Kryeministri Edi Rama ka komentuar dje planin e Motivimit të Administratës Publike, që përfshin rritjen e pagave për vitin 2024, fleksibilitetin e orarit në punë, vlerësimin e performances së punonjësve si dhe një seri masash mbështetëse për mbarëvajtjen e punës në Administratë dhe trajtimin e punonjësve. Rama tha se në qershor do të ketë rritje pagash për administratën publike. “Në qershor hyn në fuqi rritja e re pagave dhe kështu të gjithë do të kenë rritje në pagën e tyre dhe të arrijmë objektivin që kemi shpallur që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 euro. Nuk diskutohet. Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që keni. Paga e radhës do të jetë paga e rritur dhe është një rritje e konsiderueshme po të marrim parasysh totalin. Edhe më shumë do të jenë. Është një rritje domethënëse për një periudhë të caktuar kohe. Do të rrisim mbështetjen për pensionistët”,tha Rama. Nga ana tjetër, Rama shtoi edhe se më parë për administratën publike ishte krijuar ideja se janë një çerdhe djajsh, por sot sipas tij, duke parë punën që ka bërë për integrimin ne BE, mund të thotë se është në aset kombëtar.
Detajet
Pikat kryesore të planit të motivimit janë prezantuar dje nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni. Ministrja Pirdeni theksoi se reformat e nisura kanë filluar të japin frytet e para, duke shndërruar sektorin publik si një punëdhënës tërheqës dhe shpërblyes. Ndryshimet vijnë me një valë të re të përqendruar tek transformimi i institucioneve dhe modernizimi. Një pjesë thelbësore e këtij transformimi është “Paketa e Motivimit për Administratën Publike” që përfshin fleksibilitet të orarit të punës sipas nevojave që kanë punonjësit e administratës dhe përmirësim të kushteve të punës.
Orari i punës do të jetë 09.00 me 15:30
Ajo e nisi me fleksibilitetin e orareve në punë. “Kemi diskutuar me të gjithë ata që e jetojnë përditshmërinë e punës në administratë për të sjellë ato ndryshime jo domosdoshmërisht sikurse e mendojmë ne, po ashtu siç vetë punonjësit dhe qytetarët si marrës të shërbimit kanë nevojë që të ndryshojë. E para ndër kërkesat tuaja ka qenë garantimi i fleksibilitetit të orarit. Ndaj dëshiroj të ndaj me ju lajmin e mirë që brenda këtij viti do t’iu mundësohet punonjësve të alternojnë dhe përzgjedhin nisjen e orarit ditor të punës, sipas agjendës që dikton dhe jeta familjare, dhe shoqërimi i fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe shkolla. “Teksa të gjithë duhet të jemi në punë brenda një fashe orare të përcaktuar 09.00 me 15:30, kolegët mund të përzgjedhin që ta nisin ditën e tyre më herët dhe ta përfundojnë më herët dhe e anasjella, praktikë kjo tashmë e aplikuar në disa vende të Evropës, dhe që natyrisht i përjashton ato njësi që kanë kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin. E dyta në listë, ishte një kërkesë e përsëritur për të hequr kufizimin ligjor që buron nga Kodi i Punës, për marrjen e lejes vjetore në jo më pak se një javë kalendarike. Ju e kërkuat masivisisht, si një ndër prioritetet kryesore, dhe ne po përgjigjemi për heqjen e këtij kufizimi, duke çliruar kështu mundësinë që kushdo të planifikojë pushimet që i takojnë ligjërisht në segmente kohore më të shkurtura se një javë,” tha ministrja Pirdeni.
Kategoritë që përfitojnë
Pirdeni u ndal tek rritja e pagave brenda vitit 2024, duke bërë të ditur se pagat do të rriten brenda vitit 2024 për nëpunësit e nivelit specialist, për punonjësit e njësive të vetëqeverisjes vendore, ushtarakët, punonjësit e policisë dhe të arsimit. Sektori publik, vuri në dukje ajo, tashmë është shndërruar në punëdhënës tërheqës. “Rritja e pagave ka hyrë aktualisht në një fazë të dytë, e cila do të përmbyllet brenda këtij viti dhe do të përfshijë rritjet për nëpunësit civil të nivelit specialist, Forcat e Armatosura, punonjësit e sigurisë, si dhe të gjithë punonjësit në sektorin e arsimit dhe së fundi nga radha por jo nga rëndësia, pagat e punonjësve të institucioneve të qeverisjes vendore, sikurse nga Kryeministri dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor. Kjo reformë i ka dhënë tashmë frytet e para, evidentuar kjo me rritjen 23 % rritje të numrit mesatar të aplikantëve për rekrutime jashtë shërbimit civil për pozicione të nivelit të mesëm dhe të ulët drejtues, pikërisht për shkak të rritjes më të ndjeshme të pagës së kësaj fashe dhe uljes në masën 15% të dorëheqjeve,” tha ministrja Pirdeni.
Shpërblime
Duke përmendur premtimin e dhënë Brukselit, ministrja Pirdeni tha se përpos rritjes së pagave do të zhvillohet gjithashtu një vlerësim performance institucionale dhe personale. Një projekt pilot po zbatohet në tre ministri. Kush punon mirë do të shpërblehet. “Puna e institucionit do të matet mbi bazën e treguesve të qartë të performancës, përfshirë këtu dhe aspekte të zhvillimit të kapitalit të tyre njerëzor. Sikurse do të parashikohet në ligj mundësia e dhënies së bonuseve për performancë të mirë në punë, brenda kufizimeve të diktuara nga nevoja e ruajtjes së një qasjeje sa më objektive,” tha Pirdeni. “Mekanizmat e fleksibilitetit dhe çdo masë tjetër, do të marrin vlerë të dyfishtë nëse aparatet drejtuese e përqafojnë këtë risi dhe e bëjnë pjesë të përditshmërisë së saj. Në sajë të një bashkëpunimi të shkëlqyer me UNDP do të nisim prej qershorit Akademinë e Lidershipit ku 450 drejtues do ti nënshtrohen një procesi trajnimi lidershipi, pasi transformimi mund të vijë nga brenda përmes frymës së sjellë nga jashtë”, u shpreh Pirdeni. Gjatë eventit u vlerësuan me trofe simbolike punonjës të administratës nga 11 ministri dhe Kryeministria, të cilët u nominuan nga vetë kolegët e tyre në bazë të meritës dhe kontributit që japin në punë. “Këta individë janë asete të vyera të institucioneve dhe shembuj të dedikimit dhe profesionalizmit. Në zemër të përpjekjes sonë për të ndërtuar një administratë moderne për të ardhmen, shpërblimi dhe vlerësimi i punës së palodhur janë thelbësorë,” tha ministrja Pirdeni.
Rritje pagash në bashkitë në vend
Gjithashtu brenda verës do të ristrukturohen të 61 bashkitë në vend, proces i cili të shoqërohet me rritje pagash për çdo punonjës. Në bashkitë e vogla apo më larg Tiranës ka rezultuar se nuk ka njerëz të specializuar në fusha të caktuara për shkak të pagës së ulët dhe tendencës për të punuar në Tiranë apo sistemin privat. Ky ristrukturim parashikon edhe reduktim të punonjësve në sektorë të ndryshëm në varësi të bashkive. “Për shembull në Sarandë duhen më shumë punonjës në urbanistikë, ndërsa në Berat duhen më shumë punonjës në zyrën e kulturës”, tha Arbër Mazniku, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor.
Tanimë një inxhinier ,financier jurist etj në bashki do të ketë të njëjtën pagë si në Tiranë dhe në Has e kudo. Pas një analize të thelluar në të gjitha bashkitë është gati struktura e re, që do të shoqërojnë këto ndryshime dhe rritje pagash.