Në ditën e parë të hapjes së skemës kombëtare të mbështetjes në bujqësi, janë kryer 10 000 aplikime nga fermerët në të gjithë vendin.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se kjo skemë në mbështetje të fermerëve shërben për të ulur kostot e prodhimit duke përfituar nga skema naftë falas, fara, fidanë e investime të tjera sipas sektorëve.
“Dua të theksoj se ndërkohë që ne flasim janë bërë gati 10 mijë aplikime. Përllogaritja jonë është në 5.5 miliardë lekë. Vitin e kaluar ne dhamë një shumë të konsiderueshme falë mbështetjes së qeverisë me akti normativ me gati 51 milionë dollarë dhe përfituan gati 65 mijë fermerë. Që ky vit shuma të jetë pak më e lartë, 55 milionë dollarë dhe 70 mijë fermerë është legjitime. Tavanet buxhetore janë në nivel më të ulët por rishikimi i tavaneve në aspekt të likuiditetit është e mundur nëpërmjet aktit normativ. Do të shohim trendin e aplikimeve. Do të doja të kishim sa më shumë fermerë të bashkuar dhe të merrnin maksimumin”, u shpreh Denaj në një intervistë për mediet.
Ministrja theksoi se, ata që përfitojnë më shumë janë fermerët e bashkuar.
“Do të jenë fermerët, blegtorët dhe bletarët por kemi edhe një risi të re, të gjithë ata që lidhen me bimët aromatike dhe mjekësore dhe të gjithë fermat me serat. Serat besojmë se do to kontribuojnë drejtpërdrejt edhe në nxitjen e eksportit. Nevoja për të vendosur limite ka qenë për të mundësuar një konsolidim të disa anëtarëve në nivelin minimal. Ne kemi një sipërfaqe gati 1 hektarë me 4 anëtarë që do ta kishim të bashkuar në një kontratë, jo bashkëpunimi por kontratë interesi. Ndodh në zyrat tona rajonale dhe të 4 anëtarët që janë pjesë e këtij bashkimi operatorësh vendosin të ndjekin të njëjtin protokoll të punës në serë dhe të kenë të njëjtin treg”, tha ajo.
Nëpërmjet kësaj synojmë cilësinë, vuri në dukje ministrja.
Denaj tha se, “kur flasim për 4 anëtarë duam t’u japim mundësi të gjithëpërfshirjes atyre që kanë sipërfaqe më të vogla dhe vetë do të përfitonin shumë pak. Kjo nuk do të thotë se skema për ata që nuk do të bashkohen, do të jenë përjashtuese. Do të jetë për të gjithë aplikantët që plotësojnë kushtet por risia që dua të them është që do të marrim maksimumin e masës ata që janë të bashkuar. Ne do ta fillojmë procesin e disbursimit të fondeve në masën maksimale. Më pas, shuma e mbetur do të shpërndahet proporcionalisht tek të gjithë anëtarët që kanë aplikuar”.
Nga ana tjetër, vijoi ajo, ne kemi hequr tavanet, të cilat këtë vit japin një mundësi për të nxitur këdo aplikues që të përfitojë më shumë sesa më parë, pasi nuk do të ketë më zero lek subvencion për ata që kanë më shumë se 300 bagëti të imëta apo 50 lopë sepse pas kësaj kategorie do të ketë përfitim por do të ketë 50 përqind të masës. Nga ana tjetër, nafta pa taksa, këtë vit do të shkojë si një përfitim në një vlerë ekonomike në lekë në llogarinë e fermerit.
Duke u ndalur tek nafta pa taksa, ajo tha se, këtë vit do të shkojë si një përfitim në lekë në llogarinë bankare të fermerit. Denaj theksoi se po punojmë me bankat që të lehtësojnë procedurat dhe kostot për fermerët.
Buxheti për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për këtë vit është 55 milionë USD.