Vlerësimi pozitiv i ekonomisë së Shqipërisë nga agjencia ‘Standard and Poor’s’, për Ministrin e Financave Ervin Mete, tregon progresin që ka bërë vendi në menaxhimin e financave publike. Ditën e djeshme, në një deklaratë për media ai u shpreh se agjencia e vlerësimit jep një vlerësim që mund të ndikojë në koston apo interesat e vendit në huamarrje.“Agjencitë e vlerësimit pasi mbledhin dhe analizojnë informacione për të dhënat ekonomike PBB, inflacionin, politikat fiskale dhe monetare, stabilitetin politik dhe faktorë të tjerë institucionalë të rëndësishëm, gjykojnë sesi vendi menaxhon financat e tij, nëse ka një qëndrueshmëri institucionale, si edhe ecurinë e ekonomisë dhe reformave. Bazuar në këto analiza, agjencia e vlerësimit jep një vlerësim që mund të ndikojë në koston apo interesat e vendit në huamarrje”, tha Mete. Ndër të tjera, Mete vlerëson se vendimmarrja e agjencisë pas 7 vitesh, e klasifikon Shqipërinë tek grupi i vendeve me financa të forta publike.“Dje agjencia ‘Standard and Poor’s’ rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive, duke konfirmuar vlerësimin B+. Ky rishikim, pas gati shtatë vitesh, është një hap në drejtim të grupit të vendeve që konsiderohen me financa publike më të forta. Vlerësimi i ‘Standard and Poor’s’ është pasqyrë e politikave ekonomike, menaxhimit të kujdesshëm fiskal dhe përpjekjeve pozitive në zbatimin e reformave strukturore dhe procesin e integrimit evropian. Në veçanti ulja e nivelit të borxhit publik dhe progresi i reformave kanë qenë një faktor i rëndësishëm për këtë vlerësim pozitiv”, u shpreh ministri. Në deklaratë për mediat, Mete bëri edhe një përmbledhje të treguesve ekonomik të vendit përgjatë këtij viti, duke nisur nga rënia e inflacionit, rritja e punësimit dhe ecuria pozitive e investimeve të huaja.“Vlerësimi i përmirësuar është një tregues i progresit dhe trendit pozitiv të ekonomisë Shqiptare. Rritja ekonomike ka mbetur e qëndrueshme dhe relativisht e lartë, afro 4% në terma vjetorë, pavarësisht vështirësive që po has ekonomia botërore. Inflacioni u rikthye në trend ulës brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke arritur në 4% në muajin gusht 2023. Papunësia ka arritur nivelet më të ulëta historike, prej 10.7% në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, ndërkohë që pjesëmarrja në tregun e punës është përmirësuar ndjeshëm. Investimet e huaja vazhdojnë të rriten me ritme të shpejta, duke arritur në afro 700 milionë euro në 6-mujorin e parë të vitit 2023”, theksoi në daljen për mediat ministri i Financave Ervin Mete.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë