BREAKING NEWS

Arrestimi i Vangjush Dakos nga SPAK, vjen reagimi i parë nga opozita

Arrestimi i Vangjush Dakos nga SPAK, vjen reagimi i parë nga opozita
x
BREAKING NEWS

Pas Vangjush Dakos, arrestohet edhe ndërtuesi i pallatit (Emri)

Pas Vangjush Dakos, arrestohet edhe ndërtuesi i pallatit (Emri)
x
BREAKING NEWS

Gazetari i njohur zbulon detajet nga hetimi për arrestimin e ish-zyrtarëve të Durrësit dhe Vangjush Dakos

Gazetari i njohur zbulon detajet nga hetimi për arrestimin e
x
BREAKING NEWS

Publikohen emrat, ja kush janë ish-zyrtarët e Bashkisë Durrës të arrestuar nga SPAK

Publikohen emrat, ja kush janë ish-zyrtarët e Bashkisë
x
BREAKING NEWS

Operacioni i SPAK në Durrës, ja ku gjendej Vangjush Dako kur u lëshua urdhër-arresti

Operacioni i SPAK në Durrës, ja ku gjendej Vangjush Dako kur u
x
BREAKING NEWS

Pas arrestimit të Vangjush Dakos, reagon për herë të parë kryeministri Rama

Pas arrestimit të Vangjush Dakos, reagon për herë të
x
BREAKING NEWS

Urdhër arresti nga SPAK për ish kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako vetëdorëzohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

Urdhër arresti nga SPAK për ish kryebashkiakun e Durrësit,
x
BREAKING NEWS

Urdhër-arresti nga SPAK për Vangjush Dakon, gazetarja zbulon si paraqitet situata pranë banesës së tij

Urdhër-arresti nga SPAK për Vangjush Dakon, gazetarja zbulon si
x

Dossier

Kur ligjet dhe Kushtetuta ndryshohen për të deformuar demokracinë, Berisha dhe Rama tjetërsuan “dokumentin e shenjtë” në 2008 me telefon për të monopolizuar politikën, ja “krimet” e kryera ndaj sistemit politik në vend

Kur ligjet dhe Kushtetuta ndryshohen për të deformuar

Shqipëria po kalon periudhën më kritike politike në historinë e pluralizmit, teksa pas 33 vitesh vendi po shkon drejt një autokracie totale dhe rrënimit të opozitës parlamentare. Megjithatë, pavarësisht përgjegjësisë së liderëve aktual politik të vendit, ku pjesën më të madhe të fajit i takon Partisë Socialiste në pushtet, arritja në këtë pikë të pashpresë të sistemit politik e shtetëror të Shqipërisë duket se nuk ka qenë e rastësishme, përkundrazi është planifikuar me kalimin e viteve, ku çdo parti që siguronte skeptrin e pushtetit, si PS ashtu dhe PD, “çirrte” dhe “blindonte” ligjet e Kushtetutën sipas oreksit, me qëllim zgjatjen e “jetës” në krye të vendit. Por, pas 33 vitesh, mënyra e funksionimit të partive politike, fuqizimi i vazhdueshëm i 2 partive të mëdha, abuzimet skandaloze me pushtetin, degradimi ekonomik i vendit nga tenderët e investimet e frikshme korruptive, frustrimi social, etj., e kanë çuar shoqërinë në një pikë dëshpëruese, aq sa duket se po pranon lehtësisht dhe e dorëzuar, instalimin e një regjimi autoritar. Dy partitë që kanë udhëhequr vendin në këto 33 vite, PS dhe PD kanë ndërhyrë shumë herë në “dokumentin e shenjtë” të Kushtetutës duke arnuar ndryshime, dispozita, kompetenca gjithmonë në favor të tyre sipas legjislaturës. Por, ajo që konsiderohet si krimi politik më i madh në historinë e tranzicionit në Shqipëri, përveç tragjedive të shumta ekonomike, sociale, që kanë kushtuar me mijëra jetë njerëzish, është ndryshimi i Kushtetutës në 21 prill 2008, me dakordësinë e PD dhe PS. Këto ndryshime “historike” kushtetuese dhe me ngjyrë perëndimore, siç i konsideroi Sali Berisha 15 vite më parë, prodhuan një rrënim të vazhdueshëm e të pandërprerë të demokracisë politike, funksionimit të shtetit, bipolarizimit të shoqërisë dhe që konkludon sot me personalizimin absolut të pushtetit të kryetarit të mazhorancës, njëherazi dhe kryeministrit të vendit. Pas 15 vitesh, zëra brenda dhe jashtë sferës politike këmbëngulin për shfuqizimin e ndryshimeve kushtetuese të 2008, por nga klasa politike ka munguar vullneti, dëshira dhe mbi të gjitha ideja që këto anekse kushtetuese të “hidhen në kosh”. Gazeta “SOT” do të publikojë si dy partitë më të mëdha në vend, si asnjëherë më parë, bashkuan forcat për të hegjemonizuar jetën politike në vend për vitet e dekadat e ardhshme, si 9 deputetë të partive të vogla, mes tyre dhe kryetari i sotëm i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u futën në grevë urie, por nuk ia arritën dot të frenonin furinë Berisha-Rama për të monopolizuar ambientin politik në Shqipëri dhe se si janë shprehur aktorët kryesorë politikë pas shumë vitesh për ndryshimet kushtetuese të 2008. I vetmi që nuk është shprehur për ndryshimet kushtetuese të 2008, është kryeministri aktual Edi Rama, i cili po gëzon të gjitha privilegjet dhe përfitimet e paktit famëkeq me rivalin e tij Berisha.
Çfarë ishin ndryshimet kushtetuese të 2008? Berisha dhe Rama e zgjidhën me telefon
Pas 3 viteve në pushtet dhe në krye të opozitës, kryeministri i kohës Sali Berisha dhe Edi Rama vendosën 7 muajsh negociata që të ndërhynin brutalisht në Kushtetutën e Shqipërisë. Vite më pas, shumë zëra nga PS, PD dhe ish-Lëvizja Socialiste për Integrim kanë denoncuar se Kushtetuta e Shqipërisë u ndryshua me një bisedë telefonike mes Berishës dhe Ramë, me qëllim që të nxirrnin jashtë Parlamentit, kryetarin e asaj kohe të LSI, Ilir Metën, i cili ishte kthyer në armik të liderëve të pushtetit dhe opozitës. Pas muajsh të tërë përgatitje, PD dhe PS bashkuan votat në 21 prill 2008 (115 vota pro) për t’u dhënë fuqi absolute partive të tyre në çdo lloj skenari ndryshimi pushteti. Ndryshimet  u dekretuan nga presidenti i kohës Bamir Topi në tetor 2008. Këto ndryshime kushtetuese përmbanin një sërë ndërhyrjesh radikale kushtetuese: sistemi electoral u ndryshua nga mazhoritar i miksuar në proporcional rajonal, Presidenti i Republikës nuk zgjidhet më me shumicë të cilësuar, por me shumicë minimale (71 vota) në raundin e katërt dhe të pestë, Prokurori i Përgjithshëm nuk do ketë mandate të pakufizuar, por do drejtojë në një mandat 5 vjet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do riformatohet dhe numri i anëtarëve u shtua nga 7 në 9, për t’u dhënë mundësinë dhe 2 partive të kohës LSI dhe Partia Demokristiane të kishin zë dhe votë në komision. Gjithashtu, Avokati i Popullit do të zgjidhet me shumicë të cilësuar, që do të thotë, në rast se një parti në pushtet nuk ka 84 deputetë vetëm ose në koalicion, duhet të kërkojë ndihmën e opozitës. Këto mendime ndikuan dhe në ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë, si: Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësië dhe organet që pasuan më vonë. Por, një aspekt i tmerrshëm që s’mund të neglizhohet, gjë që u provua dhe në vitet pasardhëse, është se votëbesimin e qeverisë mund ta iniciojë me mocion vetëm kryeministri, kurse opozita s’ka asnjë fuqi. Megjithatë, “thembra e Akilit” qëndron te sistemi zgjedhor.
Përse u ndryshua sistemi zgjedhor? 2008 i hapi rrugën oligopolit PS-PD në politikë
Në vitin 2008, PD dhe PS arsyetuan se duhet t’i jepet fund fenomenit ku deputetë kthehen në “pashallarë” në zonat ku garojnë dhe arrijnë të fuqizohen nëpërmjet klientelizmave, korrupsionit, interesave të ngushta me 2 partitë e mëdha. Përballja mes kandidatëve në zonat zgjedhore u injorua e rrëzua pa kurrfarë shqetësimi nga deputetët demokratë dhe socialistë. Në vend të këtij sistemi u aplikua sistemi elektoral proporcional-rajonal, ku kandidatët nuk kanë nevojë të impenjohen individualisht në fushatë, por mjafton të pozicionohen në listat e kandidatëve, sipas preferencës dhe marrëdhënieve me kryetarët e partive. Kjo gjë shkaktoi që shumë persona pa kontribut publik madhor në politikë, të angazhohen fuqimisht në skenën politike shqiptare, por duke rrënuar besueshmërinë në elektorat dhe fuqizuar rolin e pushtetin të kryetarëve të partive. Aq më tepër, që prej vitesh, listat e kandidatëve për deputetë, u mbajtën të mbyllura, duke fshehur shumë pakte dhe kompromise interesash përfituese meskine. Kjo gjë bëri që për vite me radhë të mos krijohen breza të vërtetë politikanësh, por thjesht “leva” të lidershipit partiak. Sot ky model përzgjedhjeje dhe votimi të kandidatëve është kontestuar e sulmuar vazhdimisht në mediat dhe mbarë shoqërinë. Ky model zgjedhor bëri që të spastroheshin partitë e vogla dhe kandidatët e tyre të garonin me listat e partive tradicionale PD dhe PS. Përveç kësaj, sistemi proporcional rajonal e pamundësoi ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, duke e detyruar vendin të ecë gjithmonë në binarët “PS-PD”.
Absurditeti me 2008, nuk u bë referendum dhe juristët u injoruan nga politika
Ajo çfarë ishte e paprecedentë me ndryshimet kushtetuese të 2008, kishte të bënte me faktin se në vitet 1991, 1992, 1994 dhe 1998, këto propozime nuk morën parasysh as mendimin e konstitucionalistëve, juristëve, por mbi të gjitha as nuk u votuan në referendum popullor, ndryshe nga rastet e mëparshme. Kjo bëri që për vitet me radhë të asgjësohet “de facto” fuqia e referendumit në jetën politike në Shqipëri. Sot, ish-presidenti dhe aktualisht kryetari i PL, Ilir Meta ka trumbetuar me të madhe riaktivizimin e procedurës së referendumit.
Greva e urisë e Metës, Koçit dhe 8 deputetëve të tjerë në Kuvend, ja si u shprehën
Në nëntor 2008, deputetët e partive të vogla, kërcënuan me grevë urie në ambjentet e Parlamentit nëse kreu i shtetit të kohës, Bamir Topi dekretonte ndryshimet kushtetuese të votuara në 21 prill 2008 me 115 votat e mazhorancës dhe opozitës. Fillimisht, Ilir Meta, Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Spartak Ngjela, dhe Petro Koçi u takuan në vilën nr.4 dhe pasi gjetën heshtjen e presidentit, u futën në grevë. Në këtë grevë deputetësh u përfshinë Ilir Meta, Spartak Braho, Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Dritan Prifti, Nikollaq Neranxi (LSI), Petro Koçi (PSV-91) dhe Nard Ndoka, Ymer Tola dhe Frrok Gjini nga PDK. Ata akuzuan PS dhe PD se po deformonin procesin zgjedhor në Shqipëri, garantonin fuqizimin elektoral të tyre, rrënonin demokracinë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe KQZ, etj. Meta nisi luftën politike ndaj Berishës dhe Ramës duke i akuzuar se ndryshuan Kushtetutën në mënyrë arbitrare dhe klandestine. Madje, ai e akuzoi ish-bashkëpunëtorin e tij Rama, me të cilin 5 vite më vonë do të pajtohej, se po kthehej në njeri të pushtetshëm njësoj si kryeministri Sali Berisha. “Kushtetuta e Shqipërisë nuk mundet të ndryshojë, as në mënyrë klandestine, as në mënyrë korruptive dhe as në mënyrë arbitrare për të krijuar jo një, por dy Berisha në Shqipëri”, u shpreh Meta në ato vite.
Moikom Zeqo: 2008 bëri që mandatet e deputetëve të blihen
Në 11 qershor 2019, thuajse 1 vit para se të ndërronte jetë nga një sëmundje e rëndë në 15 qershor 2020, intelektuali Moikom Zeqo shprehu kritika të ashpra për ndryshimet e famshme kushtetuese të 2008. Në një intervistë për “Report TV”, Zeqo konstatoi se klasa politike në Shqipëri sa vjen e degradohet për shkak të modelit zgjedhor, ku persona anonimë, paguajnë për t’u futur në listën e deputetëve, njësoj si profesorët, doktorët që paguajnë për të marrë tituj. Ky fenomen, i quajtur “blerja e mandateve” është përhapur gjerësisht në shtetin shqiptar. “Ky ndryshim i kobshëm i Kushtetutës së vitit 2008 e ka marrë peng Shqipërinë, i ka bërë pra të 140 deputetë të zgjedhur në Parlamentin  e Shqipërisë me një strukturë katërvjeçare që, në vend të jenë njerëzit më të mirë që bëjnë Shqipërinë, janë njerëzit më të pasur, ata që paguajnë, siç paguajnë dhe marrin titujt profesorë, doktorë ose edhe se kanë mbaruar shkollat e larta, kur nuk e kanë mbaruar ende dhe janë edhe anonimë. Shumë më të ditur dhe të përveçëm dhe me kurajë kanë qenë deputetë e viteve të fillimit, ‘92-‘96 nga të gjitha partitë politike. Pastaj ndodhi që personalitet u zhdukën, sepse alkimia e zezë e ndryshimeve të 2008 bëri që ti je në listën e kryetarit të partisë dhe të partive dhe je një i klonuar”, shprehej ish-deputeti Zeqo në 2019.
Aurela Anastasi: Kushtetutën nuk e bëjnë vetëm politikanët
Në 24 shkurt 2014, konstitucionalistja Aurela Anastasi deklaroi në një intervistë për Revistën “JAVA” se klasa politike në Shqipëri duhet të heqë dorë nga ndryshimet kushtetuese me procedura të përshpejtuara, duke përjashtuar nga debati grupet e interesit dhe për më tepër nuk duhet të bëhet kthim pas në modelet e kaluara të Kushtetutës. Sipas saj, duhet të faktorë të ndryshëm shoqërorë të kontribuojnë në amendimet kushtetuese, jo vetëm deputetët dhe klasa politike në Shqipëri. “Sot, kur shtrojmë çështje që kanë të bëjnë më amendimet e Kushtetutës, duke sjellë në vëmendje ndryshimet e vitit 2008, nxjerrim dy mësime kryesore: në radhë të parë, nuk duhet të lejojmë më që ndryshimet në Kushtetutë të kryhen vetëm nga klasa politike dhe përmes procedurave formale e të shpejta, pa diskutime, pa debat, pa ekspertizë dhe pa pjesëmarrjen e grupeve të ndryshme të komunitetit; në radhë të dytë, nuk duhet të lejojmë që të kryhen ndryshime kushtetuese vetëm si ndëshkim ndaj asaj që ndodhi në vitin 2008. Pra, nuk mund të themi se sot ka ardhur koha që të ndryshojmë Kushtetutën për t’u rikthyer në variantin origjinal të Kushtetutës së vitit 1998. Ne do të shohim përpara dhe vetëm integrimi mund të justifikojë ndryshime në Kushtetutë, në këtë situatë”, deklaroi vite më parë Anastasi.
Ish-kryetari i GJK Abdiu: Ja paradoksi me Avokatin e Popullit dhe Presidentin
Në gusht 2011, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu kritikoi ndryshimet kushtetuese të 2008. Për gazetën “Panorama”, ai e quajti anakronike që Presidenti i Shqipërisë të zgjidhet me shumicë minimale, sipas fuqisë së partisë në pushtet, ndërsa Avokati i Popullit, një post shumë më poshtë në hierarkinë e shtetit në krahasim me presidentin, të zgjidhet me shumicë të cilësuar. “Por ai (Presidenti) është goditur shumë, sepse është ndryshuar mënyra e të zgjedhurit të tij, duke u dhënë mundësi mazhorancave të zgjedhin shumë më lehtë sesa Avokati i Popullit, sepse dhe këtë unë e vlerësoj. Por është anakronike që Avokati i Popullit zgjidhet me një shumicë të cilësuar, ndërsa Presidentin e Republikës mazhorancat mund ta bëjnë si të duan. Kjo ka sjellë atë që një mazhorancë, sado e dobët të jetë, mund të marrë nisma që të gjejë një President të vetin dhe të mos përfillë e të mos e vlerësojë opozitën apo dhe partitë e tjera parlamentare”, u shpreh Abdiu.
Abdiu: Kushtetuta e 2008 do fusë në konflikt Presidentin me Parlamentin
Së dyti, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese në vitet 1998-2004, Fehmi Abdiu kritikoi ashpër faktin që Parlamenti dhe Presidenti do kenë përplasje të vazhdueshme për sa i përket emërimeve në sistemin e drejtësisë, aq sa dobësoi kompetencat e kreut të shtetit. “E dyta, ndryshimet e 2008 e dëmtuan rëndë Presidentin edhe në një aspekt tjetër, sepse ai kryeson KLD-në, një organ shumë të rëndësishëm dhe prestigjioz, nga i cili rrjedhin dhe organet e tjera të Drejtësisë. Ju keni vënë re kohët e fundit dhe një përplasje mes Presidentit dhe Parlamentit lidhur me miratimin e kandidaturave të gjyqtarëve kushtetues dhe të lartë, që sipas meje, ka krijuar një situatë paradoksale në Shqipëri që nuk e besoj se e merr vesh njeri se si duhet vepruar”, deklaronte 12 vite më parë Fehmi Abdiu.
Afrim Krasniqi: Kushtetuta e 2008 krijoi ‘superkryeministrin’
Edhe ish-këshilltari i presidentit Bamir Topi në vitet 2010-2012, Afrim Krasniqi, i cili prej vitesh drejton Institutin e Studimeve Politike, i ka kritikuar ashpër ndryshimet kushtetuese të 2008. Në 28 maj 2021, në një prononcim për “A2 CNN”, ai deklaroi se ndryshimi i kryeministrave nga Parlamenti është thuajse i pamundur, pasi me këtë sistem elektoral, nuk krijohen dot grupe deputetësh në shumicë që të shkarkojnë me mocion mosbesimi një kryeministër.Kjo bën që partia që ka të gjitha pushtetet, mund të zgjedhë kë kryeministër dëshiron. Në këtë mënyrë, Krasniqi e konsideron postin e kryetarit të Këshillit të Ministraves si “superkryeministër”.  “Këtu kryeministri shkarkohet jo kur bëhet shumica e parlamentit kundër tij, por kur shumica përkrah një kandidat tjetër. Në historinë e Europës kjo ka ndodhur vetëm një herë. Ndarja e pushtetit nuk pranohet. E drejta e tyre konsiderohet si e pakufishme. Kjo është edhe një ndër arsyet që kemi pasur konflikte të vazhdueshme mes këtyre institucioneve. Për sa kohë ky raport nuk ndryshon, nuk është çudi që të kemi në të ardhmen situata të njëjta”, shprehej Krasniqi për “A2 CNN” në 2021.
“Shfajësimi” i Berishës: Kushtetuta e 2008 garantoi rajonalizimin e partive
Në emisionin “Open” në “News 24” në datën 5 maj 2022, ish-kryeministri Sali Berisha, tashmë në rolin e liderit “de facto” të PD, mbrojti ndryshimet kushtetuese të 2008. Ai i justifikoi këto ndërhyrje në sistemin zgjedhor si mundësi për PS dhe PD që të kishin deputetë, përfaqësues në të gjithë zonat e Shqipërisë, pra rajonalizimi. Berisha përdori si pretekst gjoja se kishte zona kur PS dhe PD nuk kishin deputetë, pra bastionet respektive.  “Cili ka qenë thelbi i ndryshimit të 2008-ës? Thelbi ka qenë rajonalizimi. Kam qenë pro, sepse PS, një parti e madhe, mbetej pa asnjë deputet nga Fushë Kruja në Vermosh, dhe kjo nuk ishte e drejtë, se kishte socialistë kudo, dhe ata s’kishin asnjë përfaqësues. E njëjta gjë thuhej për PD-në në rrethe të tëra. S’ka asgjë tjetër ai ligj, përveçse garanton rajonalizimin”, ishte arsyetimi i Berishës.
Meta, përfitues i “2008”: E bëmë Kushtetutën copa-copa!
Vite më vonë, 22 ditë para se të zgjidhej president i vendit me votat e PS dhe LSI së tij dhe në kohën kur Lulzim Basha kishte ngritur “çadrën” para Kryeministrisë për të mos hyrë në zgjedhjet parlamentare të 2017, Meta i konsideroi ndryshimet kushtetuese të 2008 si shkatërrimtare për demokracinë e shtetit dhe partive politike. Në 6 prill 2017, në emisionin “Arena” në “Ora News”, Meta vlerësoi se këto ndryshime kushtetuese të PS dhe PD, me të cilat bashkëpunoi fuqishëm nga 2009 deri në 2017, polarizuan shoqërinë dhe krijuan një konfliktualitet të madh. “Ne e kemi bërë copë-copë Kushtetutën që nga viti 2008. Ajo është e rëndësishme dhe e vlefshme kur qëndron mbi zgjedhje demokratike. Nuk e harroj asnjëherë grevën e urisë së vitit 2008. Bëmë një çadër brenda Parlamentit. Aty u goditën rëndë parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve. Pa dyshim kanë qenë efekte mjaft negative për gjithë jetën politike që është reflektuar në dobësim të madh të demokracisë së brendshme të partive për shkak të mënyrës si bëhen listat. Mund të themi se ky kod solli nga rreziku që shqiptarët të bëjnë zgjedhje, në zgjedhje konfliktuale bipolare. Në 2008 ajo grevë urie më ka bërë të jem i ndjeshëm jo vetëm për çështjen e zgjedhjeve, por edhe për ata që janë sot në çadër”, shprehej Meta në 2017.
Lulzim Basha: Kushtetuta e 2008 nuk u përgjigjet nevojave ulëritëse të shoqërisë
Nga krerët politikë pas 2008, Lulzim Basha ishte ndër të paktët politikanë që kërkoi zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008. Në 30 gusht 2021, pasi u votëbesua për herë të tretë, edhe pse humbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, Basha deklaroi në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike se Kushtetuta me arnimet e 2008 nuk i shërben më shoqërisë pasi ka shkatërruar balancat e pushtetit dhe po ndrysh demokracinë në vend. “E?shtë tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008 nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale", tha Basha në 2021.
Dekretoi paktin Berisha-Rama, Topi: Kushtetuta e 2008 u bë me biseda klandestine
Në 4 nëntor 2015, 3 vite pasi mbylli mandatin si president, Bamir Topi, në krye të partisë Fryma e Re Demokratike, dënoi ndryshimet kushtetuese të 2008, që i cilësoi se u kryen me biseda telefonike klandestine mes Berishës dhe Ramës. Ai dënoi krerët politikë në vend që nuk kërkuan kurrë falje për këto “atentate” ndaj Kushtetutës. Megjithatë, Topi dekretoi në 2008 ndryshimet e shumëdebatueshme të Kushtetutës dhe asnjëherë nuk arsyetoi se përse e bëri këtë akt, kur në fakt kishte rezerva dhe kundërshtime në vetvete. “Po kalojnë 8 vite nga prilli i vitit 2008, kur brenda një nate sikurse e mbani mend, ndryshoi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë me vullnet të deformuar mbi biseda klandestine, duke i sjellë një dëm demokracisë në Shqipëri. Përgëzoj zërat që i referohen asaj date për efektet negative, që pati ai ndryshim i befasishëm, në interes të dy individëve siç e kam thënë gjithmonë, por e rëndësishmja që konstatojmë ne është se ka pak përgjegjshmëri për të bërë një ‘mea culpa’ publike për atë që ndodhi”, shprehej Topi në 2015.
Dashamir Shehi në 2023: Të rrëzohet pakti Rama-Berisha për Kushtetutën e 2008
Deputeti i opozitës dhe kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi kërkoi zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008, që i cilësoi se u kryen e miratuan nga dyshja Berisha-Rama. Njëri prej protagonistëve të kundërshtimeve ndaj kësaj nisme famëkeqe në 2008, Shehi arsyetoi në 20 shkurt 2023 për “Euronews” se me këtë Kushtetutë, kryeministri në Shqipëri kontrollon çdo institucion dhe për më tepër, fuqizon jetën politike të Berishës dhe Ramës. “Nuk mjafton më rotacioni. Duhet ndryshim themelor esencial. Duhet ndryshim në çdo fushë të jetës publike shqiptare. Duhet rrëzim i marrëveshjes Rama-Berisha në 2008. Rrëzim të këtij sistemi kushtetues. Kryeministri nga marrëveshja është kryetar i Kuvendit, është kryetar i Gjykatës së Lartë, është Guvernator i Bankës. Shqipëria është e destinuar që ta drejtojnë vetëm dy veta”, tha Shehi.

 


 

Më të lexuarat