Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një seri raportesh për kontrolle në Bashki të ndryshme në vend dhe emëruesi i përbashkët në të gjithë raportet janë detyrimet e pa mbledhura nga ana e këtyre institucioneve. Kështu KLSH i ka rekomanduar Bashkisë Berat që të marrë masa dhe të ndjekë të gjitha procedurat administrative dhe ligjore për arkëtimin e detyrimeve për taksat dhe tarifat vendore në vlerën 382.5 milionë lekë nga taksapaguesit të biznesit, institucione shtetërore, familjarë, fermerë, individë etj, vlerën prej 3.8 milionë lekë të gjobave të vëna nga IMT për kundra vajtje nga personat fizik/juridik, si dhe vlerën prej 1.5 milionë lekë të tarifës së qirasë nga qiramarrësit e aseteve në pronë/përdorim të Bashkisë, raporton “Monitor”. Një tjetër bashki që duket se ka të njëjtin problem është edhe në Bashkinë Krujë, ku rezulton se gjendja e debitorëve progresiv për subjektet fizik/juridik, në fund të vitit 2022 rezultojnë 2,412 subjekte debitorë në vlerën 613 milionë lekë, ndërsa detyrim i krijuar gjatë vitit 2023 rezulton në vlerën 102 milionë lekë, dhe në fund të vitit 2023 rezultojnë 2488 subjekte në vlerën 715 milionë lekë.
Bashkia Durrës
Në Bashkinë Durrës KLSH konstaton se vlera e debitorëve nga taksat dhe tarifat vendore në fund të vitit 2022 prej 165 milionë lekë, është e pasaktë, pasi kjo vlerë i përket vlerës debitorëve të krijuar në vitin ushtrimor 2022. Nga të dhënat e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore vlera progresive në datë 31.12.2022 e debitorëve nga taksat dhe tarifat vendore është në vlerën 799 milionë lekë, duke sjellë një mosrakordim për vlerën 634 milionë lekë. Në Bashkinë e Korçës audituesit kanë dalë në përfundimin se detyrimet nga taksat dhe tarifat e bizneseve, në vlerën 203 milionë lekë kurse detyrime nga taksat dhe tarifat vendore për familjet në vlerën 234 milionë lekë.
Bashkitë Skrapar dhe Fier
Një auditim i ngjashëm në Skrapar ka nxjerrë gjithashtu detyrime të papaguara dhe të pa arkëtuara nga ana e Bashkisë. Konkretisht nga auditimi i të dhënave në lidhje me detyrimet e tatimpaguesit nga taksat dhe tarifat vendore që kanë ndaj Bashkisë Skrapar, u konstatua se deri më datën 31.12.2022, borxhi tatimor është në vlerën 85.8 milionë lekë. “Përgjatë vitit 2022 vlera debitore e krijuar është 9 milionë lekë, si dhe vlera debitore e krijuar gjatë vitit 2023 është 10.6 milionë lekë. Për Bashkinë e Fierit KLSH ka nënvizuar se nuk janë marrë masa të plota për arkëtimin e detyrimeve të prapambetura nga debitorët, duke bërë që detyrimet e pa arkëtuara për taksat dhe tarifat vendore në mënyrë progresive më datën 31.12.2022, në kenë vlerën 236.8 milionë lekë. Në të gjithë rastet KLSH ka kërkuar që të merren masa për arkëtimin e këtyre detyrimeve nga ana e Bashkive.
Bashkitë Përrenjas dhe Kolonjë
Më herët edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar pesë bashki gjatë 2023-shit dhe tregon se ka problematika në arkëtimin e taksave vendore, rritjes së borxhit tatimor apo detyrimeve të përgjithshme. Bashkia Kamzë ka 323 mln lekë detyrime të prapambetura, tregon KLSH teksa i kërkon drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, të marrë masa për arkëtimin e detyrimeve për taksat dhe tarifat vendore. “Sipas të dhënave edhe pse vazhdojnë procedurat mbledhjes me forcë të detyrimeve, rezultojnë se nga 444 subjekte debitorë në vlerën 121 milionë lekë, janë aktiv 404 subjekte ose 91 % e totalit të cilët nuk kanë paguar taksa dhe tarifa në vlerën 117 mijë lekë ose 79 % e vlerës së debitorëve” thuhet në auditim. KLSH ka audituar dhe bashkinë e Përrenjasit, ku janë krijuar 18.3 mln lekë debite nga subjektet fizike dhe juridike dhe 45 mln lekë nga familjarët. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Cërrik, ku 40 mln lekë janë detyrime debitorë nga subjektet dhe 31.7 mln nga familjarët. Bashkia e Kolonjës ka kaluar po ashtu në auditin e KLSH-së ku u konstatua se kanë qenë debitor 28 subjekte të biznesit të madh në vlerën 4.6 milionë lekë, 67 subjekte të biznesit të vogël në vlerën 3.4 milionë lekë dhe 1 institucion në vlerën 661 mijë lekë. Bashkia e fundit e audituar është ajo e Hasit për të cilën KLSH ka nënvizuar se vlera e detyrimeve më 31.12.2022 është 11.3 milionë lekë ndërsa vlera e borxhit e krijuar gjatë vitit 2022 është 4.6 milionë lekë. Ndërkohë gjendja e debitorëve progresiv në fund të vitit 2022 është në vlerën 42.5 milionë lekë.