Disa automjete përfshihen nga zjarri në bodrumin e një objekti në Emshir, 30 persona marrin ndihmë mjekësore
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 01:15, është pranuar informata se disa vetura janë përfshirë nga zjarri në bodrumin e një objekti në rrugën “Ali Vitija” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin, si dhe janë ndërmarrë veprime të tjera për të parandaluar çfarëdo lloj rreziku. Përveç dëmeve materiale, për shkak të tymit të krijuar, panikut ose arsye të tjera të ngjashme, disa persona kanë marrë trajtimin mjekësor”, ka thënë Borovci.
Nërsa komandanti i zjarrfikësve në kryeqytet, Malë Gashi, tha se menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes për të intervenuar.
Ai tha se zjarri ka depërtuar brenda ndërtesës duke shkaktuar panik tek banorët.
“30 prej tyre, janë evakuuar dhe u është ofruar ndihma tek Urgjenca Mjekësore”, tha Gashi.