Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete mori pjesë në ceremoninë e dhënies së 92 kredive për punonjësit e Policisë së Shtetit për përfitim banese.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtues të Policisë së Shtetit dhe Entit Kombëtar të Banesave.
Ministri Mete u shpreh se akordimi i 92 kredive për punonjësit e Policisë së Shtetit vjen si zbatim i politikave të ndërmarra nga qeveria për strehimin social për disa kategori të caktuara, ku subvencionimi i interesave të kredive do të mundësohet përmes buxhetit të shtetit.
Ministri theksoi faktin se programi i strehimit me kushte lehtësuese do të vijojë edhe vitin e ardhshëm, ku në projektbuxhetin e vitit 2024 është parashikuar të akordohet një fond prej 100 milionë lekësh.
Gjatë fjalës së tij, Mete falënderoi punonjësit e Policisë së Shtetit për kontributin që japin në garantimin e rendit dhe sigurisë publike në vend, e sidomos edhe gjatë sezonit turistik.
“Turizmi gjatë këtij viti, por edhe në vijim parashikohet të luajë rol kyç jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe sa i përket përmirësimit të imazhit të vendit. Dhe në këtë kuadër, sezoni turistik, i cili kaloi pa incidente, kontribuon më së miri në këtë drejtim”, u shpreh ai.
Po ashtu, Mete tha se qeveria do të vijojë mbështetjen për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe për administratën publike në tërësi, siç është ajo që lidhet me rritjen e pagave.
“Reforma e rritjes së pagave, e nisur gjatë këtij viti, do të vijojë edhe përgjatë vitit të ardhshëm. Duke nisur nga mesi i vitit 2024 do të ketë një rritje domethënëse të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, si edhe për një sërë kategorish të tjera, për mjekët, infermierët, ushtarakët, si dhe për punonjës të tjerë të administratës publike. Përmes rritjes së programuar për vitin e ardhshëm, niveli i pagës mesatare do të arrijë 900 euro, në mbështetje të punësimit cilësor dhe rritjes së konkurrueshmërisë me vendet e rajonit”, tha ministri.
Akordimi i kredive me zero interes për punonjësit e Policisë së Shtetit u bë i mundur falë miratimit në muajin qershor 2023 të ndryshimeve në ligjin “Për strehimin social”. Në zbatim të këtyre ndryshimeve, në shtator të këtij viti u hapën për herë të parë aplikimet për zbatimin e këtij programi lehtësues për punonjësit e administratës publike, specifikisht për 300 punonjës të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe personelit mjekësor. Pas procedurave të aplikimit, 92 punonjës të Policisë së Shtetit që do të përfitojnë kredi me kushte lehtësuese përmbushnin kriteret e vendosura me vendim të Këshillit të Ministrave për këto kategori.