Inteligjenca Artificiale do të prekë pothuajse 40% të vendeve të punës në mbarë botën, duke zëvendësuar disa dhe duke plotësuar të tjerat. Ne kemi nevojë për një ekuilibër të politikave për të shfrytëzuar potencialin e ri, u shpreh nëpërmjet në blogu, Kristalina Georgieva, Drejtoreshë Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ajo tha se bota është në prag të një revolucioni teknologjik që mund të nxisë produktivitetin, rritjen globale dhe të rrisë të ardhurat në mbarë botën. Megjithatë, mund të zëvendësojë vendet e punës dhe të thellojë pabarazinë. Përparimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale ka mahnitur botën, duke ngritur pyetje të rëndësishme në lidhje me ndikimin e mundshëm në ekonominë globale. Efekti neto është i vështirë për t’u parashikuar, pasi IA do t’i prekë ekonomitë në mënyra komplekse. FMN sugjeron se shtetet duhet të krijojmë një seri politikash për të shfrytëzuar në mënyrë të sigurt potencialin e madh të IA në dobi të njerëzimit. Shumë studime kanë parashikuar gjasat që vendet e punës të zëvendësohen nga IA. Megjithatë në shumë raste, IA ka të ngjarë të plotësojë punën e njerëzve. Gjetjet e analizës së FMN janë befasuese. E para, pothuajse 40% e punësimit global është e ekspozuar ndaj IA. Historikisht, automatizimi dhe teknologjia e informacionit kanë tendencë të ndikojnë në detyrat rutinë, por një nga gjërat që e veçon IA është aftësia për të ndikuar në punë me aftësi të larta. Si rezultat, ekonomitë e përparuara përballen me rreziqe më të mëdha nga IA, por edhe më shumë mundësi për të shfrytëzuar përfitimet e saj, krahasuar me tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim. Në ekonomitë e përparuara, rreth 60% e vendeve të punës mund të ndikohen nga IA. Përafërsisht gjysma e punëve të ekspozuara mund të përfitojnë nga integrimi i IA, duke rritur produktivitetin. Për gjysmën tjetër, aplikacionet e IA mund të ekzekutojnë detyra kyçe të kryera aktualisht nga njerëzit, të cilat mund të ulin kërkesën për punë, duke çuar në paga më të ulëta dhe reduktim të punësimit. Në rastet më ekstreme, disa nga këto punë mund të zhduken. Në tregjet në zhvillim dhe vendet me të ardhura të ulëta, ekspozimi i IA pritet të jetë përkatësisht 40% dhe 26%. Këto gjetje sugjerojnë se tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim përballen me më pak ndërprerje të menjëhershme nga IA. Në të njëjtën kohë, shumë prej këtyre vendeve nuk kanë infrastrukturën ose fuqinë punëtore të aftë për të shfrytëzuar përfitimet e IA, duke rritur rrezikun që me kalimin e kohës teknologjia mund të përkeqësojë pabarazinë midis kombeve.