Shefi i Sektorit të Shërbimeve të Kufirit dhe Emigracionit në Korçë, Stiljan Pasho është arrestuar dje nga Agjencia për Mbikëqyrjen Policore nën dyshimin për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike. Mësohet se 53- vjeçari duke shfrytëzuar postin e tij si kryekomisar, ka favorizuar shtetasin Lorenco Lika për të kaluar drejt Greqisë me 26 kg kanabis në automjetin e tij. Policia e Korçës ka dhënë detaje për arrestimin e kryekomisarit Stiljan Pasho, me detyrë shefi i Sektorit të Shërbimeve të Kufirit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë. “AMP dhe Prokuroria e Korçës arrestojnë Shefin e Sektorit të Kufirit, dyshohet se favorizoi një shtetas që trafikonte drogë. Korçë – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Korçë-Elbasan) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për ndalimin e punonjësit të Policisë Kryekomisar S.P., 53 vjeç, me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit pranë DVKM Korçë. Ndalimi u krye në kuadër të hetimeve të procedimit penal të vitit 2023, referuar nga Sektori i AMP Korçë, regjistruar për veprën penale “Trafikim i narkotikëve“. Nga veprimet hetimore të kryera nga AMP, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, dyshohet se Kryekomisari S.P., me veprime konkrete e të drejtpërdrejta, duke shfrytëzuar pozicionin në DVKM Korçë, në intervale të ndryshme kohore dhe së fundmi në datë 27.11.2023 ka favorizuar shtetasin L.L. të kalojë kufirin në PKK Kapshticë pa iu nënshtruar kontrollit kufitar në automjet, si dhe duke urdhëruar vartësit për mos kryerjen e kontrollit në mjetin e tij. Në lidhje me këtë procedim penal është bashkëpunuar ngushtësisht edhe me homologët e Policisë greke nëpërmjet Pikës së Bashkëpunimit Policor Greqi – Shqipëri, e si rezultat i këtij bashkëpunimi është bërë e mundur kapja e 26 kg lëndë narkotike në shtetin grek. Hetimet në kuadër të këtij procedimi vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në aktivitet të paligjshëm dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Reagon Balla
Ndërkohë, për lajmin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili dje nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale përgëzon Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për punën e bërë. Ai shprehet me tej se me drejtuesin e ri të AMP-së shpreson se do të forcohet bashkëpunimi me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese. “Kur unë mora detyrën u shpreha se një rrënjë kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Sapo është ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore një kryekomisar, me detyrë Shefi i Sektorit te Shërbimeve të Kufirit ne Drejtorinë Vendore te Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për përfshirje në “Trafikim të narkotikëve”. Përgëzoj Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për dokumentimin e plotë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Korçë. Shpreh besimin se drejtimi i ri AMP dhe forcimi i bashkëpunimit me agjencive e tjera ligjzbatuese si SHISH, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK do ta intensifikojnë procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit”, shkruan Balla. Ky operacion i AMP vjen vetëm pak ditë pas emërimit në krye të këtij institucioni të Florian Sulejmanit. Pastrimi i radhëve të policisë pritet të jetë prioritet në vijim.