Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, është shprehur në një media se çdo vit ka shtesa fondesh në buxhet. Ajo tha se sfida e saj si ministre është që veç tavaneve të buxhetore të ketë edhe financime shtesë, të cilat do të shkojnë aty ku duhet të prodhojnë.
Sipas saj, buxheti i planifikuar për bujqësinë kap shifrën 25 milionë euro, ku një pjesë shkon për mbështetjen e 65 mijë fermerëve përmes skemave që maksimizojnë prodhimin. “Në projekt afatmesëm është një projekt i njëjtë me atë që është aprovuar si buxhet afatmesëm. Ne flasim me projekte trevjeçare dhe ju e dini që në financë nuk flitet për një vit.
Ndërkohë në çdo vit në varësi të prioriteteve ka shtesa fondesh, siç ndodhi edhe në 2023. Pra nëse kërkuan 65 mijë fermerë skemë direkte, të 65 mijtë do e marrin. Unë dua ta ndaj këtë jo thjesht si procedurë, por si një opsion që është duke ndodhur tani dhe që është i hapur edhe për vitet e tjerë, veç tavaneve buxhetore. Kjo është beteja ime si ministre. Nëse ne kemi skema që janë efektive dhe shkojnë aty ku duhet të prodhojnë, besoj se edhe qeveria do i rrisë dhe do japë atë që duhet”, deklaroi Denaj.