht organizatën “Hakmarrja për Drejtësi” për drejtësi për 17 ngjarje të rënda si: vrasje, grabitje, etj., na shtyn të mendojmë se përse gjithë këto krime të rënda dhe të tmerrshme mbeten në një numër të madh të pazbardhura. Rasti i “Hakmarrjes për Drejtësi” përbën përjashtim nga grupet e tjera të fuqishme kriminale në Shqipëri, pasi janë përdorur në “gjyqin politik” që Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë mbajtur e po mbajnë kundër njëra-tjetrës. Në numrin e sotëm do të përqëndrohemi te dy krimet e rënda për të cilat kjo organizatë është akuzuar e dënuar nga drejtësia shqiptare: ekzekutimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi në 1996 dhe vrasja mafioze e shoferit të Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, Genci Sina në vitin 2003 në Tiranë. Përveç ecurisë së proceseve gjyqësore për këto 2 krime, do të rikthejmë dhe një intervistë të dhënë nga Altin Arapi, anëtari i “Hakmarrjes për Drejtësi” që ka sulmuar ish-kryeministrin Sali Berisha se ka anatemuar, shpifur, përndjekur, keqtrajtuar pjesëtarëve të familjes së tij dhe Shyti, me të cilën ka lidhje farefisnore, dhe zhgënjimin e familjeve të viktimave për dështimin e drejtësisë për zbulimin e këtyre vrasjeve.
Cila ishte “Hakmarrja për Drejtësi”? U konsiderua nga pushteti “organizatë terroriste”
Në 12 tetor 1996, 4 ditë para zgjedhjeve lokale, policia organizoi një operacion të madh në qendër të Tiranës, ku në apartamentin e marrë nga shtetasi Enkelejd Agaj, gjendet një arsenal armësh. Strukturat policore dhe presidenti i kohës Sali Berisha së bashku me lidershipin e PD akuzuan si organizatorë dhe drejtues të këtij grupi kriminal djemtë e familjes së ish-zv/ministrit të Brendshëm, Aredin Shyti, i cili vuante dënimin me 17 vite burg në Burgun e Bënçës për “vrasje me dashje indirekte” lidhur me ngjarjet e 2 prillit 1991, kur 4 të rinj shkodranë, Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, u qëlluan për vdekje nga forcat e policisë, teksa protestuan dhe morën pjesë në demonstratën kundër rezultatit të fitores së Partisë së Punës në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991. Aredin Shyti, vuante dënimin që prej 1992 në të njëjtën burg me të ndodhej dhe ish-kryeministri dhe kreu i PS, Fatos Nano. Në raportimin e asaj dite në Televizionin Publik Shqiptar, “Hakmarrja për Drejtësi” cilësohej si “organizatë terroriste me karakter politik për të rrëzuar demokracinë”, e krijuar në vitin 1992 nga Orik Shyti, djali i Aredin Shytit. Kjo organizatë përbëhej nga 120 anëtarë, ku mes tyre u përmendën dhe intelektualë, doktorë, profesorë, etj. Policia deklaroi se kishte gjetur: “kode sekrete komunikimi”; “platforma dhe skema e funksionimit të organizatës”; “plane për krimet që kishin kryer nga viti 1992-1996 dhe ato që do kryenin, duke përfshirë edhe vrasjen e kryeministrit të tanishëm, Sali Berisha, që në atë kohë ishte president. PD në pushtet në atë kohë, nxitur dhe nga retorika e Berishës akuzonte “Hakmarrjen për Drejtësi” se kishte fshehur 1 milionë dollarë vjedhje në kasafortën e ish-arkitektit të “Piramidës së Tiranës”, Klement Kolanecit, dhëndrri i ish-diktatorit Enver Hoxha. Drejtësia shqiptare gjykoi për 27 vite 10 persona si anëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi”: Orik Shyti, Leart Shyti, Altin Arapi, Dritan Hatën, Gent Cakën, Nikolin e Pasho Novruzajn, Gëzim Gjonin, Roland Shytin dhe Kreshnik Spahiun. Vetë disa prej tyre të arrestuar, vite më pas kanë akuzuar rëndë Berishën dhe institucionet e kohës se i kanë torturuar nëpër burgje për të pranuar akuzat e rreme dhe për të firmosur deklarimet e pavërteta.
Vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, ja “legjendat” se pse e ekzekutuan
Në 26 korrik 1996, 40-vjeçari Bujar Kaloshi, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, u ekzekutua nga dy persona pasi kishte dalë nga banesa e tij dhe po nisej drejt punës. Vrasja e tij iu faturuar grupit “Hakmarrja për Drejtësi”, konkretisht Orik Shytit dhe Altin Arapit. Zërat dhe thashethemet e kohës aludonin se djemtë dhe nipërit e Aredin Shytit u hakmorrën pasi Kaloshi kishte urdhëruar keqtrajtimin e babait të tyre. Megjithatë, këto “legjenda” nuk u faktuan kurrë.
Pretendim i Altin Arapit për Bujar Kaloshin: Berisha ka trilluar gjithçka
Në një intervistë të dhënë në vitin 2008 për gazetaren Klodiana Lala në “Gazetën Shqiptare”, Altin Arapi, i arratisur drejt Belgjikës pas vrasjes së Genci Sinës, shoferit të Theodhori Sollakut, refuzoi kategorikisht të jetë ai vrasësi i ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi. Sipas Arapit, shteti dhe institucionet e kohës manipuluan deklaratat, provat duke ia faturua krimin atij vetë dhe kushëririt të tij Leart Shytit. Ai akuzon drejtpërdrejt dhe shefin e komisariatit nr. 2 të Tiranës, se i ka ofruar një dëshmitari 10 milionë lekë për të fajësuar atë dhe kushëririn e tij për ngjarjen e rëndë. Arapi thekson se ky zyrtar madhor policie u shpërblye pastaj me tjetër post nga pushteti i kohës.
Vrasja e Bujar Kaloshit, drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, rëndon mbi supet tuaja....
Pyetjes po i përgjigjem me një pyetje. Pse duhet ta vrisja një njeri që nuk e kam takuar kurrë, që nuk më ka bërë as të keqen më të vogël? Edhe banditët e Berishës u vunë në kërkim të arsyes. Pasi hoqën dorë nga arsyeja politike, hapën fjalë se të ndjerin e vrava se kishte goditur me pëllëmbë dajën që ishte në burg. Meqë kjo nuk qe shumë e mençur për të qëndruar në këmbë, zgjodhën një arsye tjetër: i ndjeri kishte prishur saksitë me fidanët e luleve, që daja rriste në burg. Nuk kam dëgjuar për ndonjë shpikje tjetër, por e di mirë se unë jam i katërti në radhën e vrasësve. Në fillim Berisha e kishte provuar se vrasjen e kreu një X, më pas një Y, më 16 tetor 1996, vrasjen e kishte kryer Leart Shyti, kështu është shkruar në komunikatën e Ministrisë së Brendshme, madje në procesverbalet me "deklarime" të Leartit është përshkruar me hollësi në ç'mënyrë "e kishte vrarë". Arsyeja "e pranuar" nga Learti ishte se i ndjeri i kishte zënë rrugën me makinë dhe s'donte të tërhiqej nga gabimi. Prokurorët ia hoqën akuzën Leartit, por harruan të grisnin procesverbalet, të cilin avokati ia ka dhënë gjykatës. Por gjykata, megjithëse njësoj si gjykata e parë, i deklaron të gjitha provat shkencore të pavlefshme, mua më dënon se ashtu “kanë thënë të pandehurit” në pyjet e malit të Dajtit. Ç'të bëjë gjykata kur në vesh i oshëtijnë britmat e Saliut për ‘killerin’ e ‘superkillerin’ Altin Arapi?! Asnjë dëshmitar nuk thotë se unë jam vrasës ose vjedhës, por ka një dëshmitar që shkon në gjyq, i thirrur nga prokurorët dhe deklaron para të dy gjykatave se: "Ka qenë pikërisht shefi i Komisariatit nr.2 të Policisë, që më ka ofruar 10 milionë lekë të vë gishtin mbi njërin nga të pandehurit". Dhe ky "vrasës" duhet të ishte Leart Shyti, sepse dëshmitarët që kanë parë ngjarjen me sy, e përcaktojnë vrasësin jo më të gjatë se 1.65 m. Ky shef është shpërblyer nga Berisha, siç bën me çdo bashkëpunëtor të tij në krim, me mandatin e deputetit.
Gjyqi për vrasjen e Kaloshit, dëshmitari Gorgo: Shefi i komisariatit më dha 10 mln lekë
Në 7 tetor të vitit 2000, një person rreth të 50-ave dëshmoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda se kishte parë dy vrasësit e Bujar Kaloshit ditën e krimit. Dëshmitari i quajtur Gorgo pranoi se dy djem të gjatë dhe me flokë pak biondë, të vëshur sportivë dhe që ngjanin si basketbollistë, e pytën sa ishte ora. Ai i pa më pas të futeshin në një automjet “Benz” me ngjyrë të bardhë. Pas të shtënave, ai u mor menjëherë dhe u dërgua në komisariatin nr.2 për të dëshmuar. Ai deklaroi në gjyq se shefi i komisaratit i ofroi 10 milionë lekë, por pa thënë se për çfarë arsyeje. Gorgo nuk arriti të identifikonte asnjë person si atentatorë të Kaloshit në fotografitë e paraqitura në komisariat. Gjithashtu, dëshmitaro kontestoi dhe 2 firma të hedhura në proces-verbalet e dhëna në komisariat. Avokatët kërkuan pushimin e çështjes pasi asnjë prej 123 dëshmitarëve dhe as prokuroria nuk faktuan dot akuzat për Altin Arapin, Orik Shytin dhe Enkelejd Agën. Por, trupi gjykues nuk e pranoi këtë gjë.
Vendimi i drejtësisë, Altin Arapi dhe Orik Shyti u dënuan përjetë, ja vendimet e tjera
Vite më pas, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda vendosi të lërë në fuqi vendimet e shkallës së parë për “Hakmarrjen për Drejtësi”. Konkretisht, Altin Arapi dhe Orik Shyti u dënuan me burgim të përjetshëm; 25 vite për Gentian Cakën dhe Roland Shytin, 24 vite për Leart Shytin, Nikolin Novruzajn, dhe Kreshnik Spahiun; 23 vite për Dritan Haten. Apeli i Krimeve të Rënda ndryshoi dënimet për Pasho Novruzajn dhe Gëzim Gjonin duke u kthyer dënimet me 22 dhe 10 vite burg në 17 dhe 5 vite burg.
Ekzekutimi me pistoletë me silenciator i shoferit të ish-kryeprokurorit Sollaku
Në 29 shtator 2003, ish-gardisti Genci Sina, i cili prej vitesh shërbente si shofer i ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, u vra me një plumb nga një person në qendër të Tiranës, afër semaforit të ura e madhe e lumit Lana. Ai po transportonte familjen e prokurorit Sollaku, gruan dhe vajzën. Në momentin që automjeti ndaloi pas aktivizimit të sinjalit “ndal” të semaforit, një person afrohet me taksi, zbret dhe qëllon me pistoletë me silenciator për vdekje Sinën. Gruaja dhe vajza e Sollakut mbetën të tronditura nga pamjet. Në 30 tetor 2003 për këtë krim u kap në Belgjikë Altin Arapi, ndaj të cilit u lëshua urdhër-ekstradimi nga Shqipëria. Arapi u akuzua pasi ADN në gjurmët e gishtave të gjetura në derën e makinës që drejtohej nga gardisti Sina, përkonin me ADN e tij. Në Shqipëri, policia arrestoi në të njëjtën ditë me Arapin, të fejuarën e tij Imelda Tasho. Ajo kryente detyrën e punonjëses në Drejtorinë e Analizës dhe Prognozss në Ministrinë e Jashtme. Ajo u akuzua se kishte ndihmuar të fejuarin e saj gjatë krimit duke e shoqëruar me taksi dhe më pas, i ka raportuar çdo gjë lidhur me hetimet që po bënte drejtësia për vrasjen e Genci Sinës. Në 10 mars 2005, Arapi u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Genci Sinës, ndërsa Imelda Tasho u dënua me 2 vite burg për “moskallëzim krimi”. Ata e apeluan në prill 20025 dënimin e dhënë nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda në shkallën e Apelit.
Dëshmitari kyç ishte shoferi i taksisë, u largua menjëherë drejt SHBA
Arapi u identifikua nga dëshmia e bashkëshortes së Sollakut. Por, një dëshmitar kyç, i cili u prit të fliste për krimin e 29 shtatorit 2003, taksisti që shoqëroi Altin Arapin dhe të fejuarën e tij Imelda Tasho, nuk erdhi kurrë në gjykatë të dëshmonte. Ai u largua menjëherë në SHBA, por dhe drejtësia shqiptare nuk e thirri asnjëherë për të dhënë dëshminë e tij për natën e vrasjes së Genci Sinës. Arapi ia doli me sukses më pas të mos ekstradohej në Shqipëri, pasi shteti belg pretendoi se atij i ishin shkelur nga Shqipëria të drejtat e njeriut. Arapi ka kërkuar nga Belgjika të marrë statusin e azilit politik.
Arapi për vrasjen e Genci Sinës: Janë zhdukur të gjitha provat, deklarimet, etj.
Në intervistën për “Gazetën Shqiptare” në vitin 2008, Altin Arapi akuzon organet e drejtësisë së kohës se kanë zhdukur provat materiale dhe dëshmitë e dëshmitarëve okularë në vendngjarjen ku u vra Genci Sina. Po ashtu, ai shtoi se janë zhdukur edhe dëshmitë e kamarierëve dhe lokalit ku është ulur vrasësi para krimit, të dhënat për identikitin e autorit, etj. “Theksoj se nuk figurojnë në dosje, pra: Janë zhdukur nga dosja dëshmitë e dëshmitarëve okularë që kanë parë ngjarjen, që kanë qenë me dhjetëra. Janë zhdukur nga dosja dëshmitë e kamerierëve, bufetierëve dhe klientëve të lokalit ku ka darkuar personi që kreu vrasjen. Janë zhdukur nga dosja akt-ekspertimet daktilostopike të gjurmëve të gishtave që janë bërë në vendin ku ka darkuar personi. Janë zhdukur nga dosja dëshmitë e para verbale në ballafaqim jo legal të dëshmitarëve me të pandehurin. Janë zhdukur apo nuk kanë figuruar ndonjëherë në dosje përshkrimi i karakteristikave të personit të arrestuar, i cili do të përdorej për arsye krahasimi ligjor me dëshmitarët”, deklaronte vite më parë Arapi nga Belgjika.
Shteti nuk i jep statusin e dëshmorit ish-gardistit Genci Sina
Në tetor 2021, i biri i ish-shoferit të vrarë të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku hapi process gjyqësor që babait të tij t’i njihet statusi i dëshmorit, pasi u vra në krye të detyrës. Lusjos Sina mori deklarimet e ish-kreut të Gardës në 2003, Arben Çuko, i cili konfirmon se Genci Sina po transferohej zyrtarisht për të kryer transportin e familjes së kryeprokurorit të kohës, Theodhori Sollaku. Skandali qëndron se në vitin 2011, Këshilli i Qarkut të Tiranës e njohu statusin e dëshmorit për Genci Sinën, por komisioni i posaçëm për vendosjen e këtij statusi e refuzoi një gjë të tillë.
Gruaja e Genci Sinës: E vranë për punën e Sollakut, ka faj shteti
Në dhjetor 2019, në intervistë për emisionin “Top Story” në “Top Channel”, bashkëshortja e Genci Sinës, Albana Sina këmbëngul se bashkëshorti i saj u vra për shkak të detyrës, se i shërbente familjes së Prokurorit të Përgjithshëm të kohës, Theodhori Sollaku. E veja shton se burrin e saj e ka vrarë vetë shteti shqiptar. “Genci nuk ka pas probleme personale, Genci u vra prej Prokurorit të Përgjithshëm që i shërbente. S’kishte pse e vriste mes bulevardit ai me zonjën, mund ta vriste fare mirë këtu ku ishte. Prej prokurorit përgjithshëm është vrarë, mua ma ka vrarë shteti”, shprehej Albana Sina.
Gjykata e Strasburgut rrëzoi pretendimet e Arapit në 2015 për shkelje të drejtash njeriu
Gjykata Europiane për të Drejtat e njeriut në Strasburg vendosi në korrik 2015 refuzimin e kërkesës së të dënuarit në Shqipëri më burgim të përjetshëm Altin Arapi për t’i njohur shkeljen e të drejtave, edhe disa pjesë dokumentesh, të përdorur prej tij si prova. Gjykata publikoi edhe letërkëmbimin mes organeve shqiptare dhe atyre belge, ku këto të fundit kanë refuzuar ekstradimin e Arapit, duke gjykuar se në veprimet e institucioneve shqiptare ka pasur parregullsi dhe mospërputhje. Altin Arapi mbeti pas kësaj një refugjat politik në Belgjikë, por Strasburgu gjykoi se atij nuk iu shkelën të drejtat e njeriut gjatë procesit gjyqësor, që e dënoi përjetetë.
Drejtësia “180 gradë kthesë”, ja si e arsyetoi pafajësine e “Hakmarrjes për Drejtësi”
Në 2016, Gjykata e Lartë vendosi të rikthejë për gjykim me themel dosjen “Hakmarrja për Drejtësi”. Në 13 shkurt 2017, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda shpalli të pafajshëm të gjithë anëtarët e kësaj organizate, duke dhënë një vendim totalisht ndryshe nga Shkalla e Parë. Edhe pse Straburgu nuk konstatoi shkelje të të drejtave të njeriut në proceset gjyqësore ndaj Altin Arapit, përsëri ai u fal. Në vendim, gjyqtarët Alaudin Malaj dhe anëtarët Artur Kalaja, Stavri Kallço, Sotiraq Lubonja dhe Etleva Temo vendosën se provat ndaj 10 anëtarëve të “Hakmarrjes për Drejtësi” janë zhdukur, deklarimet e tyre janë falsifikuar, një i pandehur është marrë si dëshmitar, ka procesverbale pa datë, programi i organizatës u falsifikua etj. Në 22 shkurt të këtij viti, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të shfuqizuar vendimin e 2017 të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për pafajësinë e “Hakmarrjes për drejtësi” dhe rikthim të gjykimit të çështjes në shkallën e parë.
Viola Kaloshi në 2017: Babain tim e vranë dy herë, ora e drejtësia ka mbaruar
E bija e Bujar Kaloshit e konsideroi shpalljen e pafajshme të “Hakamrrjes për Drejtësi” në 2017 si vrasje për të dytën herë të atit të saj të ndjerë. Në 14 shkurt 2017, ajo akuzoi në rrjetet sociale PS dhe krimin e organizuar e drejtësinë për vendimin skandaloz ndaj kësaj organizate. Kaloshi i konsideroi këto krime edhe më të rënda se ato të kohës së komunizmit. “Me dhimbje të thellë mësova lajmin e ‘vrasjes për të dytën herë’ të babait tim Bujar Kaloshi. Orët e drejtësisë janë mbuluar tanimë nga orteku i madh i padrejtësive, etjes për pushte të çakenjve, krimi i organizuar, korrupsioni dhe droga, etj. Madje i tejkalojnë dhe ato të diktaturës famëkeqe”, komentoi Viola Kaloshi.
Braçe sulmoi Berishën në 2017: Për fajin tënd, ‘Hakmarrja për drejtësi’ kërkoi azil në BE
Deputeti socialist Erion Braçe, një “avokat” i përhershëm i “Hakmarrjes për drejtësi” akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-kreun e PD në shkurt 2017, pasi Apeli i Krimeve të Rënda shpalli të pafajshëm “Hakmarrjen për drejtësi”, se kanë kryer gjyqe me motivacion politik, anti-juridike dhe të padrejta ndaj 10 anëtarëve, gjë që ka bërë që shumë prej tyre të kërkojnë azil politik në BE. “Po këto vendet e BE që kanë 20 vite që i kanë dhënë ‘azil politik’, edhe një herë ‘azil politik’, këtyre ‘banditëve’ të shpallur nga Sali Berisha e Lulzim Basha, të dominuar nga banditët janë? Vendimi nuk është dhënë sot (dje)! Kot bërtisni! Në BE, ka vite që kanë marrë këtë vendim. Banditët e shpallur nga ju, janë azilantë politikë, të mbrojtur në vendet e BE-së. Domethënë vendimet e gjykatave këtu, në kohën tuaj, nuk janë marrë hiç parasysh në BE, përkundrazi, ato vendime i kanë dhënë azilin politik atyre. Këtë a na i shpjegoni dot?”, komentonte Braçe.
Më të lexuarat


Shkollimi i qeverisë “Rama”, CV e ministrave skandaloze, Belinda Balluku pa diplomë me kurse dy mujore, Evis Kushi plagjiaturë me artikuj shkencorë të huaj, ja arsimimi i “rektores” së akademisë të çobenjëve Frida Krifca

Politika shqiptare si kampionat shuplakash, politikanët kënaqen nga forca e shpullave, ja si Meta e Topalli “skuqën” njëri-tjetrin me akuza dhe fyerje nga më të rëndat ndër vite, sot s´ka asnjë njollë të kuqe në faqet e tyre

Kur ligjet dhe Kushtetuta ndryshohen për të deformuar demokracinë, Berisha dhe Rama tjetërsuan “dokumentin e shenjtë” në 2008 me telefon për të monopolizuar politikën, ja “krimet” e kryera ndaj sistemit politik në vend

1993-1994, koha kur opozitarizmi në Shqipëri bëhej nën thundrën e frikës nga shteti, si u dënua Fatos Nano për abuzimin e 8 miliardë liretave ndihma italiane, roli i Berishës, SHBA dhe prokurorit Dervishi, Braho pretendon se dokumentet u falsifikuan...

Kur dehja nga liria kthehet në obsesion për të rrëmbyer gjithçka, si demokracia rumune mori të tatëpjetën pas rrëzimit të Çausheskut, pushteti “i ri” shtypi të rinjtë dhe opozitën me ndihmën e minatorëve

“Hakmarrja për drejtësi” doli mbi shtetin pas 27 vitesh, si organizata u konsiderua “terroriste” nga Berisha e PD dhe u vendos në qendër debatit të politikës shqiptare, 10 anëtarët dolën të pafajshëm për 17 krime

U kap dhe torturua nga SHIK për atentatin ndaj Gligorovit dhe u akuzua për Zef Brozin, Avdyl Loshaj denoncoi 12 vite më parë Ilir Kumbaron për dhunën çnjerëzore ndaj tij, tregoi se pa biznesmenin Remzi Hoxhën për herë të fundit

Skandali i zgjedhjeve të 2011 në Tiranë, si Berisha përdori Ristanin dhe KQZ për t'i dhënë fitoren Lulzim Bashës, letra e Kadaresë dhe akuzat pas 10 vitesh mes palëve

79 vite nga masakra e 4 shkurtit, Muharrem Xhafa: Krim makabër i nazistëve dhe ballistëve, vranë me listë brenda natës 84 vetë për të mbuluar kapitullimin e Gjermanisë para LANÇ, ja roli i tradhtarit dhe kriminelit Xhaferr Deva

Sot aleatë, ja si Ilir Meta arrestoi Sali Berishën në vitin 2000 pas revoltave që nisën për zgjedhjet lokale, “grushti i shtetit” në Tropojë prodhoi 1 viktimë dhe 30 të plagosur
