Kreu i qeverisë Edi Rama, dje në fjalën e tij gjatë asamblesë së zgjeruar të Partisë Socialiste në Vlorë, u shpreh se një lajm tjetër i mirë është ulja e borxhit dhe rritja e investimeve. Ai theksoi se ka ulje të borxhit me rreth 60%. “Tjetër shifër domethënëse është borxhi publik.
Ne, për shkak të tërmetit, pandemisë dhe të thellësisë së këtyre krizave u gjetëm në kushtet kur na u desh të rrisnim borxhin në mënyrë shumë të konsiderueshme, deri në 75%, por me buxhetin e vitit 2024, që do ju them dhe disa gjëra kryesore, ne njëkohësisht kemi ulje të borxhit rreth 60%, pra 15 pikë më poshtë. Rritja investimeve nga njëra anë, ulja e borxhit nga krahu tjetër, tregues kuptimplotë për të cilin FMN ka theksuar se ekonomia shqiptare është nga më rezistentet në rajon.
Kjo rezistencë e ekonomisë shikohet në komponentë të tjerë. Inflacioni tanimë është futur në një rrugë progresive uljeje dhe do të kthehet në normën e zakonshme mes 2-4%. Kemi monedhë të fortë, si rezultat i forcimit të ekonomisë”, nënvizoi Rama.