Punonjësit e sektorit shtetëror nga 1 korriku kanë një pagë të re. Dy ditë më parë hyri në fuqi rritja për 135 mijë punonjës, që nga ushtria deri tek burgjet, arsimi e shëndetësia. Eksperti i njohur i ekonomisë, Kujtim Hoxha teksa ka komentuar vendim, ka thënë se pagat e administratës shtetërore duhet të jenë të konkurruese me pagat e vendeve fqinje. Sipas tij, që të ndodhë një rritje e madhe e pensioneve, duhet që qeveria të shkurtojë numrin e punonjësve në administratë. Në intervistën për gazetën “SOT”, Z. Hoxha tha se ky vendim është me benefite për të dyja palët, pasi ka një fryrje në administratë dhe në fund nuk ka as produktivitet. Po ashtu eksperti paralajmëron dhe rritje pagash në privat.
-Zoti Hoxha, prej 1 Korrikut hyri në fuqi vendimi për rritjen e pagave, si e komentoni këtë vendim?
Në këndvështrimin tim unë e konsideroj të nevojshme rritjen e pagave në të gjitha nivelet, jo vetëm në shtet por në të gjitha nivelet, pasi ne po shkojmë drejtë Evropës dhe kjo e fundi ka disa kritere për të na pranuar. Duhet të ketë gradualisht duke u shtuar pagat e administratës shtetërore të jenë të konkurruese me pagat e vendeve fqinje. Kjo është një nga shkaqet kryesore të lëvizjes së trurit dhe të emigrimit të qytetarëve shqiptar drejt vendeve me paga më të larta. Me një politikë të tillë duke i ngushtuar pagat me vendet e Europës, njerëzit kanë tendencë të qëndrojnë në vendin e tyre. Kam një vërejtje me zbatimin e këtij vendimi të qeverisë, sepse është shkurtuar numri i qytetarëve shqiptar dhe në këtë këndvështrim nuk e di si qeveria mund të argumentojë duke mbajtur një administratë të fryrë, janë 135 mijë punonjës shtetëror, janë jo produktiv pasi punojnë por nuk shtojnë rendimentin e produktivitetit. Ndërkohë kur teknologjia ecën përpara me e-Albania, paga vjen në rritje por sëpari duhet të bënin një pastrim në administratë duke e pastruar në 50% dhe më pas të rrisin pagat pasi nuk ka kuptim që të fryhet administrata dhe këto të ardhura që sigurohen në sektor jetik të vendit të paguanin pagat e administratës. Nëse do të ishte normale, 15% do ishte normalja në rajon ndërsa ne e kemi 27% në raport me punonjësit që punojnë të siguruar brenda vendit, gati 800 mijë. Pra, 27% është e fryrë administrata shtetërore dhe është e pajustifikueshme kjo shifër në raport me produktivitetin. Dhe % duhet të bie në nivelin e vendeve të Ballkanit Perëndimor e do të ishte e motivuar dhe e arsyetuar që administrata të marr një pagë më të lartë por me një numër të përgjysmuar punonjësish. Të gjitha të ardhurat që sigurohen në sektorë jetik të vendit, shkojnë direkte në shërbim të pagave të administratës. Ka një raport midis kategorisë shërbyese dhe asaj prodhuese, dhe administrata është në sektorin e shërbimit e si e tillë nuk mund të shtojë të ardhurash. Ka një problem pasi në 10 vitet e fundit administrata është shtuar në 50 mijë punonjës, ku vetëm në sektorin e Policisë numri i efektivëve është rritur 15 herë më shumë krahasim me vitet e mëparshme.
-Cilat janë kategoritë që përfitojnë nga ky vendim për rritje page?
Rritjen e pagës e përfitojnë të gjithë ato të cilët pagat i kanë nën nivelin mesatar dhe ata që janë mesatar e duke u ngritur në nivel mbi mesatar. Është një politikë qeveritare e cila stimulon këto kategori duke i ndarë në grupe edhe në klasa, e duke marrë parasysh vjetërsinë e punës dhe pozicionin e punës së punonjës e si e tillë duke ndikuar në caktimin e masës për marrjen e më shumë apo më pak të pagës. Ndaj, merren një sërë faktorësh në pagën që merr një punonjës, qytetar i këtij vendi.
-A ndikon rritja e pagave të administratës në rritjen e pensioneve e sidomos atë minimal?
Këmbëngul gjithmonë që shteti në të mirë të tij do të ishte të shkurtonte numrin e punonjësve në administratën publike pasi nuk ka kuptim që paratë e grumbulluara t’ia jap administratës dhe më pas t’ua mbledh sërish kësaj kategorie e më pas t’ua shpërndajë pensionistëve. Kjo gjë është e pakuptimtë që i jep me dorën e majtë dhe ua merr me të djathtën por mund t’ua jepte direkte pensionistit dhe më pas mund t’ia kalonte direkte pensionistit pa shtuar shpenzimet e tepërta të pa argumentuara në pagesë e qoftë në paga për administratën shtetërore. Të gjithë ato që paguhen në mënyrë të padrejtë për taksapaguesit pasi duket sikur mblidhen dhe më pas ua jep pensionistëve. Shteti i ka që përpara rritjes së politikave të pagave. Do të ishte në të mirë të saj shkurtimi i vendeve të punës pasi këto të fundit shtyjnë njëri-tjetrin ku në një zyrë tani janë 4 veta me dy karrige, ku dy veta ulën për të punuar e dy veta konsiderohen si joproduktiv. Nuk kryhet shërbimi akoma dhe qytetarëve nuk iu ofrohet shërbimi i nevojshëm. Por, çdo punë që bëhet duhet arsyetuar e jo të qëndrojnë parazit.
-Kjo rritje e pagave në administratë a do të ndikojë edhe në sektorin privat?
Sigurisht që po, në fokus të qeverisë pas rritjes së pagave në sektorin publik, shteti çdo vit rrit në referim minimal vlerën për efekt të dredhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore. E si e tillë kjo gjë i bën të detyrueshëm që të gjithë të paguajnë sigurimet shoqërore jo më pak se pagën minimale. Çdo vit është parashikuar me ligj që të rishikohet dhe rivlerësohet dhe të ndikojë për rritjen duke sjellë rezultate kontribuuese. Edhe në privat nuk mundet të grumbullojë të ardhura për vitet e pensioneve pa rritur pagën minimale.
Intervistoi: Xhoana Vraniçi