Një person u vra me armë zjarri dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pasditen e djeshme pas një konflikti mes komshinjve në Laknas për kanalin e ujërave të zeza. 70 vjeçari Maliq Marku me origjinë nga Dibra vrau me pistoletë fqinjin e tij 55 vjeçar si dhe plagosi fqinjin tjetër, në rrugën “Fatos Shupi”. Mëshohet se viktima është Shefqet Hasa, i plagosur mbeti Besim Keça, të dy nga Hasi. Ky i fundit ndodhet në spitalin e Traumës në kryeqytet jashtë rrezikut për jetën. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka ardhur pas një konflikti për shkak të një kanali të ujërave të zeza që ndodhet në rrugën “Fatos Shupi” ku dhe banojnë tre fqinjët.
Si ndodhi vrasja?
Disa kohë më parë, vetë banorët e rrugës kanë mbledhur para për ndërtimin e kanalit të ujërave të zeza, por Maliq Marku nuk ka paguar ngaqë ka qenë jashtë shtetit dhe nuk i është dashur. Ndërkohë mësohet se pasi është kthyer një javë më parë nga Anglia, Maliq Marku ka shkuar tek ujësjellësi për të lidhur edhe banesën e tij me kanalin e ujërave të zeza. Ujësjellësi ka bërë piketimin, ndërsa 2 fqinjët kanë shkuar sot për t’i thënë që nuk do ta ndërtonte. Në gjaknxehtësi e sipër, pas debatit mes tyre, 70 vjeçari ka marrë pistoletën në banesë dhe ka qëlluar duke lënë të vdekur në derë të shtëpisë së tij njërin prej fqinjëve. Shefqet Hasa i cili ndërroi jetë ka marrë katër plumba, ndërsa 2 plumba, 1 në bark e 1 në këmbë i plagosuri. Në momentin e të shtënave, në afërsi të lagjes ka qenë polici i zonës, i cili pasi ka dëgjuar krismat është afruar dhe ka gjetur personin e plagosur duke vrapuar, të cilin e ka marrë me makinë. Më tutje ka gjetur të vdekur Shefqet Hasën. Pas krimit autori Maliq Marku ka hyrë në banesë, por kur kanë shkuar efektivët për ta arrestuar fillimisht ka bërë rezistencë për t’u dorëzuar, por pas negociatave ka hedhur armën në bahçe dhe më pas i kanë vënë prangat.
Polica jep detaje
Ndërkohë shefi i komisariatit të policisë numër 5 Oliger Torba, ka dhënë detaje mbi vrasjen e ndodhur dje në Laknas ku mbeti viktimë Shefqet Hasa. Për mediat ai thotë se autori është arrestuar në banesë ndërsa shkak i sherrit që çoi deri në vrasje ka qenë një kanalizim i ujërave të zeza. Besim Keça, i cili mbeti i plagosur ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. “Autori i ngjarjes Maliq Marku u arrestua në banesën e tij si dhe është bërë dokumentimi i të gjithë ngjarjes. Rezulton që janë dy të dëmtuar. Shefqet Hasa që ka ndërruar jetë dhe Besim Keça që ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nuk kanë pasur konflikte të mëparshme. Çiften e kishte pa leje, u kap nga shërbimet e policisë në banesë. Shkak për sherrin bëhet fjalë për një kanalizim të ujërave të zeza”, deklaroi Torba. Më herët për këtë ngjarje reagoi edhe Policia përmes një njoftimi zyrtar. “Një ngjarje e rëndë është shënuar në Laknas të Tiranës. Nga të dhënat e para flitet për një person të vrarë dhe një të plagosur. Më datë 30.11.2023, në Laknas, në rrugën “Fatos Shupi”, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi M. M., rreth 70 vjeç, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. H., rreth 55 vjeç, si dhe ka plagosur shtetasin B. K., rreth 50 vjeç. Shtetasi B. K., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Autori i dyshuar është arrestuar në flagrancë, si dhe është sekuestruar dhe arma e përdorur gjatë krimit. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.
Plagoset një ri në Kavajë
Ndërkohë dje një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kavajë, pasi një 33-vjeçar është goditur me sëpatë në kokë brenda një lokali nga shtetasi me iniciale A.P. Ngjarja ndodhi për motive të dobëta në lokalin në pronësi të shtetasit me iniciale E.D., në lagjen nr.4 në qytet. I riu me iniciale I. Gj., 33 vjeç, banues në Kavajë, pas marrjes së mjekimit nga uniformat e bardha në spitalin e Durrësit, është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërsa në pranga ka rënë autori i ngjarjes, 52-vjeçari me iniciale A.P. dhe pronari i biznesit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Organizmi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”. Pas konfliktit në lokalin e tij, 44-vjeçari ka prishur vendin e ngjarjes, ndërsa kur është marrë në pyetje nga oficeri i Policisë, ka deklaruar se 33-vjeçari ishte dëmtuar pasi ishte rrëzuar nga shkallët. Pronari i lokalit, rezulton person me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit.