Lefter Alla, kryetar i bashkisë së Bulqizës, është shkarkuar nga detyra nga kryeministri Edi Rama, për shkelje të rënda, pas arrestimit nga SPAK për abuzimet me tenderët publike, duke favorizuar kompanitë e të afërmve të tij. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave, ndërsa ish-kryebashkiaku socialist, ka të drejtë që ta ankimojë shkarkimin e tij brenda 15 ditëve në Gjykatën Kushtetuese. Por, nëse Alla e ankimon, pezullohet vendimi i Këshillit të Ministrave, deri sa të marrë një vendim Gjykata Kushtetuese. “Shkarkim nga detyra të kryetarit të Bashkisë Bulqizë z.Lefter Alla. Në mbështetje të neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave. V E N D O S I: Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z. Lefter Alla. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendimin e qeverisë, të firmosur ditën e djeshme nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Berisha komenton arrestimin e Lefter Allës
Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja duke thënë se ai arrestoi kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla për t’i bërë qejfin Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Berisha deklaroi se Arben Ahmetaj nuk do jetë i fundit nga radhët e PS-së që do hetohet. “Arreston Lefterin për ti bërë qejfin Belindës, se Belinda është bërë kryeministre tani, e di gjithë Dibra. Ti ministër Drejtësie çfarë bën që firmos çdo firmë Ramës, edhe kur nuk firmos vjen u bën avokatinë këtu. Arreston Lefterin për t’i bërë qejfin Belindës, se Belinda Balluku është bërë kryeministre tani, por s’të shkojnë intrigat, intrigant. E di gjithë Dibra, absolutisht. Mos mendoni se do mbyllet me Ahmetajn. Të bëhesh i penduar i drejtësie, ke vetëm një rrugë të zbërthesh para kombit tënd të gjithë veprimtarinë e organizatës kriminale”, deklaroi Berisha, ndërsa debatonte me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë, kujtojmë se kryebashkiaku i Partisë Socialiste në Bulqizë, Lefter Alla dhe 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të bashkisë, ranë në prangat e policisë pak ditë më parë për abuzim me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro. Në pranga ka rënë edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi. Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Lefter Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri. Më 18 mars, GJKKO caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për kryebashkiakun e Bulqizës, dhe zyrtarët e tjerë të arrestuar. Gjatë dëshmisë së tij, Alla i konsideroi akuzat si sulme politike ndaj tij. Ndaj kryebashkiakut Alla dhe nënkryetares Lleshi rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërsa, ndaj të afërmit të Allës, Aqif Konesha rëndon akuzat për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Po për falsifikim dokumentesh akuzohen edhe dy administratorët, Rasim Daci dhe Kastriot Ibrahimaj, ky i fundit është lënë në arrest shtëpie.