BREAKING NEWS

Çfarë po paralajmëron Artan Hoxha? Gazetari reagon menjëherë pas arrestimit të Vangjush Dakos: 'Xhuxhi' di shumë gjëra për ata lart

Çfarë po paralajmëron Artan Hoxha? Gazetari reagon
x
BREAKING NEWS

Arrestimi i Vangjush Dakos nga SPAK, vjen reagimi i parë nga opozita

Arrestimi i Vangjush Dakos nga SPAK, vjen reagimi i parë nga opozita
x
BREAKING NEWS

Pas Vangjush Dakos, arrestohet edhe ndërtuesi i pallatit (Emri)

Pas Vangjush Dakos, arrestohet edhe ndërtuesi i pallatit (Emri)
x
BREAKING NEWS

Mbledhja e kryesisë së PD-së, Tabaku refuzon postin e kryetares së komanduar, ja çfarë propozon

Mbledhja e kryesisë së PD-së, Tabaku refuzon postin e kryetares
x
BREAKING NEWS

Gazetari i njohur zbulon detajet nga hetimi për arrestimin e ish-zyrtarëve të Durrësit dhe Vangjush Dakos

Gazetari i njohur zbulon detajet nga hetimi për arrestimin e
x
BREAKING NEWS

Publikohen emrat, ja kush janë ish-zyrtarët e Bashkisë Durrës të arrestuar nga SPAK

Publikohen emrat, ja kush janë ish-zyrtarët e Bashkisë
x
BREAKING NEWS

Operacioni i SPAK në Durrës, ja ku gjendej Vangjush Dako kur u lëshua urdhër-arresti

Operacioni i SPAK në Durrës, ja ku gjendej Vangjush Dako kur u
x
BREAKING NEWS

Pas arrestimit të Vangjush Dakos, reagon për herë të parë kryeministri Rama

Pas arrestimit të Vangjush Dakos, reagon për herë të
x

Dossier

Kur dehja nga liria kthehet në obsesion për të rrëmbyer gjithçka, si demokracia rumune mori të tatëpjetën pas rrëzimit të Çausheskut, pushteti “i ri” shtypi të rinjtë dhe opozitën me ndihmën e minatorëve

Kur dehja nga liria kthehet në obsesion për të rrëmbyer

Kur flasim për demokracinë në vendet e Ballkanit, sigurisht që një pjesë e madhe ngrysin vetullat, pasi një fjalë e tillë u duket e pavend. Rajoni ballkanik ka provuar prej shekujsh pushtime e sundime perandorish, Luftën e Parë dhe të Dytë Ballkanike, Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, monarkitë dhe një pjesë e mirë prej tyre dhe regjimin diktatorial komunist. Ky i fundit ka lënë një gjurmë shumë të theksuar që edhe pas 33 vitesh ende nuk është fshirë nga kujtesa e disa shteteve ballkanike, mes tyre dhe Shqipëria, aq sa arrin të diktojë me frymën e urrejtjes, përçarjes, pabarazisë, shtypjes, intolerancës, korrupsionit galopant, manipulimeve edhe politikën aktuale. Ajo çfarë mund të thuhet pa drojë është se shtetet që instaluan regjimin komunist të tipit sovjetik, bënë vetëm ndryshim të pjesshëm sistemik dhe jo tërësor dhe mbi të gjitha, nuk arritën të rehabilitoheshin psikologjikisht nga trauma që shkaktoi dhe la pas komunizmi. Këtu ka shumë spekulime dhe debate. Dështimin e vendosjes të sistemeve reale demokratike në ish-vendet komuniste të Ballkanit e justifikojnë me takimin e famshëm të Katovicës, kur Mikhail Gorbaçov, ish-drejtuesi i fundit i Bashkimit Sovjetik shtroi planin e infiltrimit dhe depërtimit të aparitçikëve dhe burokratëve komunistë në institucionet e reja demokratike liberale, me qëllim ruajtjen e një “trashëgimie” sundimi. Një pjesë tjetër e justifikon me faktin se një gjendje e tillë e pashpresë në shumë vende të Ballkanit që jetuan e vuajtën nga komunizmi, nuk buron nga ndonjë tragjedi shekullore jashtënjerëzore, përkundrazi lidhet me mungesën e kulturës së ndërgjegjësimit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, barazisë, transparencës, harmonisë në shoqëri, që në këtë mënyrë e kanë më të lehtë të riprodhojnë forma qeverisjeje, klasa politike, parti me bosht politik të deformuar. Në shumë vende të Ballkanit si: Rumani, Bullgari, Greqi, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, etj, ekziston një depresion kolektiv që ka humbur fuqinë, vullnetin, idenë e përmirësimit dhe të shembjes së sistemve demokratike liberale. Rrëzimi me dhunë dhe ekzekutimi i ish-diktatorit rumun Nikolae Çaushesku në 25 dhjetor 1989 u festua jo vetëm në Rumani, por dhe në shtetet e tjera komuniste e mbarë botën si prova më e qartë se si do të përfundonin drejtuesit kokëfortë, arrogantë, anakronikë komunistë që ende nuk pajtoheshin me ndryshimin e realitetit. Për shumë europianë që jetojnë në Perëndim, kjo ngjarje e përfaqëson shumë lart Rumaninë në përshtypjen e oksidentit, por nga këndvështrimi ballkanik, kjo nuk përbën më një krenari, por braktiset dhe injorohet akoma më shumë si ngjarje edhe nga vetë qytetarët rumunë. Dështimi i krijimit të një shteti të vërtetë e të pastër demokratik, ku zhvillimi ekonomik nuk bazohet mbi përjashtime arbitrare, nuk krijohen oligarkë, politikanë të korruptuar e autoritarë, por gjithmonë intelektualët, studentët, njerëzit e arsimuar janë “motorri” i përparimit të shoqërisë, ka bërë që ai iluzion ëndërrimtar në fillim të viteve ’90, sot të ngjajë më shumë si mallkim kolektiv në Rumani.

Çfarë ishte “Mineriada” rumune e qershorit 1990?

Sot do të përqëndrohemi te një nga ngjarjet më enigmatike dhe të panjohura në Ballkan e Europën Perëndimor në Rumani, që nga këndvështrimi i sotëm të krijon bindjen se përse Rumania nuk hyri dot kurrë në boshtin e duhur të të ardhmes së historisë së saj. 6 muaj pas Revolucionit Rumun, kupola shtetërore që kishte marrë dhe rolin e arbitrit dhe lojtarit në fushën politike të vendit, organizoi një nga sulmet më të përgjakshme, të tmerrshme, antidemokratike ndaj qytetarëve dhe opozitës. “Mineriada”, ose seria e anti-protestave të minatorëve kundër studentëve, intelektualëve, figurave publike, profesorëve, të rinjve dhe qytetarëve gjatë periudhës 13-15 qershor 1990, konsiderohet si fillesa e vërtetë ku shoqëria rumune hyri në rrugën e polarizimit dhe instalimit të një regjimi me tipare autoritare.

Rinia dhe opozita kundër komunistëve të konvertuar në demokratë

Pas Revolucionit Rumun të përgjakshëm ku rreth 1 mijë veta humbën jetën nga përplasjet mes forcave pro-regjimit të Çauesheskut dhe forcave civile opozitare, drejtimin provizor të vendimit e mori Lëvizja Fronti i Shpëtimit Kombëtar, që drejtohej nga Ion Iliesku, një aparatçik komunist që nga rinia e tij deri në 1989. Iliesku u kthye më pas në një prej politikanëve më të fuqishëm të Rumanisë, duke u zgjedhur dy herë president, por roli i tij i luajtur në vendosjen e demokracisë në vend, është kontradiktor, i kontestuar dhe me shumë akuza të rënda. I konsideruar dikur si pasuesi i Çausheskut në krye të Rumanisë, ai u degdis nga ish-diktatori në pozicione jo të larta politike. Në fillim të vitit 1990, Fronti i Shpëtimit Kombëtar kishte vendosur të kthehej në forcë politike duke kërkuar pushtetin. Kjo gjë shkaktoi irritimin e shumë qytetarëve rumunë, sidomos të rinjve, intelektualëve, profesorëve, etj. Ata kërkuan që Iliesku të mos garonte në zgjedhjet e planifikuara të 20 majit 1990 për shkak të të kaluarës së tij si komunist. Antipatia mes këtyre kategorive të shoqërisë ndaj Ilieskut dhe bashkëpunëtorëve të tij të tij lidhej me frikën se shumë prej tyre ishin ish-anëtarë e burokratë të Partisë Komuniste të Rumanisë dhe dalja e tyre e beftë në krye të Revolucionit Rumun u pa si trashëgim pushteti nga kupola diktatoriale, që rrezikonte të ardhmen e shtetit ballkanik. Në janar 1990, një numër i madh minatorësh dhe punëtorësh u mblodhën nga mbarë Rumania dhe sulmuan zyrat e partive opozitare me Frontin e Shpëtimit Kombëtar, disa gazeta etj. Minatorët pranuan se u orientuan në mënyrë të fshehtë nga ish-pjesëtarë të Sekuritates, organi terrorizues famëkeq inteligjencës së diktaturës komuniste që kishte shtypur për mbi 40 vite Rumaninë. Megjithatë, studentët u organizuan dhe në 22 prill 1990, së bashku me profesorët dhe shumë qytetarë të tjerë, zaptuan Sheshin e Universitetit të Bukureshtit për të ndaluar Ilieskun dhe partinë e tij.

Protestat 52 ditore të të rinjve nuk e ndalën dot triumfin e Ion Ilieskut

Për 52 ditë me radhë, studentët nuk u tërhoqë nga kërkesat e tyre. Në 25 prill 1990, ata publikuan Proklamatën e Timishoarës, duke i kërkuar Ion Ilieskut dhe Frontit të Shpëtimit Kombëtar zbatimin e pikës 8: daljen nga politika, mospjesëmarrjen në zgjedhjeve të elementëve komunistë, zyrtarë komunistë apo të shërbimit sekret në zgjedhjet e 20 majit 1990, heqjen dorë nga kontrolli i televizionit kombëtar, pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike në zgjedhje, përveç atyre komuniste. Ata hodhën parrula radikale me plot urrejtje ndaj Ilieskut, si: “Zgjohuni rumunë, keni padronë të rinj”, “Iliesku është Çaushesku II”, “Poshtë komunizmi”, “Iliesku, mos harro! Të rinjtë nuk të duan ty!”, etj. Por, kasta “e re” politike vazhdoi me axhendën e vet. Fronti i Shpëtimit Kombëtar fitoin me shumicë dërrmuese zgjedhjet e 20 majit 1990. Kjo shkaktoi që vala e protestave të zbehej dhe një numër i madh i qytetarëve të bënin pakt me realitetin. Por, disa qëndrestarë nuk e lanë me kaq përplasjen me regjimin e ri që po ngrihej.

Shteti foli me gjuhën e “kërbaçit”, Iliesku thirri për ndihmë minatorët

Në 12 qershor 1990, Ion Iliesku së bashku me bashkëpunëtorët e tij vendosën shtypjen e protestave studentore dhe spastrimin e tyre nga Sheshi i Universitetit të Bukureshtit. Plani që u ndoq ishte vërtet ogurzi për të ardhmen e vendit. Presidenti me fuqi absolute të Rumanisë thirri publikisht pa drojë minatorët e vendit që të luftonin për ruajtjen e demokracisë në vend. Këtu fillon të shpaloset hapur retorika, fryma, psikologjia diktatoriale komuniste anti-demokratike. Në një dalje publike në 13 qershor 1990, Iliesku ftoi minatorët dhe punëtorët e Rumanisë që të spastrojnë të rinjtë nga Sheshi i Bukureshtit, duke i konsideruar si fashistë, vandalë, elementë të degraduar fashistë, të droguar dhe të propaganduar. Kjo krijoi gjendjen e panikut dhe terrorit psikologjik në shoqëri. “Të gjithë forcat e ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme të mblidhen rreth godinës së qeverisë e televizionit për t’i dhënë fund forcave të këtyre grupeve ekstremiste, me qëllim që të mbrojmë demokracinë e arritur me shumë vështirësi”, deklaronte presidenti rumun. Mbrëmjen e asaj dite, 3 trena me 10 mijë minatorë erdhën nga Petroshani në Bukuresht. Minatorët u ndanë në 2 grupe. Iliesku i përshëndeti nga ballkoni i qeverisë dhe urdhëroi që të sulmonin studentët protestues.  “Ju falenderoj ju për reagimin nëpërmjet solidaritetit të punëtorëve që keni dhënë kohën tuaj. Delegacioni i minatorëve i drejtuar nga z. Kozma do të shkojë drejt Sheshit të Universitetit për të rimarrë zonën”, orientonte presidenti autoritar Çaueshku turmat e tij e mbështetësve të tij.

Përplasjet e dhunshme, minatorët bashkëpunuan me policinë, u vranë 6 qytetarë

Minatorët u angazhuan dhe vepruan si paramilitarë të armatosur me shkopinj hekuri, tuba uji, etj., në koordinim me policinë, shërbimin sekret rumun dhe Njësia Luftarake Speciale e Anti-terrorizmit (USLA) rrethuan dhe dhunuan studentët jo vetëm në Sheshin e Bukureshtit, por edhe Policinë e Bukureshtit, Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin e Inteligjencës së Rumanisë. Ata dhunuan me gjithçka që kishin në dorë protestuesit dhe ndihmuan policinë që t’i neutralizonte. Dëmet ishin të konsiderueshme, por më tragjikja ishte bilanci: 6 të vdekur, 1300 të plagosur dhe mbi 1200 të arrestuar. U shkatërruan gjithashtu selitë e partive opozitare, u vandalizuan dy drejtuesit e Partisë Kristiandemokrate Kombëtare e Fshatarëve dhe Partisë Kombëtare Liberale; Korneliu Koposu dhe Ion Ratiu. Edhe mediat opozitare nuk i shpëtoi agresionit të pamëshirshëm të shtetit. U shkatërrua zyra e gazetës “Rumania e Lirë”, po ashtu dhe “Baricada”, “Dreptatea”, etj. Madje, u ndalua nga minatorët dhe botimi i “Rumanisë së Lirë”. Këto ngjarje u raportuan në mënyrë skandaloze brenda vendit. Media, kupola shtetërore dhe faktorë të lidhur ngushtë me regjimin e konsideruan këtë operacion si “mposhtja e faqezinjve fashistë”. Por, shteti rumun e humbi konsideratën e mrië në Perëndim. SHBA kërcënoi se nuk do të merrte pjesë në ceremoninë e betimit të Ion Ilieskut si president i Rumanisë, kurse Këshilli i Europës dënoi rëndë veprimet e shtetit ndaj qytetarëve.

Iliesku “asfaltoi” rrugën drejt pushtetit, zhbëri Revolucionin e 1989

Në 15 qershor 1990, pasi korri me sukses vendosjen e “rendit dhe sigurisë” në mënyrë brutale duke përçarë shoqërinë, Iliesku iu drejtua minatorëve duke i vlerësuar për sakrificën që ata bënë për hir demokracisë”. Ju falenderoj sërish për atë se çfarë keni demonstruar në këto ditë. Jeni një forcë e madhe, me disiplinë punëtorësh dhe qytetari të lartë, jeni njerëz të shpresës dhe të aftë për t’u përballur në kohë të vështira”, përshëndeste presidenti rumun. Në 15 qershor 1990, Komiteti Superior Ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare kërkoi shfuqizimin e Komitetit të Aksionit për Demokratizimin e Ushtrisë, me pretendimin se ka luajtur rolin e forcave politike që kanë synuar destabilizimin politik dhe social me studentët.

Pjesëmarrësit: Minatorët bërtisnin ‘Vdekje intelektualëve’, u larguam nga atdheu

“Punëtorët shkatërruan gjithçka në universitetin tim dhe më goditën në kokë e dorë. Disa prej kolegëve të mi përfunduan më keq duke u arrestuar ose dërgoheshin në spital”, thotë një ish-student i arkitekturës që nuk tregon emrin për BIRN, i cili ishte pjesëmarrës në sulmin e minatorëve ndaj studentëve në 13-15 qershor 1990. Ai mbeti me trauma fizike, u kthye pas 5 vitesh në atdhe dhe iku përfundimisht në Suedi. “Kur po largohesha nga vendngjarja, dy pensionistë më panë të lënduar dhe thanë: Vafsh në djall, more atë që meriton!”, thotë ish-studenti. Slogani i punëtorëve dhe minatorëve që përdorën në “Mineriadën e 1990” ishin të tmerreshme si, “Vdekje intelektualëve!”, “Jemi punëtorë, jo mendimtarë”. Pas kësaj, mijëra studentë dhe profesionistë u larguan në emigrim drejt Perëndimit. Vasil Ene, themeluesi i shoqatës së viktimave të Mineriadës 1990, me profesion pedagog në shkencat sociale, pjesëmarrës në atë ngjarje shprehet: “Njerëzit mendonin me veten e tyre: Pse duhet të jetojmë me këta egërsira që na godasin në rrugë dhe bërtasin: ‘Ne punojmë, nuk mendojmë?!”.

Pse shteti veproi në këtë mënyrë kaq të shëmtuar?

Sipas një sociologu rumun, por dhe shumë qytetarëve e kritikëve, autoritetet e kohës shtetërore përdorën policinë sekrete duke u infiltruat te minatorët për t’i shtyrë drejt realizimit të objektivave të planifikuar në Bukuresht. Kjo u bë për të shkurajuar e vendosur frikën e terrorin në mënyrë që të mos krijohej opozitë. Ka akuza të rënda se janë kryer manipulime dhe propagandë, pasi u krijua urrejtje ndaj klasës urbane liberale, intelektualëve progresistë gjatë ekspozimit ndaj propagandës së diktaturës. Nga ana tjetër, paranoja dhe obsesioni i regjimit të ri për të vendosur kontroll social total në shoqëri.

Mineriada e tretë, Iliesku përdori sërish minatorët për të hequr kryeministrin

Në periudhën 24 shtator-26 shtator 1991, minatorët organizuan demonstrate kundër qeverisë së Petre Romanit. Kreu i sindikatës së minatorëve, Miron Kozma, i cili luajti një rol negative në Mineriadën e 1990, firmosi marrëveshjen me presidentin Ilesku që të pranohej rrëzimi i qeverisë së Romanit. Disa thonë se kjo u bë për të goditur Romanin në mënyrë që të favorizohej Iliesku. Madje, minatorët shkuan në Kryeministri, Parlament, u përplasën me policinë dhe kërkuan dorëheqjen e presidentit, por këtë të fundit nuk ia dolën. Vite më pas, ish-kryeministri Roman tha se ngjarja në fjalë ishte një grusht shteti, por u detyrua ta pranonte dorëheqjen. Në këtë “mineriadë” vdiqën 2 kalimtarë dhe 1 xhandar.

Ish-kreu i minatorëve Miron Kozma, ja historia e tij e errët

Miron Kozma, ish-kreu i sindikatës së Minatorëve, u dënua me 18 vite burg në 1999 për “Mineriadën” e 1991. Ai u kthye në një personazh kontrovers në shoqërinë rumune për shkak të implikimit në ngjarje të rënda dhe i përfolur si i lidhur fuqishëm me pushtetin politik. Kozma fitoi monopol në shitjet me pakicë të ushqimeve në 1991 për minatorët në Luginën Xhiulu. Në 16 qershor 1991, ai aksidentoi për vdekje një grua duke bërë parakalim të parregullt, por vetëm i hoqën licencën për 2 vite. Në shkurt 1999, pas “Mineriadës” së 1999, u dënua me 10 vite burg.  Presidenti Iliesku e fali në 15 dhjetor 2004, në prag të përfundimit të mandatit presidencial, por një ditë më pas, ai ndryshoi vendimin, duke e konsideruar të parin si të gabuar. Kozma u lirua në 2005 kur Gjykata e Apelit vendosi kundër anulimit të faljes së tij. Në shtator 2005, u dënua nga Gjykata Supreme me 10 vite burg për “Mineriadën” e 1999. Ai u lirua përfundimisht në 2007.

Iliesku shpëtoi nga “dara” e drejtësisë për “Mineriadën” e 1990

Në 13 qershor 2017, Ion Iliesku u mor i pandehur për krime kundër njerëzimit, së bashku me ish-kryeministrin Petre Roman, ish-zv/kryeministrin Gelu Voikan Voikulesku, ish-kreu i Shërbimit të Inteligjencës Rumune Virxhil Magureanu, ish-zv/prokurori i Drejtorisë së Hetimit Ushtarak, Mugurel Kristian Floresku, etj., për veprimet për gjatë mineriadës së qershorit 1990. Në maj 2019, Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe Drejtësisë vendosi që hetimi për Dosjen e Mineriadës së 1990 duhet të bëhet nga e para, duke gjetur paligjshmëri në aktakuzën e ngritur nga prokurorët ushtarakë dhe urdhëruan kthimin e saj në Zyrën e Prokurorisë.
 
Bindja e Vasil Ene: Iliesku nuk do të dënohet kurrë! Shteti po e mbon

“Vetëm 5 persona, 3 minatorë dhe 2 zyrtarë të shërbimi sekret që grabitën shtëpitëe shkatërruar të një lideri të opozitës, janë gjykuar”, thotë Vasil Ene në botimin e tij “Libri i zi i Mineriadave”. Në shkurt 1994, Gjykata e Bukureshtit shpalli fajtorë oficerët e sigurisë, kolonelin Ion Nikolae dhe oficerin Korneliu Dumitresku për plaçkitjen e shtëpisë së kryetarit të Partisë Kristiandemokrate Kombëtarëve të Fshatarëve, Ion Ratiu, ku morën 100 mijë dollarë. Aktivsti akuzon influencën politike në sistemin e drejtësisë që ushtrohet nga Iliesku dhe aparati i sigurisë shtetërore për shtyrjet e gjyqit. “Duke shtyrë vazhdimisht çështjet, ata po përpiqen të shpëtojnë Ilieskun”, tha Ene. Ai është i bindur se Iliesku nuk do të dënohet kurrë për krimet e kryera.

Iliesku shpëtoi dhe nga akuzat për krime kundër njerëzimit gjatë Revolucionit të 1989


Në 4 gusht 2022, ish-presidenti Iliesku u mor sërish i pandehurm për krime kundër njerëzimit, por këtë herë lidhur me Revolucionin e 1989. Ai u akuzua se përdori shfaqjet në televizion dhe shtyp për të krijuar psikozën e përgjithshme të terrorizmit në vend pas rënies së ish-diktatorit Çaushesku në dhjetor 1989. Bashkë me të u akuzuan ish-zv/kryeministri Gelu Voikan Voiçulesku, ish-komandati i Aviacionit Ushtarak Iosif Rus, ish-anëtar i Këshillit Provizor për Bashkimin Kombëtar të Rumanisë Emi Dumitresku. Sipas hetimeve gjatë Revolucionit Rumun në periudhën 22-30 dhjetor 1989, u përdorën 12.600.000 fishekë që shkaktuar vdekjen e 862 qytetërëve, plagosjen e 2150 të tjerëve, dëme psikologjike, arrestime masive, etj. Fillimisht dosja u dërgua në Gjykatën e Lartë të Kasacionit dhe Drejtësisë në 8 prill 2019, por në 2021 kjo gjykatë urdhëroi që dosja të kthehej në Zyrën e Prokurorisë Ushtarak pasi Gjykata Supreme përjashtoi disa pjesë të provave të marra nga Zyra e Prokurorisë Ushtarake.

Më të lexuarat