Operacioni i gjerë i urdhëruar nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani për të goditur personazhe të njohur të botës së krimit të lidhur me politikën, biznesin dhe Policinë e Shtetit po shkakton “tërmet” në Shqipëri. Jo vetëm për goditjet “VIP”, por edhe detajet se si është organizuar. Burime të gazetës “SOT” kanë bërë me dije se për shkak të përfshirjes së zyrtarëve të lartë të policisë me krimin e organizuar, Altin Dumani ka patur frikën e dekonspirimit të operacionit. Mësohet se drejtuesit e qarqeve nuk janë vënë në dijeni nga SPAK. Madje ky aksion i madh blic është mbajtur aq i fshehtë aq sa duket se është lënë dhe jashtë loje ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili ndodhet në Spanjë. Ai reagoi pas shumë orësh, sa për të larë gojën duke u shprehur se lufta kundër krimit të organizuar është e pandalshme. Këto lëvizje të Dumanit nuk përbëjnë befasi, pasi vetëm pak javë më parë ai akuzoi publikisht kupolën e Policisë së Shtetit, si të lidhur me krimin e organizuar.
Deklarata e Dumanit
Teksa bëri në KLP bilancin e vitit 2023, Dumani deklaroi se SPAK nuk bashkëpunon sot me Policinë e Shtetit për krimin e organizuar. Shkak sipas tij bëhet fakti që rezulton se janë të përfshirë në nivele të larta bashkëpunimi me krimin e organizuar. Kreu i SPAK tha se dosje të SPAK, duke iu referuar me sa duket Metamorfozës dhe çështjeve nën hetim, tregojnë se drejtues të lartë të policisë janë implikuar në krim të organizuar. “Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe çështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në. Patjetër që bashkëpunojmë me policinë dhe kemi bashkëpunim të ngushtë”, tha Dumani para KLP-së.
Arrestime në polici
Si mund të bashkëpunojë Dumani me zyrtarë të policië, kur lonkretisht raportuam se dy drejtues të lartë, pjesë e kupolës së Policisë së Shtetit që kanë rënë në përgjime me kriminelë në aplikacionet “Sky” e “EnchroChat” dhe që kanë dijeni për këtë megaskandal, kanë përfunduar pak javë më parë në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas burimeve, ata janë marrë në pyetje sa i takon këtij skandali të paprecedentë duke bërë që përveçse vendit të punë, ata dhe të tjerë anëtarë të kupolës së Policisë së Shtetit rrezikojnë edhe burgun. Pra duket qartë se dosja voluminoze që sollën në SPAK prokurorët francezët e belgë do të çojë në pranga dhjetra punonjës policie, ndërkohë që të rrezikuar janë edhe zyrtarë të lartë, ministra, deputetët, kryetar bashkish, drejtues bankash, pronar mediash dhe gazetarë. Kjo pasi arrestimet e fundit janë vetëm maja e ajsbergut të një hetimi të gjerë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në lidhje me zyrtarë të lartë që kanë kontakte me njerëz të botës së krimit. Kështu që të ndodhur përpara kësaj situate ku krimi është bërë njësh me shtetin dhe politikën, pritet që të kemi një furtunë të madhe në Shqipëri në të gjithë sektorët, veçanërisht në radhët e Policisë së Shtetit. Thënë troç javët në vijim duket se do të jenë të nxehta jo vetëm për politikën, por edhe për Policinë e Shtetit. Është koha që drejtësia e re në vendin tonë të sprovohet pikërisht me një nga organizatat kryesore për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sikundër është Policia e Shtetit.