Gjykata e Apelit ka lënë dje në fuqi dënimin me burg përjetë për ish-policin Koço Buzon që vrau gruan e tij Liljana Buzo përpara godinës së gjykatës në 2021 në Elbasan pasi ajo kërkoi të divorcohej. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 6 maj 2021 pas seancës gjyqësore për procesin e divorcit mes tyre. Autori i krimit nuk ishte paraqitur në seancë dhe po priste me një thikë dhe kallashnikov në dorë jashtë Gjykatës së Elbasanit. Buzo e goditi fillimisht me thikë ish bashkëshorten dhe më pas e qëlloi 7 herë me kallashnikov pas shpine, duke e lënë të vdekur në vend nënën e 3 fëmijëve të tij. 54-vjeçarja sapo kishte mbaruar seancën për procesin e divorcit, kur bashkëshorti, i cili po e priste jashtë, i është afruar dhe ka qëlluar fillimisht me thikë dhe më pas e ka qëlluar 7 herë me kallashnikov pas shpine. Sapo ka ndodhur ngjarja autori është neutralizuar nga personat në rrugë dhe policia duke e arrestuar. Plumbat kapën edhe dy kalimtarë të rastësishëm, por pa rrezik për jetën.
Prangoset një vrasës
Ndërkohë është arrestuar në Maqedoninë e Veriut, Remzi Azemi, narko-trafikanti i kërkuar nga Interpoli për trafik droge dhe i akuzuar për vrasjen e shqiptarit Ilir Hidrit në Ekuador në maj të vitit 2017. “Interpol realizoi kapjen e Azemi Remzi në Maqedoninë e Veriut me njoftim të kuq për veprën penale të vrasjes së ndodhur në vitin 2017”, njoftojnë autoritetet ekuadoriane. Azemi ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e Ilir Hidrit. Ekzekutimi i këtij të fundit ndodhi pas një atentati që iu bë Remzi Azemit në qendër të Guayaquilit. Dyshohet se vrasja ka ndodhur pas konflikteve mes autorit dhe viktimës sa i takon trafikut të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut drejt Europës. Banda e Azemit i cili ka shtetësi kosovare, akuzohej për ruajtjen e sasive të mëdha të drogës në Guayaquil, të cilat i kishin bërë gati për t’i sjellë në Europë. Ata dyshohej se kishin personel të infiltruar në zonat administrative të porteve, gjë që ua mundësonte atyre t’i merrnin listat e kontenierëve dhe t’i përzgjidhnin ato që ishin të destinuara për në Europë. Autoritetet ekuadoriane kishin lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij në vitin 2021. Tashmë pritet ekstradimi i tij drejt shtetit të Amerikës së Jugut.
Sherr mes vëllezërve në Fier
Nga ana tjetër, një sherr mes vëllezërve ka ndodhur në lagjen “Sheq i Madh’ të Fierit. Dy vëllezër janë përfshirë në një konflikt me dy vëllezër të tjerë për motive të dobëta. Policia ka proceduar në gjendje të lirë 2 shtetasit e përfshirë në konflikt dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerët. Ata akuzohen për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”, pasi dyshohet se kanë kanosur me jetë shtetasit S. P. dhe K. P. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, menjëherë pas kallëzimeve të marra për një konflikt për motive të dobëta, ndërmjet disa shtetasve, në lagjen “Sheq i Madh”, kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për sqarimin e rrethanave të konfliktit dhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të përfshirë në të. Në përfundim të këtyre veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas të përfshirë në konflikt, S. P., 20 vjeç dhe K. P., 22 vjeç (vëllezër), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”. Gjithashtu, po punohet intensivisht për kapjen e 2 shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt, J. H., 20 vjeç dhe K. H., 22 vjeç (vëllezër), për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”, pasi dyshohet se kanë kanosur me jetë shtetasit S. P. dhe K. P”, njoftoi dje policia.