BREAKING NEWS

Pas arrestimit të Vangjush Dakos, reagon për herë të parë kryeministri Rama

Pas arrestimit të Vangjush Dakos, reagon për herë të
x
BREAKING NEWS

Urdhër arresti nga SPAK për ish kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako vetëdorëzohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

Urdhër arresti nga SPAK për ish kryebashkiakun e Durrësit,
x
BREAKING NEWS

Urdhër-arresti nga SPAK për Vangjush Dakon, gazetarja zbulon si paraqitet situata pranë banesës së tij

Urdhër-arresti nga SPAK për Vangjush Dakon, gazetarja zbulon si
x
BREAKING NEWS

Pas rinumërimit të votave në Belsh, KAS del me njoftimin e fundit

Pas rinumërimit të votave në Belsh, KAS del me njoftimin e fundit
x
BREAKING NEWS

SPAK urdhëroi arrestimin e Vangjush Dakos, gazetarja Klodiana Lala zbardh detaje të reja: Gjithçka nisi nga një pallat i dëmtuar nga tërmeti, hetimi përfshiu edhe...

SPAK urdhëroi arrestimin e Vangjush Dakos, gazetarja Klodiana Lala zbardh
x
BREAKING NEWS

Mbledhja e Kryesisë së PD, vjen menjëherë reagimi i Roland Bejkos

Mbledhja e Kryesisë së PD, vjen menjëherë reagimi i Roland
x
BREAKING NEWS

“Alibeaj mori 2 mln euro nga Rama”/ Plas keq në emision, deputeti demokrat ‘përplaset’ me gazetarin

“Alibeaj mori 2 mln euro nga Rama”/ Plas keq në emision,
x
BREAKING NEWS

Lajm i trishtë/ Ndërron jetë këngëtarja e famshme (Emri+Foto)

Lajm i trishtë/ Ndërron jetë këngëtarja e famshme
x

Dossier

Skandali i zgjedhjeve të 2011 në Tiranë, si Berisha përdori Ristanin dhe KQZ për t'i dhënë fitoren Lulzim Bashës, letra e Kadaresë dhe akuzat pas 10 vitesh mes palëve

Skandali i zgjedhjeve të 2011 në Tiranë, si Berisha përdori

Demokracia shqiptare gëzon sot thuajse shumë pak veti apo kritere i të qenit vërtet transparent, i drejtë, i hapur, i paanshëm dhe progresist. Shumë ngjarje politike të 33 viteve pluralizëm kanë provuar se Shqipëria është një nga shtetet me standartin më të ulët të shprehjes së lirisë, ushtrimit të votës, cilësisë së jetës, dhe me nivelet më të larta të korrupsionit, informalitetit, krimit të organizuar, pabarazisë në Europë, por dhe në botë. Është pranuar tashmë si aksiomë se demokracia fillon te respekti ndaj votës dhe në kapitullin e pluralizmit politik, Shqipëria ka një bilanc jo për të mos u shqetësuar lidhur me proceset zgjedhore. 1996, 2001, 2009, 2017 dhe 2021 janë atakuar shpesh për parregullsitë, ndërhyrjet e shtetit, manipulimet, shitblerjet e votave, deformim të rezultatit zgjedhor me përdorim të dhunës, ndër të cilat "stigmën" e mbajnë zgjedhjet parlamentare të 1996.

Basha, "karta" e Berishës përballë Ramës në 2011, Meta u hakmor ndaj ish-mikut të tij

Megjithatë, jo më pak për nga mënyra e procedimit një moment skandaloz, i shumëkontestuar është dhe rinumërimi i votave për zgjedhjet lokale të 8 majit 2011 në Tiranë, kur Lulzim Basha i ndërpreu dominimin 11 vjeçar Edi Ramës në bashkinë e kryeqytetit. Të gjithë e mbajnë mend se si u përmbys rezultati me 10 vota diferencë të kreut të kohës së opozitës ndaj kandidatit demokrat të preferuar të Sali Berishës pas numërimit në 11 KZAZ dhe rolin famëkeq që luajti Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me në krye Arben Ristanin, por mbi të gjitha dhe pushteti i kohës së komanduar nga Sali Berisha. Një dorë të mirë Bashës për të rivalizuar e fituar ndaj Ramës, i dha dhe Ilir Meta me votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ish-zv/kryeministri nuk ia falte ish-mikut të tij Prifti dhe Edi Ramës për demaskimin publik me videon e famshme "700 mijë euro". Pas më shumë se 10 vitesh, protagonistët e kohës kanë ndryshuar qëndrimet politike karshi njëri-tjetrit, një fenomen më se normal në skenën politike shqiptare ku aleatët dhe bashkëpunëtorët kthehen lehtësisht në kundërshtarë dhe armiq dhe anasjelltas. Gara e Bashës me Ramën pati dhe një specifikë të veçantë pasi pati një zë jashtë politikës që kërkoi stabilizim të klimës së nderë dhe kaotike të kohës. Shkrimtari Ismail Kadare i kërkoi publikisht Lulzim Bashës të tërhiqej nga gara pas 8 majit në shërbim të paqes politike në vend. Basha, nga ana e vet, e refuzoi kategorikisht një vendim të tillë. Gazeta "SOT" do të sjellë për lexuesit në një përmbledhje deklaratat e protagonistëve, procesin skandaloz dhe qesharak të numërimit të votave "live" për të gjitha mediat, ndryshimin e rezultatit, akuzat mes palëve dhe çfarë mbresash ka lënë te klasa politike shqiptare.

"Preludi" i betejës për Tiranën, Basha "ylli në ngjitje i PD", Rama kandidoi për ego

2011 ishte një vit i errët në politikën shqiptare. Zgjedhjet lokale të 8 majit pasonin tragjedinë e 21 janarit të atij viti pasi 4 demonstrues të pafajshëm u vranë nga Garda e Republikës para Kryeministrisë teksa protestonin kundër qeverisë së Sali Berishës dhe skandalit të video-përgjimit Ilir Meta-Dritan Prifti. Lulzim Basha ishte "ylli në ngjitje" i PD. Pa përvojë politike, ai u katapultua në 2005 pas fitores së demokratëve në zgjedhjet parlamentare si Ministër i Transportit. Në 6 vite, Basha njohu një ngjitje meteorike në pushtet duke u shpërblyer me postet e Ministrit të Jashtëm dhe atij të Brendshëm. I preferuari i Berishës mbante jo pak peshën e masakrës së 21 janarit pasi ushtronte detyrën e Ministrit të Brendshëm, përgjegjës për menaxhimin e rendit dhe sigurisë. Berisha dhe aleati i tij Ilir Meta, i cili edhe pse kishte dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet qeveritare pasi u demaskua nga ish-vartësi i tij Dritan Prifti në një video-përgjim në zyrën e të ndjerit Prifti, u angazhuan fuqishëm që të fitonin me çdo kusht "fortesën" elektorale të PS, bashkinë e Tiranës, e cila drejtohej për 11 vite rresht pa ndërprerje nga Edi Rama. Ky i fundit kishte marrë dhe rolin e liderit të opozitës dhe PS që nga 2005. Berisha konfirmoi zërat përpara se Basha do të ishte "kalorësi" i demokratëve në garën elektorale të 2011 ndaj Ramës. Nga ana tjetër, edhe pse iu këshillua që të mos kandidonte më për kryebashkiak të Tiranës për shkak të konsumit të madh në pushtetin lokal dhe rëndësia e përmbysjes së pushtetit me votat në zgjedhjet e ardhshme të 2013, Edi Rama vendosi që të kandidonte për herë të katërt, me qëllim frenimin e pushtetit të PD dhe Berishës, por dhe për kredo morale ndaj viktimave të 21 janarit 2011 dhe kauzës për rrëzimin e Berishës. Toni i betejës elektorale u vendos. Ilir Meta, i cili kishte jo pak vota të LSI në Tiranë, vendosi t'ia transferonte Lulzim Bashës në sfidën për të mposhtur e dobësuar Edi Ramën.

Rama fitoi me 10 vota diferencë, ndërhyrja e Arvizu dhe Berisha që tha se gara nuk mbaroi 

Siç ndodh rëndom në skenën politike shqiptare për shkak të polarizimit të fronteve partiake politike, fushata zgjedhore për 8 majin 2011 u karakterizua nga akuza të rënda mes palëve. Madje, për Tiranën, u raportua një rritje e dyshimtë e zgjedhësve, në krahasim me 2009, teksa u hodhën akuza për shumë shtetas kosovarë që kishin marrë pasaportizimin në kryeqytet, edhe pse në shumë raste nuk kishin kod banimi, sikurse e kërkon ligji. Në fund, pas një procesi të stërlodhshëm, kaotik, konfliktual dhe me shumë ndërprerje të numërimit dhe ndërhyrjeve të shpeshta të ambasadorit amerikan të kohës, Aleksandër Arvizu, Edi Rama triumfoi në një përballje epike me rivalin Lulzim Basha duke siguruar mandatin e katërt në krye të Bashkisë së Tiranës me 10 vota diferencë. Numërimi u shoqërua me festime dhe përplasje mes militantëve të të dyja palëve. Megjithatë, edhe pse Rama nxitoi të mbante fjalimin e fitores së Tiranës, e cila do të ishte kurorëzimi i suksesit në mbarë vendin të PS, festimet dhe atmosfera entuziaste e tij dhe PS, zgjati shumë pak. Një ditë më pas, Sali Berisha, i cili ishte i interesuar më shumë në këto zgjedhje të fitonte në Tiranë sesa në mbarë Shqipërinë, dha mesazhin e qartë se beteja për Tiranën nuk kishte mbaruar, duke nënkuptuar se në mes do të futeshin mekanizma të tjerë shtetërore. Ajo çfarë pasoi ishte me të vërtetë një diskreditim publik dhe politik i shtetit shqiptar.

Kadare i drejtohet me lutje Bashës: Tërhiquni nga gara, do t'i bënit mirë Shqipërisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të rihapte disa kuti të votave në Tiranë, duke përdorur argumentin e disa juristëve të PD se votat e Bashës ishin hedhur gabimisht në këto kuti për shkak të përdorimit të 4 fletëve të votimit për qytetarët. KQZ, e drejtuar në atë kohë nga Arben Ristani dhe me shumicë anëtarësh të koalicionit PD-LSI, miratoi rinumërimin e votave. Për 15 ditë, KQZ u ngujua duke u marrë me verifikimin e votave, ndërsa jashtë deputetë të PS dhe militantë të saj rrethuan godinën e KQZ dhe kërkuan çertifikimin e fitores së Ramës. Në mes të kësaj klime asfiksuese politike, në mënyrë të papritur, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare i kërkon Lulzim Bashës me një letër publike të tërhiqet nga gara për bashkinë e Tiranës në shërbim të stabilizimit të klimës politike në vend. Kadare i kujtoi Bashës dhe 21 janarin e atij viti. Shkrimari i madh e konsideroi tërheqjen si veprim madhor në shërbim të vendit dhe qytetarëve dhe i kërkoi Lulzim Bashës të vepronte si politikan madhor. "Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën   përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapështi. Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje  fare të paqartë, do t’ju propozoja një gjest , që, sot për sot është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare: tërheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie. Ndërkaq, meqenëse kanë lidhje me një pjesë të popullit shqiptar, do të doja t’ju jepja thelbin e mesazhit tim: Me këtë propozim, pavarësisht se si do ta kuptoni, unë ju nderoj. Propozimi për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush, por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin , që është shef i opozitës", janë disa fragmente të letrës së hapur të Kadaresë drejtuar Lulzim Bashës.

Basha refuzon lutjet e Kadaresë me letër të hapur: Nëse iki, s'ka demokraci

Edhe pse pati zëra të shumtë se Basha, i pafuqishëm të përballonte presionin publik dhe politi për zgjedhjet në Tiranë, tentoi të tërhiqej nga gara, ish-shefi i ardhshëm i opozitës në vitet 2013-2022, refuzoi lutjet e Kadaresë. Ndoshta, mund të aludohet se qe shefi i tij i kohës Sali Berisha ai që e detyroi të mos dorëzohej, por vetë Basha iu përgjigj po Kadarese me një letër të hapur, duke refuzuar me mirësjellje tërheqjen nga beteja elektorale me Edi Ramën. Po në 21 maj 2011, në të njëjtën ditë kur dhe Kadare i dërgoi lutjet e tij, Basha bëri të qartë në qëndrimin e tij publik se nuk kishte ndërmend të tradhëtonte votat e mbi 134 mijë qytetarëve në favor të tij. Basha arsyetoi se janë votuesit e tij që e detyrojnë të mos lërë në mes garën e tyre dhe se tërheqjen nga gara e shikonte si akt kapitullimi dhe minim të demokracisë, konkurencës dhe garës. Për kandidatin e kohës të PD për Tiranën, nuk mund të lejohej që Rama të qëndronte ende në krye të Bashkisë, pasi do të "faleshin" akuzat për politizim të institucionit të bashkisë, korrupsionit dhe abuzimeve me detyrën. "Nuk jam unë ai që vendos nëse do të bëhem apo jo kryetari i ardhshëm i Bashkisë. Ndërkohë që dhurimi në tavolinë ose pazaret në favorin tim apo të kundërshtarit, e dëmtojnë atë. Më mirë një garë deri në votën e fundit, sesa një garë e munguar. Duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë. Me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri. Çdo tërheqje e imja në këto kushte jo vetëm do të ishte një akt anti-demokratik, por besoj se nuk do të pranohej as nga rivali im për Bashkinë e Tiranës, sepse për pasojë, edhe legjitimiteti i vijimit të kryetarit aktual të Bashkisë do të ishte i kompromentuar", iu përgjigj Basha Kadaresë.

Skandali i zgjedhjeve të 2011 në Tiranë, si Berisha përdori

Ristani dhe KQZ u futën në lojë, numëruan votat e Bashës në kuti të gabuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vihet menjëherë në lëvizje për të përmbysuar situatën nga fitorja e Ramës në favor të Bashës. Falë shumicës së anëtarëve të mazhorancës në këtë institucion, u vendos të rinumërohen disa kuti votime, me "pretendimin" e juristëve të PD" se kishte vota në favor të Bashës që ishin hedhur gabimisht, jo në kutinë për kryetar bashkie, por në tjera, pasi zgjidheshin dhe këshilltarët bashkiakë. Edhe pse në shkelje të Kodit Zgjedhor, Ristani dhe KQZ miratuan këtë kërkese dhe filloi procesi i rinumërimit të votave. Pavarësisht se për 5 ditë me radhë u transmetua publikisht në media, nuk u zbulua kurrë se nga dolën këta vota. Edhe pse PD tentoi të bënte transparencë, në shumë procesverbale dalin më tepër vota se ato në kuti të numëruara. Vendosmëria e Ristanit për t'i dhënë fitoren Bashës arrin deri në kufijtë e arrogancës dhe delirit kur në replikat me juristët e PS në KQZ, Eridian Salianji dhe Genci Gjonçaj dhe atij të Partisë Komuniste, Idajet Beqiri (në atë kohë kandidoi për kryebashkiak dhe Hysni Milloshi) saqë shprehet se votat i shtoi Perëndia dhe injoron ankesat e juristëve të opozitës. Në momentin e shpalljes së rezultatit final, ku Basha del sipas KQZ fitues për zgjedhjet për Tiranë me 81 vota më shumë se Rama, Ristani urdhëron të nxirren me forcë Salianji dhe Gjonçaj, madje e tall Salianjin duke e quajtur "qeros". Pamjet janë aq skandaloze, saqë juristi i PS Eridian Salianji goditet me kokë nga një numërues i PD dhe nxirret forcërisht nga salla e KQZ. Edhe vetë OSBE-ODIHR, në raportin final për zgjedhjet e vitit 2011, e cilësoi këtë një “mbikalim” të ligjit. Më poshtë, ju sjellim një përmbledhjeve të replikave të mbledhjes famëkeqe të KQZ, kur u shpall fitues Lulzim Basha. PS akuzoi Berishën dhe Ristanin se vodhën publikisht votat. Sipas juristëve Gjonçaj dhe Salianji, KQZ shkeli kompetencat e veta, pasi duhej të bënte thjesht mbledhjen e votave për çdo 11 KZAZ të Tiranës. Edhe pse kërkoi të shikonte tabelat dhe procesverbalet e numërimit të votave nga KQZ, Ristani nu pranoi kërkesën e Gjonçajt. Ky i fundit u kundërpërgjigj se janë manipuluar tabelat e numërimit të votave.

Replikat, Beqiri: Mos u shtuan votat rrugës, Ristani: Po s'e di, mbase Perëndia!

Salianji: Kjo kuti...Mos, mos, mos! Një sekondë, o djali!
Ristani: Vazhdo, shprehu të lutem!
Salianji: Do ta kenë bërë ndonjë gabim, se hajdutët lënë gjurmë gjithmonë. Ti ke qenë një herë gjyqtar, unë jam avokati.
Ristani: Kujdes gishtin se mos mbulon shenjën!
Salianji: Një pyetje për KQZ, a është vlerësuar? (i fikin mikrofonin).
Ristani: Pyetje shumë e mirë. Fredi, çfarë thotë libri? Apo e lexuam mirë, se u tund. Fol e fol!
Beqiri: Thotë 2, se 2 janë aty.
Ristani: Ta gjejmë së bashku, edhe një gjë.
Beqiri: Po gjetët një gjë, po kush e mori, se e mori atë tjetrën. Është gjetur e Lul Bashës, po duhet gjetur dhe ajo tjetra!
Gjonçaj: Dëgjo, ti mund të bësh çfarë të duash, mund të shpallësh dhe rezultatin që ta ka xhepi, dhe jo atë që thotë Kodi.
Salianji: Me leje, mund të kontestojmë?
Ristani (duke qeshur): Po, po, vazhdoni kontestoni!
Beqiri: Procesverbali thotë 4. Janë 4, këtu dalin 5. Nga doli kjo e pesta?
Ristani: Ja që doli. Gjendja e faktit aq ishte, 5.
Anëtari i KQZ: Zoti kryetar, grupi i rinumërimit ka bërë shënim që janë 5.
Ristani: Po ç'rëndësi ka 4 apo 5. Janë aq sa janë. Ne i hapim, i gjejmë, i rinumërojmë, pastaj i fusim prapë brenda. S'i merr njeri!
Idajeti: Jo, po kush i solli? Se mos janë shtuar rrugës.
Ristani: Po Perëndia, mbase.
Ristani: Pse doni, mor burrë i dheut, të zhvlerësoni votën e popullit?
Gjonçaj: Ju nuk e keni merakun të çoni votën te qytetari, atje ku duhet. Nuk është ky meraku juaj. Meraku juaj është të rregulloni numrat e tij që nuk ka fituar.
(Përplasje duarsh në tavolinë, pa mikrofon)
Ristani: Vazhdojmë me rendin e ditës. Nuk ta jap fjalën!
Ristani: Të lutem, largoje atë qerosin që andej. Hiqe që andej! O djema, largojini këta djemtë
Salianji: Turp të kesh!

Si ndryshuan raportet më pas? Basha në 2021: E nxora Berishën nga fushata ime në 2011

Por, nga ajo kohë deri në shtator 2021, raportet mes Bashës, Berishës dhe Metës ndryshuan 180 gradë. Pasi e pezulloi nga grupi parlamentar i PD në 9 shtator 2021 për shkak të statusit "non grata" nga SHBA, Berisha akuzoi Bashën, dikur "të birin politik", se po bënte marrëveshje për ndarje pushteti me Ramën dhe po shkatërronte opozitën. Basha e konsideroi Berishën, Ramën dhe Metën si 3 politikanët që kanë shkatërruar Shqipërinë me keqqeverisjen e tyre, duke i quajtur "Trekëndëshi i Bermudës" (trekëndëshi i së keqes). Në përpjekje për të fituar kapital politik në një moment kur baza e demokratëve iu kthye kundër, Basha tentoi t'i jepta merita vetes për liberalizimin vizave, për hyrjen e Shqipërisë në NATO në 2009 dhe mbi të gjitha, për fitoren pa mbështetje nga Berisha në Tiranë në 2011. Në një intervistë për "Neës 24" në 12 nëntor 2021, Lulzim Basha befasoi duke thënë se e mbajti Berishën jashtë fushatës së PD në Tiranë në 2011, me vendim personal. "Nuk e kam thënë çelësin e fitores deri më sot, por tani është momenti ta them. Ka qenë vendimi për të përjashtuar Sali Berishën nga fushata për Tiranën", shprehej Basha. Madje, ai filloi ta akuzonte Berishën për 21 janarin dhe dhunën e ushtruar ndaj demokratëve në kongreset e 1995 dhe 1999. Por, pamjet e kohës së fushatës së Bashës në 2011, tregojnë momentet kur përqafohet dhe puthet me Berishën në tribunë.

LSI "e tradhëtuar" nga Basha: Fitove në 2011 me votat tona, Milloshit dhe 'dorën' e Ristanit

Pas dështimit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, Basha prishi marrëdhëniet me aleatin LSI dhe i akuzoi për humbje të votave të opozitës. LSI iu hakërrye duke e akuzuar se nuk pati asnjë meritë në fitoren e 2011 për Bashkinë e Tiranës. Në nëntonr 2021, pas intervistës së Bashës në "News 24", deputetja e LSI, Erisa Xhixho sulmoi ish-liderin e opozitës se fitoi me 23 mijë vota të LSI, 1500 vota të kandidatit komunist në 2011 për Tiranën, Hysni Milloshi dhe 50 votat të mbrojtura nga Ristani në KQZ. “Tre çelesat e fitores të z.Basha në Bashkinë e Tiranës në 2011: 1) 23 mijë votat e LSI për ty që kurrë si meritove, 2) 1500 votat që Hysni Milloshi ia hoqi Edi Rames si aleat i LSI dhe i regjistruar prej saj, 3) 50 votat që t’i mbrojti Arben Ristani si Kryetar i KQZ", shkruante Xhixho.

Ristani: Transparenca e numërimit të votave në 2011 kapi kulmin, Basha fitoi nga unë

Edhe Ristani, i cili u shpërblye pas 2011 nga Berisha si deputet në Vlorë dhe u zgjodh më vonë Sekretar i PD, u kthye në "armik" Bashës. Në 2017, Basha e renditi të 4-tin në listën Vlorës duke i hequr mundësinë të zgjidhej deputet. Sot, Ristani është bërë palë me Berishën dhe "Foltoren" që rrëzuan Bashën dhe rimorën PD. Në korrik 2019, në mënyrë befasuese, ai i konsideroi numërimet e votave për bashkinë e Tiranës në 2011 si kulmin e transparencës publike, edhe pse shkeli me të dyja këmbët Kodin Zgjedhor. "Në zgjedhjet vendore të vitit 2011, transparenca ariti kulmin dhe shqiptaret i numëronin votat një e nga një nga televizori i shtëpisë", komentonte 3 vite më parë Ristani. Më pas, në shtator 2021, në një intervistë televizive, Arben Ristani tregohet gati më i sinqertë se kurrë për 2011. Ai shprehet se qe merita e tij që Basha u zgjodh kryebashkiak ndaj Ramës, por nuk pranoi se bëri shkelje të ligjeve zgjedhore. "Por që ka vlejtur, që Basha edhe një fitore që ka në jetë, paskam qenë edhe unë aty. Mandatin Bashës ia ka dhënë ligji nuk ia kam dhënë unë”, tha ai.

Më të lexuarat