Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço thotë se mbërritja e tre dronëve Bayraktar në Shqipëri, është pjesë e një programi për mbrojtjen dhe fuqizimin ajror të vendit tonë.
Në një intervistë për “Tirana Live”, Karamuço u shpreh se Shqipëria ka prodhuar stabiltiet në rajon, por duhen parë edhe aftësitë tona mbrojtëse.
“Këto janë pjesë e një programi për mbrojtjen që ne kemi, në vazhdimësi, janë pjesë e fuqizimit edhe ajror. Po ashtu nuk duhet ndalemi vetëm te dronët, por edhe te helikopterët që po vijnë, Black Hawk amerikanë. Janë pjesë që ne na kanë munguar, ne kemi pasur më së shumti helikopterë transporti, por do të kemi helikoterë edhe me pajisje të tjera, mund të jenë sulmi, shkatërrimi dhe në këtë kuadër janë edhe dronët. Kini parasyh që i gjithë Ballkani po armatoset, ne jemi na të fundit që po e bëjmë këtë. Më shumë kemi prodhuar stabilitet, por duhen parë edhe aftësitë tona mbrojtëse.
Jemi vend i NATO-s, disa detyra po i përmbushim, duke filluar nga buxheti, edhe në blerjen e këtyre pajisjeve që po vijnë gradualisht. Është shprehur edhe nga sekretari i NATO-s, por edhe nga shumë përfaqësues ndërkombëtarë, të vendi tonë nevoja për të forcuar elementë të sigurisë, të mbrojtjes. Kjo vjen duke parë edhe zhvillimet nga Ukraina, duke vijuar me zhvillimet në Kosovë, Bosnje. Ne kemi pasur problemet tona, edhe miratimi i strategjisë së re të mbrojtjes. Zhvillime mund të ketë në Ballkan, por ne jemi vend i NATO-s. Duhet të japim kontributin tonë, jo vetëm për të mbrojtur territorin tonë, por edhe për t’u angazhuar në operacione të tjera ndërkombëtare”, theksoi ai.