Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në galeritë mineralmbajtëse të Krastës në Martanesh, ku një minator është i plagosur rëndë.
Maksim Beça raportohet se ka marrë dëmtime të rënda teksa punonte në thellësitë e nëntokës dhe nxjerra e tij nga galeria është bërë e mundur nga minatorët e subjektit privat.
56-vjeçari nga Bulqiza ka marrë dëmtime në këmbë, trup dhe këmbë. Ai u dërgua në spital në Bulqizë por u nis me helikopter drejt Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.
“Rreth orës 14.00., në një subjekt minerar në zonën e Martaneshit, Bulqizë, dyshohet se gjatë punës është aksidentuar shtetasi M. B., rreth 56 vjeç, i cili është dërguar për ndihmë mjekësore më të specializuar drejt Tiranës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes”, informon policia.
Hetuesit kanë sekuestruar dokumentacionin e firmës minerare si dhe kanë marrë në pyetje drejtues, specialistë dhe punëtorë të subjektit privat.
Disa ditë më parë një minator tjetër u plagos në minierat e Bulqizës.