Në Shkodër, krimi i organizuar survejon Policinë e Shtetit dhe lëvizjet e grupeve rivale pothuajse në çdo lagje. Pas aksionit të pak ditëve më parë në lagjet e Licëve dhe Bajrajve, nga rreth rrotullimi “5 Heronjtë” deri tek rreth rrotullimi i parë i by pass-it dhe në anën tjetër deri tek rreth rrotullimi i Dobraçit, për çmontimin e 21 kamerave të sigurisë të vendosura në mënyrë të paligjshme, blutë e Shkodrës kanë ndërhyrë sërish dje për çmontimin edhe të 38 kamerave të tjera, duke e çuar në 59 totalin e tyre. Ndërhyrja u bë në lagjen “Guerrile”, e njohur ndryshe si lagjja “Kiras”, po ashtu me prezencë të grupit të Licëve. Aksioni për çmontimin e kamerave vijoi më lagjen “Kongresi i Përmetit”, apo njohur si zona e “Zdrales” dhe në lagjen “Salo Halili”, njohur si zona e Urës së Thive. Njësoj si në operacionin e parë, kamerat ishin të instaluara në shtylla elektrike, në zona që konsiderohen si shumë të frekuentuara nga qytetarët shkodranë. Të gjitha kamerat e çmontuara dyshohet të jenë të lidhura me aparate celulare dhe komandimi i tyre të bëhet përmes internetit, edhe nga jashtë shtetit, dyshohet në Gjermani. Policia akoma nuk ka arritur të gjurmoj autorët e vendosjes së këtyre kamerave, ndërsa nuk janë gjetur serverat që ruajnë regjistrimet video. Në operacionin e datës 14 janar, policia shoqëroi për t’i pyetur disa persona nga të dyja fiset, Lici dhe Bajri, por asnjë prej tyre nuk pranoi të jetë autori. Ata, me deklarimet e tyre para hetuesve, nuk ndihmuan në identifikimin e autorëve të vërtet që i kanë montuar në mënyrë të kundërligjshme. Pas aksionit të nisur në Shkodër, me urdhër të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku u është kërkuar të gjitha drejtorive të policive në vend që të verifikojnë për kamera të ngjashme të vendosura në kundërshtim me ligjin, por deri tani në terren ka vepruar vetëm Shkodra.
Prangosen 2 persona në kryeqytet
Ndërkohë dy persona janë vënë dje në pranga nga policia, pasi akuzohen se kanë mashtruar qytetarë të huaj që të investojnë në bursa fiktive. Sipas policisë, personat e inicialet R. M. dhe S. H. administronin një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në rrugën “Egnatia”, të cilin e kishin përshtatur si call center. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, ata janë kapur në flagrancë gjatë kohës që po mashtronin një shtetas të huaj, për të investuar në bursë fiktive. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se dy të arrestuarit telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex. “Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Trading”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: R. M., 26 vjeç dhe S. H., 23 vjeç, të dy banues në Tiranë. Shtetasit R. M. dhe S. H. administronin një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në rrugën “Egnatia”, të cilin e kishin përshtatur si call center. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, ata janë kapur në flagrancë gjatë kohës që po mashtronin një shtetas të huaj, për të investuar në bursë fiktive. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se dy të arrestuarit telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex”, njoftoi dje policia.
IKMT aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje në Gjirin e Hartës në Ksamil
Nga ana tjetër, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka filluar një aksion për prishjen e njësive të shërbimet në zonën nga Gjiri i Hartës deri në hyrje të Ksamilit. Aksioni mbështetet nga forca të shumta të Policisë së Shtetit. Bëhej fjalë për rreth 10 njësi shërbimet beach bar, të cilat ishin ndërtuar kryesisht përgjatë muajve të pandemisë. Deri tani nuk ka patur reagim kundërshtues nga asnjë prej pronarëve të këtyre subjekteve. Po ashtu, Fatmir Doksani është shkarkuar nga detyra drejtori i Agjensisë Shtetërore të degës së Kadastrës në Kuçovë. Doksani u shkarkua nga Artan Lame për disa shkelje në detyrë pasi dyshohet se nuk ka ekzekutuar disa vendime gjykate të formës së prerë për regjistrimin e pronave në Kucovë. Doksani kishte 3 vjet në këtë post dhe dje në vend të tij u emërua Shkëlqim Braushi.