Kryeministri Edi Rama, dje në fjalën e tij gjatë asamblesë së zgjeruar të Partisë Socialiste në Vlorë, foli edhe për turizmin. Ai u shpreh se ambicia është që brenda vitit 2030 numri i turistëve të kapë shifrën 20 milionë.“Dua të vë theksin tek disa të dhëna që janë të thjeshta, duke nisur nga fakti që Shqipëria këtë vit po shkon drejt shifrës 10 milionë turistë brenda vitit, e cila është një shifër shumë domethënëse për të gjithë atë që kemi mundur të ngremë deri më sot, pasi rritja e turizmit nuk është thjesht e lidhur me natyrën, natyra aty ka qenë edhe përpara, por është e lidhur me një zinxhir aktorësh dhe faktorësh.
Kjo shifër e këtij viti është domethënëse edhe për atë që vjen nesër. Nëse i bëjmë gjërat me këmbëngulje dhe durim, brenda vitit 2030 mund të arrijmë 20 milionë turistë. Dhe në mos më tepër akoma, por për të arritur këtë, duhet të bëjmë shumë më tepër akoma me të gjitha komponentët, që shtrihen që nga investimet publike, tek ato private, por edhe tek të gjitha kapacitetet etj, për rritjen e cilësisë së shërbimeve”, deklaroi Rama.