Prof. Dr.Bardhyl Çipi ka publikuar në librin e tij studimor dhe kujtimesh prova shkencore të vrasjeve, vdekjeve të disa personave publikë të vendit tonë dhe të huaj, atyre të persekutuar si dhe të disa ngjarjeve të rënda kryesisht ato vdekjeprurëse. Për këtë, ai është mbështetur në bagazhin e pasur, që ka fituar për një kohë shumë të gjatë më shumë se 50-vjeçare nga ekzaminimi i disa mijëra kufomave, shqyrtimi i rasteve të tjera të vështira, të përforcuara këto edhe nga specializimet dhe trajnimet që ka kryer në vendet e zhvilluara. Për gazetën “SOT” ai ka sjellë për herë të parë disa detaje për kërkimet pas viteve 1990 të kufomave të disidentëve politikë të varrosura në vende të panjohura.
Shkrimi i Bardhyl Çipit
Vrasjet, vetëvrasjet ndaj personave të persekutuar nga regjimi komunist kanë qenë të shumta, sikurse po rezulton nga dokumentet që kanë dalë dhe dëshmitë e atyre që kanë vuajtur dhe janë dënuar me të padrejtë në kohën e kësaj diktature të egër. Një pjesë e tyre janë vërtetuar edhe me prova shkencore në saje të ekzaminimeve mjekoligjore të kryera, por ka dhe shumë të tjera, të provuara nga dokumentet dhe dëshmitë e shumta. Pas viteve 1990, kur u përmbys regjimi komunist, filloi në mënyrë të organizuar të provuarit në mënyrë shkencore të këtyre ngjarjeve të hidhura. Në të vërtetë, në një pjesë të këtyre vrasjeve ose vetëvrasjeve politike janë kryer ekzaminimet mjekoligjore dhe kriminalistike, që në kohën kur ato kanë ndodhur. Unë në atë periudhë kam qenë i ri në ushtrimin e mjekësisë ligjore dhe kam marrë pjesë kryesisht në ekspertimet mjekoligjore të viktimave të krimeve ordinere që kanë qenë të shumta, por mbaheshin të fshehta dhe nuk shpalleshin publikisht, sikurse veprohet sot. Këto ekzaminime unë i kam bërë më tepër për qytetin e Tiranës dhe rrethin e saj dhe më pak për zonat e tjera të vendit tonë; ato realizoheshin zakonisht nga mjekët ligjorë të tyre, që ishin në çdo rreth të vendit tonë. Në atë kohë, unë kam kryer një numër të madh ekzaminimesh mjekoligjore të Tiranës dhe kam vajtur në shumicën e fshatrave të rrethit të saj për të kryer autopsitë e viktimave të shumta të vrasjeve, vetëvrasjeve, aksidenteve, apo të vdekjeve të papritura, të gjitha këto që nuk kishin lidhje me persekutimet politike. Por gjatë atyre viteve, unë kam marrë pjesë edhe në zgjidhjen e aspekteve mjekoligjore të disa ngjarjeve me karakter politik.
Pengesat
Në kërkimet pas viteve 1990 të kufomave të disidentëve politikë të varrosura në vende të panjohura, të pasuara me ekzaminimet e tyre, morën pjesë aktive të gjitha shërbimet mjekoligjore të vendit tonë, për të cilat unë kam qenë drejtuesi kryesor i tyre. Por në këto kërkime, që kryheshin më tepër me iniciativën e familjeve të viktimave, u hasën mjaft pengesa:-Regjimi i mëparshëm për ta bërë sa më të pamundur zbulimin e kufomave të disidentëve politikë, pas varrimit të parë të tyre kryente zhvarrosje dhe rivarrosje të fshehta, shpesh të përsëritura dy tri herë, si p.sh.me kufomën e kryeministrit Mehmet Shehu, apo kufomat e drejtuesve të lartë të ushtrisë: gjeneralëve Beqir Balluku (ministër i mbrojtjes), Petrit Dumes dhe Hito Çakos. Për këtë arsye, në mjaft raste, pavarësisht përpjekjeve të mëdha, nuk arrihej gjetja e trupave të këtyre viktimave. Kështu p.sh., kërkimet për zbulimin e mbetjeve kufomore të Bahri Omarit dhe disa personave të tjerë të shpallur armiq dhe të dënuar me vdekje, nuk patën rezultat. Në atë kohë u bënë gërmime të shumta në një zonë pranë Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë, ku mendohej se ato ishin varrosur. Po atje u zbuluan vetëm disa eshtra të pakta kafshësh.
Identifikimi
Situata tjetër është tek identifikimi dhe ekzaminimitantropologjik në vitin 2000, të mbetjeve skeletike të tri gjeneralëve, drejtues kryesorë të ushtrisë: Beqir Balluku ish-ministër i mbrojtjes, Petrti Dume, dhe Hito Cako, të cilët në bazë të akuzave false, ishin dënuar me vdekje dhe pushkatuar në vitin 1975. Kufomat e tyre u gjetën në një varr të përbashkët pa emër, në fshatin Vranisht të rrethit Vlorës. Eshtrat paraqiteshin pa mbeturina indesh të buta, pa insekte, me ngrënie dhe shkatërrime të shumta. Bashkë me eshtrat kishte dhe mbeturina teshash, në këqyrjen e të cilave u vu re se ato përbëhen nga pjesë teshash dhe këpucësh të kalbura, të cilat u njohën nga të afërmit se ishin prodhime të punëtorisë ushtarake, nga ato për oficerët madhorë. Eshtrat, së bashku me mbeturina teshash, u dërguan në shërbimin e mjekësisë ligjore në Tiranë, ku u krye ekzaminmi i plotë antropologjik e tyre. Nga ky ekzaminim, që zgjati më shumë se dy javë, rezultoi sa vijon:
Beqir Balluku
Nga ekzaminimi i mbetjeve skeletike që mendohej se i takonin kufomës së Beqir Ballukut, ku kafka ishte shumë e dëmtuar, u përcaktua se ato i takonin në një personi të seksit mashkull, me moshë të kaluar mbi 50 vjec, me gjatesi trupore 1.78 m, i racës së bardhë dinarike, të dhëna grupore këto që përputheshim me ato të viktimës Beqir Balluku. Përveҁ kësaj, në eshtrat e ekzaminuara u konstatua prania e një kallusi kockor në njërën nga kockat e parakrahëve, gjë që u përputh me pohimin e të afërmve të viktimës, që viktima kishte pësuar një frakturë të parakrahut në moshë të re. Po kështu në ekzaminimin odontologjik u vu re prania e një këllëfi floriri në njërën prej dhëmballëve premolare, gjë që përputhej me pohimin e të afërmve që viktima kishte pasur një dhëmballë të përparme të veshur me flori.
Petrti Dume
Mbetjet kockore që mendohej se i takonin Petrit Dumes, kishin në kafkë një vrimë e ngjashme me atë të vrimës së hyrjes së një plage me armë zjarri. Nga ekzaminimi antropologjik rezultoi se ky skelet i takonte një personi të seksit mashkull, me moshë të kaluar mbi 50 vjec, me gjatësi trupore 1.68 m, i racës së bardhë, të dhëna identifikuese grupore këto që përputheshin me ato të viktimës Petrit Dume, gjeneral madhor i shtetit komunisit. Përveç kësaj denticioni i viktimës që kishte mbushje floriri, ishte pasqyruar edhe në kartelën dentare dhe u njoh nga njëra prej vajzave të viktimës.
Hito Çako
Kufoma e tretë e viktimës Hito Çako, përbëhej nga kafka me një vrimë hyrjeje plage arme zjarri në pjesën anësore të parietales së djathtë etj. Nga ekzaminimi antropologjik rezultoi se ky skelet i takonte një personi të seksit mashkull, me moshë rreth 50 vjec, me gjatësi trupore 1.65 m, i racës së bardhë dinarike (adriatike), të dhëna identifikuese grupore këto që përputheshin me ato të viktimës Hito Çako, gjeneral madhor i shtetit komunist.
Në ekzaminimin e dhëmbëve u vu re në nofullën e sipërme prania e mjaft boshllëqeve midis dhëmbëve (diastema), gjë që u përputh me pohimin e të afërmve të viktimës, që i kishte pasur ato që në të gjallë të tij, konstatim ky i pasqyruar edhe në kartelën dentare të Hito Çakos. Pra nga ky ekzaminim antropologjik mjekoligjor, u përcaktua në mënyrë të saktë, identiteti i tri viktimave të mësipërme, të ekzekutuara 25 vjet para gjetjes së tyre, si dhe dëmtimet e shkaktuara nga qitje me armë zjarri. Pas kësaj u kryen varrimet ceremoniale të tyre. Dua të shtoj se kur erdhën në fillim eshtrat e tri viktimave, për shkak se ato ishin varrosur së bashku, duke u hedhur në gropën e varrit mbi njëra tjetrën, pjesët e tyre ishin të përziera. U desh një punë shumë e kujdesshme, duke u mbështetur në diferencat e gjatësive trupore të ҁdo viktime dhe shenja të tjera, që të arrinim të realizojmë identifikimin e saktë të pjesëve kockore të ҁdo viktime.
Problematika
Në një rast tjetër, prokuroria dërgoi në shërbimin qendror universitar të mjekësisë ligjore në Tiranë, mbetje kockore njerëzore, të zbuluara në rrethin e Përmetit, që mendohej që i përkisnin një të riu nga Shkodra, i diplomuar në Itali në një universitet teologjie dhe i pushkatuar nga komunistët. Nga ekzaminimi mjekoligjor dhe antropologjik i hollësishëm, që bëra, rezultoi se ato i përkisnin një personi të moshuar mbi 50 – 60 vjeҁ, duke u përjashtuar që ato të ishin të këtij djali të ri. Një ngjarje tjetër që më kujtohet, ka qenë ajo e përpjekjeve të pashpresa për gjetjen e mbetjeve të një viktime të pushkatuar shumë vite më parë. Pas viteve 1990, në një ditë rreth vitit 1993, në orët e mëngjeSit vjen të më takojë në zyrë, një person trupmadh, që më tha se ishte me shtetësi amerikane, jetonte në Nju Jork që prej shumë vitesh pas arratisjes nga një fshat i Veriut të Shqipërisë. Kishte ardhur për të gjetur varrin e xhaxhait të tij dhe m’u lut që ta ndihmoja në identifikimin e mbetjeve kockore. Ai më tregoi se xhaxhai, shumë kohë më parë, në vitet 1950, kryente shërbimin ushtarak në një repart të ushtrisë në zonën e “qytetit të nxënësve” në Tiranë, atje ku kanë qenë “kazermat e Ali Rizait”. Shumë i pakënaqur nga regjimi komunist, tentoi të arratisej, por u kap dhe u dënua me vdekje. Ekzekutimi i tij u krye përpara gjithë batalionit për t’u bërë shembull dhe frikësuar të gjithë ushtarët e tjerë. Pas kësaj, ai u varros në një grope të madhe dhe të thellë, të hapur pranë vendit ku u pushkatua. Shoku i tij i ngushtë, ushtar edhe ai në atë repart, tani në moshë të kaluar, e mbante mirë mend vendin e varrimit. Disa ditë më pas, në një mëngjez me kohë të mirë, së bashku me nipin dhe shokun e xhaxhait, shkojmë në vendin ku ishte varrosur viktima, për të asistuar në gërmimet për zbulimin e kufomën, që më pas të kryeja ekzaminimin e saj. U gërmua gjithë ditën pëllëmbë për pëllëmbë dhe në thellësi ai vend, por nuk u gjet asgjë, me përjashtim të disa eshtrave të pakta kafshësh. Në këto gërmime asistonte dhe i gjithë fisi, prej më shumë se 20 personave që kishin ardhur nga fshati i viktimës, për ta nderuar atë dhe më pas të organizonin ceremoninë e varrimit. Më erdhi shumë keq për dëshpërimin e tyre nga mosgjetja e trupit të të afërmit të tyre. -Një e metë tjetër e këtyre ekzaminimeve ka qenë mungesa e të dhënave të sakta dhe të plota krahasuese. Siҁ dihet, identifikimi antropologjik (forensic anthropology) i skeleteve të panjohura, në vetvete është një krahasim, ku të dhënat nga ekzaminimi i mbetjeve kufomore, krahasohen me ato të personit që mendohet se i përkasin këto mbetje. Nëse këto të dhëna krahasuese do të mungojnë, identifikimi do të jetë i pamundur.