Gjykata e Durrësit ka lënë në burg tre fëmijët e Pëllumb Metës pasi akuzohen se vranë babanë e tyre në fshatin Shën Vlash. Në dëshminë e tyre para gjykatës Hysen Meta, djali, i cili fillimisht ka marrë përsipër krimin, si ekzekutori dhe më pas ka ndryshuar dëshminë duke thënë se e kishte vrarë e motra, Hygerta babanë dhe jo ai. Kjo e fundit, gjithashtu e pranishme në gjykatë, pranoi se e ka qëlluar ajo me armë babain duke shpjeguar edhe dinamikën. 19-vjeçarja thotë se është penguar, por “tashmë është shumë vonë”. Hyseni para gjykatës deklaroi se ishte motra e tij 19-vjeçare, Hygerta Meta e cila e qëlloi të atin me pistoletë, duke pranuar se ka qenë prezent në momentin kur ndodhi krimi mesditën e 10 shkurtit. “Nuk e kam bërë unë, të flasë ai që e ka bërë. Kam qenë prezent dhe e kam parë, ishte motra e vogël që e qëlloi. Donte ta fejonte me zor babai. Unë nuk kam pasur marrëdhënie të mira, kam qenë i hutuar, na erdhi keq për atë që i ndodhi babai”, tha 25-vjeçari.
Dëshmia e Hygertës
Ndërkohë Hygerta, pasi ka pranuar krimin para togave të zeza tregoi me detaje si e planifikuan vrasjen e të atit. Hygerta Meta në gjyq ka treguar para gjykatës bisedën me të atin para se ta vriste. “Na tha do t’ju vras të gjithëve dhe me tritol. Mamaja nuk mund të ndahej se i ikte gjysma e pasurisë. Herë tjetër na thoshte mamaja se ai do na vriste, ndërsa të enjten, tre ditë para vrasjes e dëgjova vetë që tha do t’ju vras. Babi erdhi nga puna. Ishte shtri me kurriz dhe mora armën. Ia tregova dhe ai nuk u befasua. Më tha ku shkon me armë. I thashë çohu në këmbë dhe ai më tha Ik andej. Isha 2 metra afër dhe e qëllova. Arma ishte te sirtari në dhomën e gjumit e vëllait. E dija që arma ishte aty se unë pastroja. Nuk kisha shans ta pyesja babin”, deklaroi Hygerta në gjykatë. E pyetur nëse është penduar për këtë krim, Hygerta shprehet: Po, por është një gjë që s’ka kthim mbrapa. Hygerta ka folur edhe për fejesën pa dëshirë për të cilën këmbëngulte i ati Pëllumbi. Ajo ka thënë se ky debat ka nisur që në muajin dhjetor dhe ka pretenduar se babai tentonte ta vriste përse ajo nuk pranonte të fejohej. “Në fillim ishte shume vështirë. Nga frika mendova t’ia lija vëllait. Por ai s’ka qenë prezent kohët e fundit. Kishte 15 ditë para ngjarjes që ishte kthyer. Debati kishte nisur në dhjetor. Unë nuk isha e interesuar për fejesën. Dhe ai në fillim s’me tha gjë. Ndodhi një problem tek bombola e gazit. Se unë aty gatuaja. Gjithmonë. Dhe nga refuzimi që i bëra unë për fejesë ai tentonte të më vriste, mua ose mamanë. Tek bombola e gazit, preu bombolën e gazit dhe refuzonte ta rregullonte. Pas kësaj me ka thëne në fund të janarit që të fejohesha prapë. Dhe atëherë me tha ju s’keni për të bërë hajër në këtë shtëpi. Me kërcënonte mua dhe mamin. Mamin e kërcënoi për një portokall se e këputi dhe i tha do te vras”, ka deklaruar Hygerta. Vajza e familjes dhe djali i madh Hyseni akuzohen për 3 vepra penale, pasi sipas akuzës janë personat që ideuan dhe realizuan planin e vrasjes. Hygerta dhe Hyseni akuzohen për: “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare e kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.
Dëshmia e Amarildos
Ndërkohë që vëllai i vogël akuzohet vetëm për veprën penale veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, për shkak se ndihmoi në transportimin e makinës për të përforcuar alibinë e zhdukjes. I riu tregoi në sallën e gjyqit se kishte shkuar në banesë më 10 shkurt në orën 18:30, ku kishte gjetur nënën e shqetësuar e cila i kishte treguar për ngjarjen. “Nuk isha në shtëpi kur ndodhi krimi. Erdha në shtëpi në 18 e 30 minuta gjeta mamanë të shqetësuar dhe më tha; se kishin vrarë babai. Sapo kisha ardhur nga puna. Më pas nisëm që të fshihnim gjurmët. I kërkova shokëve një makinë që të bënim lëvizjet tona. E dija qe babai kishte konflikte me të gjithë familjen. Babai nuk na dëgjonte për asgjë.”, tha Amarildo. Mbi djalin e vogël të familjes Amaralido Metën, 22-vjeç, do të rëndojë akuza për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës’.
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se në ceremoninë e varrimit të Pëllumb Metës, ka marrë pjesë vetëm vajza e madhe e familjes, e martuar në Krujë. Pjesë e ceremonisë mortore nuk ishte as ish-bashkëshortja e të ndjerit, e cila është marrë në mbrojtje nga policia e Durrësit. Kjo e fundit i trembej ndonjë konflikti të mundshëm mes vëllezërve të Pëllumbit dhe kunatës së tyre, prandaj e ka shoqëruar deri në familjen e babait të saj në Laç. Në një deklaratë për mediat, drejtori i policisë së qarkut Durrës, Skënder Hitaj tha se Pëllumb Meta u qëllua më datë 10 shkurt nga djali i madh i familjes me 4 plumba nga një pistoletë model 54. Ai i tha grupit hetimor se e kishte planifikuar vrasjen bashkë me motrën Hygerta Meta 19 vjeç, ndërsa vëllai tjetër 22-vjeçar ndihmoi në fshehjen e kufomës.