2024 është viti i dytë që do të zbatohet reforma e pagave që ka ndërmarrë qeveria për ta bërë pagën mesatare në 900 euro. Ministri i Financave Ervin Mete, gjatë një interviste dje shpjegoi se përfitues nga vera e këtij viti do të jenë kategoritë më të rëndësishme, një pjesë e pozicioneve në pushtetin lokal dhe specialistët. “Përfitues do të jenë punonjësit e policisë, arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes. Ata që kanë përfituar një vit më parë rritjen e plotë, këtë vit nuk do të përfitojnë më. Por disa funksione si specialistët që një vit më parë nuk kanë përfituar apo kanë përfituar rritje page prej 7%, këtë vit do të vijojnë me rritje page 20- 30% në varësi të pozicionit. Rritja mesatare e pagave gjatë këtij viti varion nga 10-30%” , deklaroi dje ai. Më tej ministri Mete sqaroi edhe nëse do të rriten pagat e ministrave, deputetëve apo funksionarëve të lartë. “Këtë vit ministrat, deputetët, funksionarët e lartë nuk do të kenë më rritje page. Rritjen e përfituan një vit më parë”, sqaroi dje ministri Mete.
Paralajmërimi
Edhe më herët gjatë kësaj jave ministri Mete theksoi o të hyjë në fuqi nga 1 korriku rritja e pagave për dy sektorë kyç në vend: Shëndetësinë dhe Arsimin. Sipas Metes, do të jetë sektori i arsimit ai që merr mbështetjen më të madhe, ku me rritjen e pagave që do të bëhet në qershor, do të ketë rritje me thuajse 110 milionë euro, të cilat shkojnë vetëm për pagat në sistemin arsimor. “Rritja e përgjithshme vetëm në dy vitet e fundit shkon nga 35% deri në 60% për mësuesit. Sigurisht që kjo përkthehet në një edukim më cilësor që është investim për ne në kapitalin njerëzor të të rinjve dhe të qytetarëve të ardhshëm nesër të Shqipërisë”, ka shpjeguar Mete. Më tej, theksoi se një rritje të ngjashme do ta shohin edhe infermierët dhe mjekët e familjes në gjithë vendin. Sa i takon të rinjve, synimi kryesor është ai i një pakete fiskale, e cila të lehtësojë tatimin mbi pagën, për të gjithë të rinjtë deri në 29 vjeç. “Po diskutojmë dhe tani jemi në një moment të mirë ekonomik, që ta përkthejmë edhe në rishpërndarje dhe mirëqenie të shtuar për qytetarët. Do të kemi dy lehtësime të targetuara për të rinjtë dhe fëmijët, që do të thotë, nëse një i ri deri në moshën 29 vjeç do të punësohet ne do t’i lejojmë që të ketë zbritje nga detyrimi tatimor, vetëm për shkak të moshës, në mënyrë që të nxisim punësimin e tyre”, shtoi ministri. Ai tha po ashtu se, Ministria e Financave po merr në konsideratë zbritje të posaçme nga detyrimi tatimor për fëmijët në kujdestari nën moshën 18 vjeç. Kjo, sepse dikush që merr të ardhura dhe ka një apo dy fëmijë në ngarkim, nuk është në të njëjtat pozita me dikë që i merr ato të ardhura dhe nuk ka fëmijë në ngarkim. Sipas programit të qeverisë reforma e ndërmarrë gjatë vitit 2023 për rritjen e pagave do të finalizohet deri në fund të 2024. Mbështetur në këtë reformë, synohet që në vitin 2024, paga mesatare në administratën buxhetore qendrore, nga 71 mijë e 630 lekë aktualisht, të shkojë rreth 107 mijë e 257 lekë/muaj, ose rreth 900 euro/muaj në fund të vitit 2024. Rritje të pagave do të ketë edhe për punonjësit e aparatit në njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke synuar ngushtimin e hendekut që ekziston midis kësaj kategorie dhe nëpunësve të institucioneve qendrore.