Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë punimeve të Kongresit të PS-së, foli për objektivat për zhvillimin e sektorit bujqësor drejt Shqipërisë 2030.
Duke u ndalur te dixhitalizimi, ministrja theksoi se me 23 mijë klikime të regjistruara tani çdo fermer merr çdo informacion në kohë reale për tregjet e çmimet e prodhimeve.
“Kemi realizuar 100 % kadastrën e vreshtit dhe kemi realizuar 57 % atë të ullirit. Në 2030 angazhim për afrimin me BE-në, por edhe për bujqit e fermerët është realizimi i kadastrës së tokës 100 %”, theksoi ajo.
Denaj bëri të ditur se javës që vjen disbursohen fondet e fundit për skemën e naftës, ku për herë të parë këtë vit 65 mijë fermerë dhe bujq që kanë aplikuar e marrin të plotë skemën.
Objektivi i radhës, sipas ministres, është një skemë që kalon fragmentarizimin. “Dhe këtu bashkimi i operatorëve është postulat”, theksoi ajo.
Duke folur për agroturizmin, Denaj tha se është transformuar mënyra si zhvillohet ekonomia e vogël bujqësore.
“Një agroturizëm ka marrëdhënie të drejtpërdrejt me 20 familje, ka 11 ha tokë të angazhuar dhe 9 punonjës të drejtpërdrejt ku 70 % menaxhohen nga gratë. Kjo tregon zhvillim të qëndrueshëm përfshirës të të gjitha shtresave”, tha ajo.
Ministrja theksoi se prioritet mbetet realizimi i prodhimit “Made in Albania”.
“Ne flasim për eksporte 1 miliard, por falë 10 milionë turistëve deri në fund të vitit ne kemi tejkaluar eksportet me konsumin e brendshëm me 1.5 herë. Kur të arrijmë në 20 milionë turistë në vitin 2030 ne tejkalojmë eksportet tona me 1 miliard dollarë dhe prodhimin e brendshëm me 1.8 miliardë dollarë në 2030”, shtoi Denaj.